SIMFONIA MITIKE E MULLIRIT QE VAZHDON PREJ DY SHEKUJSH- Nga Prof. Dr. Ethem Ruka
Ju nuk do ta kishit përjetuar asnjëherë aromën e freskët të miellit nëse nuk do të kishit bluar drithë në një mulli me ujë. Kur kokrrat e misrit, grurit e thekrës bluhen nga rrota e rëndë prej guri, shpërthejnë aromën e tyre delikate.
Kokrrat e drithit bien njëra pas tjetrës në mesin e mokrës që rrotullohet vazhdimisht. Një mekanizëm i thjeshtë druri që rreshqet mbi sipërfaqen e palëmuar të mokrës, komandon sasinë e kokrrave të drithit që zbresin për tu bluar. Poshtë mokrës del mielli i sapo bluar që mblidhet në një rezervuar, para se të hidhet në thes.
Mullinjtë janë shpikje të kohëve paraindustriale. Ende në fshatrat tona ruhen gurët e bluarjes me dorë. Guri i poshtëm ishte i palëvizshëm, ndërsa i sipërmi rrotullohej me dorë me anë të një doreze. Thonë se këta mullinj të thjeshtë janë shpikur e trashëguar që nga kohët e antikitetit. Përkundrazi mullinjtë me ujë besohet se u shpikën në mesjetë.
Diku buzë rrugës Tepelenë-Vlorë, në afërsi të përroit që gjarpëron posht fshatit të lindjes, Turanit, ndodhej mulliri, ku bluanin drithërat banoret e fshatit si dhe te fshatrave përreth. Uji merrej nga përroi me anë të një kanali që duhet të ishte më shumë se një kilometër i gjate.
Përroi në verë nuk kishte ujë të mjaftueshëm për të vënë lëvizje turbinën prej druri që mundësonte rrotullimin e mokrës prej guri. Për të siguruar sasinë dhe fuqin e duhur të ujit, mbi mulli kishin ndërtuar një ujembledhës te vogël. Ai kishte madhësinë e një pishine të sotme. Kur hapej porta e rezervuarit uji rridhte me furi dhe vinte në lëvizje turbinën. Uji që delte prej saj shkumëzonte dhe coptohej në mijra pikëza të vogla që shpesh formonin edhe ylberë shumengjyresh.
Shkonim shpesh te mulliri i fshatit dhe dinim me saktësi jo vetëm të gjitha pjesët e tij, por edhe mënyrën si funksiononte. Për ne mulliri ishte simboli i industrializimit, ku fuqia e ujit shfrytëzohej për të bërë një punë aq të dobishme. Mielli ishte baza e bukës sonë të misrit apo grurit. Bukët e ngrohta të sapo pjekura me saç mbanin erë kaq të këndshme sa sot është e vështirë të imagjinohet.
Për ne fëmijët mulliri kishte edhe një funksion tjetër. Në verë ne shkonim aty dhe notonim në rezervuarin e mbushur plotë e përplotë me ujë të pastrë. Ky rezervuar ishte pishina jone e preferuar ku mësuam të notonim. Shpesh bënim gara se kush notonte më gjatë dhe shpallnim edhe fituesin. Jo vetëm kaq por ndodhte që ndonjëherë sillnin pajisjet nga qyteti për të shfaqur filma. Çarçafi që shërbente si ekran varej në murin e jashtëm të mullirit dhe ne prisnim gjithë kuriozitet të fillonte filmi. Më kujtohet se me sa kërshëri kemi ndjekur shfaqjen e filmit Debatik.
Mulliri i fshatit nuk ekziston më. Si kujtesë ka mbetur vetëm një grumbull gurësh dhe historitë që lidhen me të.
Një nga mullinjtë më të famshëm të Tepelenës ka qenë dhe është mulliri i Bënçës. Emërtimi i tij nuk lidhet me fshatin Bënçë, por me lumin e Bënçës. Ky mulli me moshë gati dyshekullore ndodhet poshtë fshatit të Veliqotit dhe vetëm pak kilometra afër Tepelenës. Ai është ndër mullinjtë më të bukur që kam parë ndonjëherë.
Mulliri ushqehet me ujin e kristaltë të lumit të Bëncës, i cili me anë të një sifoni zbret me vrull në turbinën e mullirit. Ai nuk është thjeshtë një mulli, sepse uji që del nga turbina e drurit, shfrytëzohet për të vënë në lëvizje mekanizma të tjera në formën e çekiçëve që kanë shërbyer dhe shërbejnë për të rrahur shajakun e prodhur nga leshi. Kjo pajisje në anët tona quhet dërstilë.
Dikur, copat e endura në tezgja nga gjalmi i leshit, pasi përpunoheshin në dërstilën e këtij mulliri, përdoreshin për veshje si pantallona, xhaketa, sharqe, jaka, velënxa, qilima plotë ngjyra etj. Nenat tona ishin artsite kur kombinonin ngjyrat e gjalmave per te formuar figurat e habitshme te qilimave. Copat e bardha të shajkut që përdoreshin për tesha ngjyroseshin në të zezë duke shfrytëzuar lëkurën e trugjeve e degëve të frashërit. Këto lëkurë futeshin në një kazan me ujë të nxehtë për të ekstraktuar ngjyrën. Aty futej shajaku i bardhe dhe lihej deri sa të merrte ngjyrën e duhur.
Kur ishim të vegjël shoqëronim prindërit kur shkonin për të bluar. Unë shkoja me kënaqësi te mulliri i Bëncës, sepse aty punonte një i afërti ynë, Hysni Ruka, ose sicc e thërrisnin në atë kohë, Hysni Brahimi. Ai ishte një marangoz duarartë dhe e mbante mullirin në gjendje të përsosur. Ndihmës i tij ishte përsëri një kushëri tjetër i babait, Muço Ruka, me trup të të imët, por shumë i fortë deri sa ngrinte para duarve thasët me drithë që peshonin dhjetra kilogram. Rrobat e tyre, floket madje edhe vetullat u zbardheshin nga pluhuri i imet i miellit te sapobluar.
Për fat të mirë ky mulli ekziston akoma dhe është në punë. Sa herë shkoj në vendlindje kaloj afër mullirit dhe kujtoj me hollësi përjetimet e mija të fëmijërisë. Mulliri i Bëncës ka një histori të gjatë, ndaj sot eshte edhe nje vend qe vizitohet edhe nga turistet kurioze. Zhurma e ujit dhe goditjet e çekiçeve ngjajne me nje simfoni mitike qe ekzekutohet pa pushim qysh prej dy shekujsh.