in

Në nderim të poetit Arben Duka, duke dëgjuar këngën e Petrit Lulos

Naxhi Kasoruho

-Në nderim të poetit Arben Duka, duke dëgjuar këngën e Petrit Lulos-

E kush nuk e ka dëgjuar këngën e mrekullueshme monumentale që këndon bilbili i jugut, Petrit Lulo, sipas vargjeve të shkruara nga poeti i madh Arben Duka. Kjo këngë u bë shkak që unë t’u rikthehem ca kujtimeve të mija nga Gjirokastra. Por në fillim le të dëgjojmë këngën:

Gjirokastra ime

Fjala mjaltë e këngës

Ku dhe zëri flet

Me gjuhën e zemrës.

Me gjuhën e zemrës

Me gjuhën e xhanit

Gjirokastra ime

Kuror e vatanit.

Kuror e vatanit

Larë me flori

Zoti vetë e gdhendi

Këtë mrekulli.

Nuk ka Shqipëria

As bota e tërë

O pikë e floririt

Mbi malin e Gjërë.

Që të jesh e para

Zoti vetë të zgjodhi

Dhe një mal me yje

Përmbi ballë ta hodhi.

Në rrugët e tua

Gdhendur me gurë

Këndova që foshnjë

Sa u bëra burrë.

Dritë të kam në zemër

Dritë të kam tek syri

Ti për mua nëna

Unë për ty jam biri.

Sot me zërin tim

Mblidhen mijëra zëra

Po the Gjirokastra

Ik ke thënë të tëra.

Këto janë fjalët e këngës së Petrit Lulos “Mjeshtër i Madh”, bilbili i këngës gjirokastrite shkruar nga poeti i mirënjohur Arben Duka. Sa herë që dëgjoj këtë këngë më del para syve si në një film dokumentar tërë jeta ime mbi 80 vjeçare në Gjirokastrën tonë të mënçur, të ditur, të bukur dhe të dashur që është si: pikë e floririt mbi malin e Gjërë, duke më krijuar emocion, mall për gjithçka që kam parë, jetuar, mësuar, punuar në këtë qytet befasues, magjepës, të bukur, të vaçantë e unikal e i papërsirtshëm në llojin e vet mes bashkëqytetarëve të dashur që i kujtoj me respekt të vaçantë dhe mirënjohje për gjithçka që kanë bërë për ta trashëguar të pacënuar këtë qytet që vjen nga largësia e shekujve deri në ditët tona.

Në këto dy dekadat e fundit nga viti 2000 kur botova librin e parë “Gjirokastra e Festivalit” e deri më sot kam botuar mbi 15 libra ku promovoj trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës dhe krahinave përreth si vlerë e çmuar dhe kontribut në kulturën tonë kombëtare. Me modestinë e një artisti, si intelektual dhe si gjirokastrit jam munduar që në rreth 3000 faqe të këtyre librave të pasqyroj në tërë hapësirën dhe dimensionin e saj këtë trashëgimi të çmuar që prindërit dhe prindërit e prindërve tanë e kanë trashëguar me tërë dashurinë e shpirtit deri në ditët tona duke na bërë të ndjehemi krenarë në brezat e sotëm duke na obliguar që si parardhësit tanë ta përcjellin edhe në brezat e ardhshëm.

Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra, është sinteza e tërësisë së trashëgimisë të qytetërimit të qytetit të gurtë që Zoti vetë e deshit që të jetë e para si pikë e floririt mbi malin e Gjërë, me një mal me yje të hedhur mbi ballë.

Kjo këngë më merr nga dora dhe më shëtit në gjithë lagjet e qytetit nga kodra mbi universitet deri në vreshtat e Manalatit e Cafkës, nga kodra e Kësullës deri në fund të Hazmuratit nga sarajet e Topollarëve në lagjen “18 Shtatori” në sheshet, sokakët, përrenjtë e stërgjatur që lidhen me harqet e urave prej guri dhe pastaj më hap portën e madhe të shtëpisë kështjellë, më fut brenda, më ul në Odanë e Madhe pranë Aneve gjirokastritet, këto ikona të mirësisë, dashurisë, fisnikërisë të thjeshtat deri në madhështi.

Në Odanë e Madhe të sarajeve të Topollarëve kuvendojnë për kapedan Çerçiz Topullin dhe luftrat e tij për çlirimin e vatanit nga pushtimi 500 vjeçar i osmanllinjëve turq që populli e ka përjetuar në këngën e tij luftën e Mashkullorës ku thotë:

Te Rrapi në Mashkullorë,

Foli Çerçizi me gojë,

Mylazim largo taborë,

Leri djemtë e mi të shkojnë,

Se të skuq të bëj me bojë,

Çerçiz Topulli më thonë.

Dhe me napolonat e mbledhura në Gjirokastër dhe dollarët nga gjirokastritët në Amerikë i ngritën kapedan Çerçiz Topullit monumentin e tij më 1936 dhe e vendosën në qendër të qytetit në sheshin që mban emrin e tij.

Nga odja në oda dhe nga shtëpia në shtëpi me Anetë zemërbardha kujtojmë histori e ngjarje, vende e njerëz luftëtarë e fise të mëdha që kanë formuar këtë qytet të gurtë dhe gjithçka që përfaqëson ky qytetërim në trashëgiminë tonë kombëtare.

Nga odja e madhe në sarajet e Zekatëve në krye të lagjes “Palorto” shikojmë Obeliskun këtë symbol të arsimit, përparimit e prosperitetit të vendosur tek kodra pranë Qafës së Pazarit dhe kujtojmë armatën e madhe të mësuesve fisnikë nga Basho Thoma Papapano “Nderi i Kombit” e deri tek të rinjtë e sotëm me dashuri e përkushtim mësojnë nxënësit e studentët në 4 shkolla 9-vjeçare dhe 5 të mesme, në universitetin “Eqerem Çabej” këtij shkencëtari e gjuhëtari të shquar gjirokastri fisnik.

Gjirokastra është qytet arsimidashës. Njëqind vjet më parë gjirokastritët shisnin pasurinë e tyre për të arsimuar fëmijët e tyre në universitetet më të mira në Europës mbasi ja dinin vlerën dijes e përparimit prandaj Gjirokastra renditet ndër qytetet e para të vendit për nivelin e lartë të arsimtarëve.

Në këtë rrugëtim imagjinar ndjej emocion, mall për vendlindjen time të dashur, për Çfakën e sheshin e Mejdanit kur luaja me topa lecke për shkollën 7 vjeçare “Naim Frashëri”, për gjirokastrritët fisnikë të penës, pushkës e dijes, Për intelektualët që e lartësuan këtë qytet, mjeshtrat duarartë që gdhendën këto shtëpi kështjellë me pamje befasuese e arkitekturë të vaçantë e të papërsëritshme në banesa të tjera të rajonit e më gjërë.

Kujtoj artistët e Teatrit dhe Estradës, shkrimtarët, muzikantët, piktorët e skulptorët, festivalet e pionierit e shkollën e muzikës, teatrin e kukullave, Cirkun, Pallatin e Pionierëve. Kujtoj me respekt të vaçantë kongëtarët popullorë të qytetit tim, grupin e Pleqve me korife Xhevat Avdallin, si dhe Festivalin Folklorik Kombëtar si manifestimi më madhështor i trashëgimisë folklorike kombëtare.

Ajo çka ndjej kur dëgjoj këngën e Petrit Lulos është emocion i jashtëzakonshëm që më mbush me krenari për qytetin tonë, Gjirokastrën e gurtë të vaçantë dhe befasuese.

Gjirokastra, thotë Kadareja, “Duke sikur ka dalë në anë të udhës një natë dimri si qënie prehistorike”. Ajo është një nga qëndrat e shquara të qytetërimit ballkanas dhe rrjedhimisht një nga qytetet ku është shfaqur në mënyrë të fuqishme etja e njeriut për jetë, liri dhe kulturë në përgjithësi. Kjo është Gjirokastra jonë e qyteti i Manxuranës dhe Kadaresë. Perandoria e gurit dhe shpirtit njerëzor. Qyteti i UNESCO-s dhe Festivalit Folklorik Kombëtar pikë e floririt mbi malin e Gjërë që Zoti vetë e deshi që të jetë e para perlë e Ballkanit, që na bën të ndjehemi krenarë dhe kur na pyesin se nga je ti, i përgjigjemi : “Jam nga Gjirokastra”, dhe ata na e kthejnë me buzëqeshje: “Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra” ./Nga gazeta DITA/

What do you think?

Written by admin

Ne piknik personeli i Kopshtit me dreke i lagjes Hazmurat ne Gjirokaster

Sot urojme aktorin e shquar Robert Ndrenika qe feston ditëlindjen e 81