Historikisht pazari i pare në Gjirokastër bëhej ne kala pastaj zbriti tek sheshi i Pasha Kaurit në lagjen Pazar i Vjetër dhe më pas në Bashte të Teqesë që mbahet mend deri afër vitit 1967 se pastaj, me urdhër nga Komiteti, meqë po “lulëzonte” tregtia private, u prish për të vazhduar dhe për një kohë të shkurtër, ca aty, ca tek Ura e Lumit, këtu më shumë për blerjen e qengjave e kecave.
Një ditë pazari në Bashte të Teqesë kishte gjallëri të madhe. Vendi dhe “markatua” mbushej me fshatarë që tregtonin perime e fruta të stinës, vecanërisht në muajt e verës.
Fshatarë vinin nga të gjitha krahinat nga Lunxhi, Pogoni e Zagoria, Dropulli e Kardhiqi por dhe nga Delvina, Saranda e Himara që shisnin vaj ulliri, portokalle e limona.
Në Bashte të Teqesë shitej e blihej gjatë gjithë javës po Dita e Hënë dhe e Premte ( e xhumaja) ishin ditë të fiksuara dhe kishte më shumë shitës e blerës.
Në këto ditë në Pazar gjeje c`të doje që nga bulmeti, si djathi ne nap, ashtu dhe fruta ,perime e zarzavate. Produktet që vinin nga fshati ishin të cilësisë së lartë dhe me shije.
C`të kujtosh më parë?
Po e rëndësishme është që të gjitha ishin të freskëta, të “këputura në degë”, fiqtë e rrushtë psh këputeshin që pagdhirë dhe tregtoheshin të sistemuara në kasona, fiqtë radhë radhë të shtruara mbi fletë hardhie. Shquheshin ato te Dhoksatit dhe Laboves se Zhapes. Te gjitha me viza qe shkrinin ne goje, varietet nga me te miret ne gjithe vendin, po që rriten keshtu me ujin e maleve te Odries dhe Lunxhit. hKështu dhe produktet e tjera.
Kujtojmë pjeprin e Goranxisë kokërr madh e të ëmbël, fiqtë më nam të Lunxhit dhe kopshteve të Gjirokastrës, dardhët e Suhës, arrët e Selckës, Labovës e Policanit, rakia e vera e Ciminxhit që nuk binte në shesh, qershitë e Plesatit etj. etj.
Një ditë Pazari në Bashte të Teqesë është në kujtimet e gjirokastritëve si frekuentuesit e parë por dhe jo vetëm. Ai Pazar ishte i të gjithëve, i fshatarëve të mirë e zemërgjerë, që shisnin me cmime të lira, që vinin e shisnin por dhe blenin në dyqanet e Qafës së Pazarit ushqime, veshje, paisje shtëpiake dhe vegla pune tek punishtja e Qatoa apo ne dyqanin e Zigait.
Ka shumë gjëra për të kujtuar dhe treguar për këtë Pazar që bëhej dikur në Bashte të Teqesë në Gjirokastër…
Po ju si e kujtoni?