in ,

Gjimnazi Asim Zeneli i Gjirokastres, gjimnazi ynë, vatër dijeje e kulture – nga Parime Kasoruho

Gjimnazi im, gjimnazi ynë, kjo vatër dijeje e kulture që shpesh identifikon edhe qytetin e Gjirokastrës, festoi muaj me pare 100 vjetorin e themelimit.
Edhe qindra vite të tjerë do të vazhdojë kjo shkollë të jetë emblemë e dijes! Sa djem e vajza, breza të tërë, jo vetëm nga rrethi i Gjirokastrës, kanë studiuar ne gjimnazin “Asim Zeneli”. Sa mësues e profesorë me emër kanë dhënë mësim, kanë hyrë e dalë nga klasat e korrideret e shkollës së dashur, gjithmonë të përkushtuar e pasionantë për procesin e mësimdhënies. Janë qindra specialistë të lartë që kanë studiuar në bankat e kësaj shkolle e kanë ushtruar profesionin e mjekut, inxhinierit, ekonomistit, juristit e pedagogut në të katër anët e Atdheut. Janë shumë emra të shquar që më vijnë ndërmend e i kujtoj me respekt, por nuk do ndalem këtu, ata kanë bërë histori e gjithkush i njeh.

Do të kujtoj me respekt drejtuesit e kësaj shkolle kur jepja mësim e isha ende e re: kujtoj të nderuarin Sotir Vardhamin me buzëqeshjen karakteristike e mençurinë e tij, të palodhurin Muharrem Bejleri, Petrit Alikaj gjithmonë korrekt e të qetë dhe Luan Hoxhën me humorin karakteristik.
Në vitet e bukura si mësuese kam ndierë emocion e përkushtim për detyrën fisnike, për sakrificat e arritjet. Të paharruar e modele njerëzorë do të mbeten mësuesit e gjuhëve të huaja të nderuarit Rahmi Harxhi e Petro Isufi.
Kam mall për të gjithë kolegët e shoqet e mia, për ata kolegë më të vjetër që unë i kisha profesorë e nuk jetojnë më. Kujtoj me respekt e dashuri të ndjerin Tomorr Tushe që teoremat i spjegonte sikur luante, Aleko Panon një nga mësuesit më të shquar e të talentuar të historisë, poetin Bekim Harxhi aq skrupuloz për pastërtinë e gjuhës shqipe e drejtshkrimin. Kujtoj me shumë dashuri e respekt fisnikun, profesor Hasan Zazani që i dha shumë arsimit në Gjirokastër edhe si Drejtor i Kabinetit Pedagogjik. Për koincidencë vajzën e tij, mjeken e mirë Teuta Zazanin (Kalemi) e kisha nxënëse në ato vite e kur i thosha profesorit vlerësimet e mira për të, me përgjigjej (Teutën ta kam besur ty).

Gjithashtu kam parasysh mësuesin kërkues e me humor Elmaz Shkurtën, të cilit i uroj jetë të gjatë të më falin se nuk mund t’i përmend të gjithë, besoj të tjerët para meje i kanë përmendur.
Kjo godinë e bukur që ngrihet madhështore në lagjen “Palorto” çdo klasë e korridor më sjell shumë kujtime e emocione, shumë diskutime e mbresa nxënësish. Kujtoj kolegët e mi, mësuesit e fizikës me përparse të bardha që i drejtohen laboratorit të fizikës e klasave: Dashamir Mezinin, Edmond Sinoimerin, Vajo Kukën, Suzana Demon, Petrit Alikaj, Zeman Tena.
Mësuesit e matematikës përherë me shkumësa e vizore përherë kërkues më dalin para syve Hulusi Kokalari, gjithmonë i dashur e këshillues me nxënësit, Dilaver Koçiu, Renart Kardhashi, ish- nxënësit e mi Jorgo Laro e Jorgo Xhori që e mbaruan gjimnazin me mesatare të lartë e u bënë mësues të mirë.
Ne, mësuesit e letrësisë, që kishim modele të tilla si mësuesja Zhaneta Nova e Dragush Cabe, poetin Agim Shehu etj., gjithmonë diskutonim për veprat letrare, kritikat, punët me shkrim të nxënësve e arritjet e tyre. Unë shpesh si formatore asistoja edhe në orët e mësimit të Vasil Mukës, Natasha Skënderit, Axhem Koçiut e Besa Alikajt. Mësuesit e historisë e gjeografisë nxitojnë të marrin hartat e shkopin tregues, gjithçka për të pajisur me dije brezat.

E mësuesit që kanë punuar në këtë gjimnaz kanë me se të krenohen, në universitet me nxënësit e gjimnazit “Asim Zeneli” por dhe të shkollave të tjera të mesme gjithmonë dalloheshin.Pra kjo është një krenari e ligjshme për të gjithë mësuesit që punuan me pasion e ndërgjegje, për brezat e nxënësve që studiuan pa u lodhur, për vetë Gjirokastrën e shtrenjtë.
Edhe brezat e mësuesve më të rinj që erdhën vazhduan këtë traditë punuan me përkushtim e dashuri: mësuesja e historisë Eftali Rrapi, mësuesja e fizikës Yllka Golloshi, mësuesit e gjuhëve të huaja Stavrulla Kote, Agetina Bozgo, Rajmonda Dudumi, që ndoqën traditat e bukura të mësuesve Rrahmi Harxhi, deri te ish nxënësja ime që shkëlqente në kimi e sot është mësuese e kimisë, Irini Gozhita. Nuk mund të harroj kolegun tim të kimisë, Kujtim Kale, që ishte një metodist i mirë dhe i gatshëm për të mos lejuar askënd të kopjonte në provimet e kimisë. Dua të them pak fjalë për ish-nxënësit e mi që më mungojnë aq shumë. Ata janë shumë, edhe kujtimet për ta jsnë sa të bukura dhe interesante. I përfytyroj në rreshtat e bankave si kanë qëndruar, në oborrin e shkollës, para derës së provimit të letërsisë etj.

Kam para syve vajzat me përparset e zeza e librat në duar në pushimin e gjatë: nxënëset e shkëlqyera Hëna Kalemi e Teuta Zazanin, Albana Basharin e Frosina Telin, Genci Kabilin, Alban Hilën, Eziso Papazisin, Spartak Çoçolin dhe të paharruarin mjekun neurolog Drini Dobi, që e mposhti korona e mallkuar. Ende ndjej zërin e tij ( mësuese Parime)… Të mirin Drin e doja shumë, sa i kujdesshëm e i dashur ishte, sa më ka ndihmuar për çdo problem shëndetësor që kisha. Ai djalë fisnik kishte gjithë cilësitë e bukura, i edukuar nga prindër fisnikë, rrezatonte vetëm mirësi e profesionalizëm. Këtë e dëshmuan edhe kolegët e eprorët e tij, shkruan fjalët më të mira për të dhe e nderuan siç e meritonte. Në bibliotekë shpesh hap librin që më ka dhuruar Drini me rastin e 7- Marsit me një kushtim domethënës. Drini e humbi jetën në moshën më të bukur, por fëmijët, nëna e bashkëshortja, familja e tij kanë pse krenohen.
Doja t’i përmendja të gjithë, por të më falin nuk kam mundësi dhe jo vetëm nxënësit e dhjetave por edhe të tjerët si Veledin Nanaj e Dritan Kola etj., që ishin interesant me humor, Çezarin etj.

Sa herë dëgjoj fjalën “mësuese” emocionohem, gjithmonë do të jenë nxënësit e mi që më shprehin respektin e dashurinë. I takoj ata, ish –nxënësit që janë bërë profesionistë të mirë e prindër të përkushtuar. Kujtoj Gita Doracin e Luljeta Kikinën, Anila Kardhashin, Gjergji Kacin, Dritanin e Zamirën e shkathët që drejtoi bashkinë e qytetit për disa vjet.
Gjimnazi “Asim Zeneli” krenohet edhe për diçka shumë domethënëse, në këtë gjimnaz u formuan e shkruan për herë të parë poetët e shkrimtarët e shquar, Ismail Kadare e Dritëro Agolli, yjet që njihen edhe në botë. Kjo fidanishte në dekada formoi poetë e shkrimtarë, publicistë e gazetarë, aty u formuan poetët e shkrimtarët e talentuar Vllasova Musta e Thanas Dino, shokët e mi të kursit në universitet, Petro Çekrezi e Fotaq Malo, Hadër Mevlani ish nxënësi im.

Personalisht e kam dashur shumë letërsinë dhe profesionin tim dhe këtë pasion ua kam përcjellë edhe nxënësve. Ata e dinin mirë se pa lexuar veprat artistike, parashikuar në program, nuk mund të vlerësoheshin me notën dhjetë. Ndoshta ndaj më quanin mësuese te rreptë e kërkuese.
Formimin kulturor dhe kënaqësinë që të jep leximi i veprave nuk ta jep asgjë tjetër. Unë e kolegët e mi ndihemi të priviligjuar që kemi qënë mësues në gjimnazin “Asim Zeneli”. Gjithsesi në ato vite mësuesit përzgjidheshin me kritere shkencore: duhej të kishe mbaruar USHT dhe të ishe me mesatare mbi notën 8-të.
Mendoj se figura e mësuesit dhe vlerësimi për të duhet të jetë prioritert për organet drejtuese.
Edhe një herë urime në suksese e detyrën fisnike mësuesve, vite të bukura e dekada të përjetojë gjimnazi “Asim Zeneli”!

What do you think?

Written by Admini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

GIPHY App Key not set. Please check settings

Ja ç`me kujton nje foto me mjegull ne Qafe te Pazarit!