Pas orës 00.00 të gjithë besimtarët e krishterë kremtojnë Pashkët, simbolin e ringjalles së Jezu Krishtit, i cili u kryqëzua për mëkatet e njerëzimit.
Festimet e kësaj dite nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe me drekën tradicionale të së dielës.
Urimet për më shumë begati dhe “dritë” në zemrat e besimtarëve nuk mund t’i mungojnë kësaj feste.
“Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të Pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.
Kjo festë shoqërohet me lyerjen e vezëve me bojë të kuqe, ngjyra që simbozizon gjakun e derdhur të Krishtit, që mori përsipër mëkatet e të gjithë njerëzimit.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës.
Në festën e Pashkës besimtarëve iu është bërë thirrje që të përçojnë tek njerëzit e tjerë të vërtetën dhe shpresën.
“Të gjitha qelizat e Trupit kishtar, të gjithë ne besimtarët, ftohemi të marrim pjesë në këtë detyrë që na e ka ngarkuar Perëndia, sipas mundësive, dhuratave dhe kushteve ku jetojmë. Tradita ngjallësore për të përçuar flakën e llambadhes paskale edhe te të tjerët, na rikujton detyrën për të ofruar të vërtetën dhe shpresën e Krishtit te njerëzit e tjerë.”
Janullatos ka ftuar çdo besimtar ti transmetojë dashurinë, paqe në dhe gëzimin tek njerëzit e tjerë.
“Veçanërisht në epoka të vështira, si kjo e sotmja, ku dëshpërimi i thell dhe shqetësimi janë përhapur në mbarë shoqërinë dhe ku zhgënjimi i shtyp zemrat, çdo besimtar ftohet të marrë mesazhin ngjallësor të gëzimit, të dashurisë dhe të paqes dhe ta transmetojë tek ata që ndodhen afër dhe larg tij.”
Shërbesa e Ngjalljes nis të shtunën në mbrëmje, në orën 23.15, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.
Pritja e rastit bëhet ditën e dielë, 8 prill, në selinë e Sinodit të Shenjtë (pas Katedrales), nga ora 12.30-14.00.