Kafja është e rastësishme, por urimi sot është i përzemërt për Artistin e Popullit Luftar Paja. Nuk ka aspak rëndësi aritmetika e moshës për të, puna dhe vepra e tij janë pjesë e rëndësishme dhe kontribut dallues në teatrin dhe filmin shqiptar. Ka mbi 36 role në kinematografi. Është protagonist në 12 komedi, në 7 drama nga më të njohurat dhe më përfaqësueset në dramaturgjinë shqiptare. Përfaqëson një galeri nga më spikatëset në varietenë shqiptare prej 63 vitesh.
Një aktor që i ka mishëruar si Luftar, karakteret shqiptare të labit, myzeqarit, minoritarin grek, dibranin, korçarin, etj., etj.
Sot kur e shënon edhe një vit shtesë në jetën e vet është i zënë, natyrisht në energjinë e tij të pashtershme, me xhirimet e filmit më të ri “Vdekja le të presë” me regjisor Edi Topin. Luan në këtë film së bashku me kastën e famshme, të cilët tashmë njihen si korife të kinematografisë sonë si: Reshat Arbana, Tinka Kurti, Margarita Xhepa…., etj., etj. Natyrisht, bashkë edhe me të birin, të talentuarin Gaz Paja.
Por artisti Luftar është në orën e bukur të shpirtit dhe artit shtues të vetvetes.
Kështu ndodh me artistët e lindur ose me talentet që e kanë këtë aftësi natyrale. E mbart dhe e shton talentin e vet, si element të vyer të mishëruar me njerëzinë vetiake si mirësi dhe qeshje.
Na ka dhënë qeshje si askush dhe sa askush nëpër netët e Vitit të Ri edhe kur ftohtësia në shpirt ishte bërë çimento.
Jetofsh duke udhëtuar ende artistikisht Çobo Rapushi ynë!
Gëzuar artisti Paja!!!!