PEDIATRI GJIROKASTRIT DURIM BEBEÇI – shkruar nga Foto Vasil Malo
Një fakt i rrallë në historinë e Gjirokastrës dhe të Shqipërisë: Nën pushtimin gjerman, në burgun e kalasë së Gjirokastrës, një grua e burgosur lindi një foshnje. E dënuar shtatzënë. Sa kohë; kishte në qeli? Pse e qysh e arrestuan? Si e lindi foshnjen ? Α kishte pelena për të? A kishte qumësht gjiri i nënës? Si dolën ajo e foshnja nga burgu? A e mësoi ai këtë fakt dhe a u çlirua nga kompleksi i mundshëm i burgut?
Foshnjen e pagëzuan me emrin Durim. Duroi dhe ai burgun, privacionet. Dhe u rrit, vazhdoi shkollën, derisa u diplomua mjek pediatër. Si mjek u kujdes për qindra fëmijë e nëna. Si pedagog u dha mësime dhjetra e dhjetra mjekëve të rinj. Krijoi familje, rriti edhe fëmijët e vet.
Durim! Edhe emri, edhe profesioni që ushtroi kanë simbolikën e tyre.Durimi ua kushtoi jetën fëmijve, u bë mjek dhe pedagog i zoti dhe i nderuar. Në vitin 2000 botoi një libër voluminoz me titull “Pediatria”.
I dashur dhe modest me kolegët. Eci në gjurmët e mjekëve si , Prof. Fejzi Hoxha, Dr. Vasil Jorgji, etj. Iu përkushtua pediatrisë derisa vdiq në moshën 70 vjeçare. Dy herët që e pata parë në Tiranë e mbaj mend me bluzë të bardhë. Punonte në spitalin e madh të Tiranës dhe pranë Fakultetit të Mjekësisë. Vinte pak i shkurtër, por me prestigj të lartë. Punëtor i palodhur, fjalëpak, serioz, qytetar shembullor. Më vjen keq që nuk mësova mjaft për këtë dunavatas të vuajtur e të pabujë, një nga figurat me të cilat qyteti i gurtë duhet të krenohet. Shpresoj që të tjerët, njerëzit e kalemit apo të afërmit, të shkruajnë e flasin për të dhe nënën e tij heroinë , ashtu siç e meritojë. Është pak ta quajmë Doktor Durimin “Qytetar nderi”.