Në verën e vitit 1984 për ambasadorët e përfaqësive të huaja të akreditura në Shqipëri u shtrua një drekë e madhe.
Bashkë me kuzhinierët e “Turizmit” punonte dhe kuzhinieri i vjetër Jorgo Muka i cili përgatiti një përshesh me erëza.
Dreka ” tradicionale ” u organizua në pikën turistike të Viroit dhe kuzhinierët shtruan në trapez gatime të traditës, mish të pjekur në hell e në saç , kukurec, qifqi, byreqe disa lloje, djathë të bardhë e kaçkavall nga baxho e Libohovës, bakllava, hoshaf e xupa , pije nga më të mirat, etj.
Sikur të gjitha këto të mos binin në sy, shtruar e stolisur, për çudinë e të gjithëve, përsheshi i Jorgo Mukës nuk mbeti në pjata, përgatitur edhe me nje dorë erëzash që kishte marrë nga shtëpia. Disa ambasadorë dhe gra, harruan etikën diplomatike dhe nuk e patën të vështirë të kërkonin për së dyti…