Në 109-vjetorin e lindjes së Shenjtores Nënë Tereza, simbolit shqiptar dhe botëror të humanizmit e solidaritetit njerëzor dhe shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë e përkujdesjes të çdo nëne shqiptare, ne përkujtojmë me nderim e respekt trashëgiminë e vyer të veprës së Saj humane e hyjnore të paharruar.
Urtësia dhe porositë e Shën Terezës le të na shërbejnë si burim frymëzimi, që të gjithë së bashku, me shumë dashuri e përkushtim të bëjmë gjithçka duhet për këdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet e përkrahje sociale, për prosperitetin e begatinë e Shqipërisë dhe të kombit tonë! – Presidenti Ilir Meta
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen,kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenare që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.
Ajo lindi në Shkup, Maqedonia e Veriut, më datë 26 gusht 1910. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Rrethi i Shkodres dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy nga të cilët u vdiqën në fëmijërinë e hershme.
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë.
Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.