in

Një ngjarje në tren -shkruar nga Tahir Boçi

Ishte data 19 Dhjetor 1981 që u nisa për në Tiranë. Kjo datë më kujtohet saktësisht, pasi në lajmet e mbremjes të një dite më parë u dha lajmi në tv për vetvrasjen e ish- kryeministrit Mehmet Shehu.

Në Ballsh unë munda të hypja në vagonin e fundit të pasagjerëve dhe më pas vinte vagoni i mallrave. Kur mbriti treni në Durrës,gjatë pushimit në stacion, lokomotiva dilte në skajin tjetër të trenit për ta tërhequr drejt Tiranës. Pikërisht në momentin e ndrimit të lokomotivës një bashkudhëtari im ishte duke fjetur,dhe u zgjua diku afër Shkozetit.

Deri në Durrës unë dhe ai ishim ulur në sediljen që shikonim drejt kahut të ecjes së trenit, ndërsa më pas ne po iknim sëprapthi.Momenti kur u zgjua bashkudhëtari im ishte shumë komik, pasi e pa vehten që “çuditërisht” po ikte sëprapthi dhe u alarmua pa masë.

– Ku vemi ?-më thotë.

-Po kthehemi – i them me shaka, pasi e kuptova që ai e kish për herë të parë udhëtimin me tren.

Megjithëse situata në tren atë ditë ishte e nderë për shkak të ngjarjes së një dite më parë, ilariteti për episodin nuk mungoi. Kur mbritëm në Tiranë, unë isha ndër pasagjerët e parë që zbritëm afër portës dalëse,pasi tashmë vagoni ynë ishte i pari. Kisha bërë vetëm pak hapa në platformë drejt daljes kur pa pritur një grua rreth të 50-ave u hodh më përqafoi e më puthi në faqe. Unë shtanga sepse nuk e njihja. Ajo kur pa stepjen time,duke mbajtur duart tek supet e mia më shtyu pak dhe e kuptoi që unë nuk isha njeriu që ajo priste.

– Më fal më tha të ngatërrova me djalin tim, ti i ngjet tmerrësisht !

-S’ka gjë i them unë, për nga mosha djali jot jam, por qenka rastësi dhe që i ngjakam.

– Është hera e parë që im bir është larguar nga shtëpia dhe më ka marrë malli shumë.

-E po atëhere i them unë mos humb më kohë se do kalojë e s’do ta vëshë re.

U përshëndetëm dhe u ndamë, ajo me ndjesinë e një lapsusi,dhe unë me ndjesinë se paskësha një sozi timin, por që s’munda ta njihja se nxitoja, pasi të nesërmen që në mëngjes më duhej të nisesha për në Bajram Curri ku më priste surpriza e radhës, nipçja që më kishte bërë dajo për herë të parë.

What do you think?

Written by admin

Gatimet e dimrit/Drekë me fasule qorre që zihen shpejt dhe nuk pinë shumë vaj, apo e kemi gabim?!…

Gjejeni, me ujë të ëmbël dhe të pastër qelibar, kur egërsohet, turbullohet e asgjë se ndal!