E ëma e Aliut, ka qënë një grua me vendosmëri të patrembur dhe e painfluencuar nga paragjykimet zakonore, që në Turqi ndrydhnin të gjitha aftësitë dhe forcën e seksit femër për të vepruar.
Ajo ishte shqiptare dhe jetonte në një vend ku popullsia trime dhe luftarake e të cilit ishte vazhdimisht në armiqësi të brendshme. Në periudhën që sapo përmenda, Shqipëria ishte ndarë midis një numri pashallarësh të pavarur dhe krerësh të fiseve, autoriteti i të cilëve vinte kryesisht nga uzurpimi ose pushtimi dhe që ishin pothuajse të zënë në luftëra që kishin për qëllim mbrojtjen, apo zgjerimin e pushtetit të tyre.
U desh vendosmëria e të ëmës së Aliut që të ruante të drejtat e bijve të saj në një vend kaq pa ligje dhe të trazuar…
Pavaresisht nga të gjitha përpjekjet e nënës së tij që marshonte vetë në krye të përkrahësve të paktë, por besnikë, me një mushketë në dorë, Ali Beu u detyrua të largohej nga Tepelena dhe ta braktiste qytetin e lindjes në dorë të armiqve.
Gjatë rinisë së tij Ali Pashë Tepelena kishte armiq banorët e Kardhiqit, nje fshat rreth 18 milje larg Tepelenës. Popullsia ishte krejtësisht mysimane, megjithëse kryesisht me prejardhje shqiptare.
Njerëzit e ketij fshati bënë një plan për ta kapur në befasi Aliun e ri në një fshat, ku mesa dukej ai fshihej në atë kohë së bashku me të ëmën dhe motrën. Ata rrethuan fshatin natën me luftëtarët e tyre, por Aliu u arratis me vështirësi nga një kopësht, kurse nëna dhe motra u kapën robina dhe u shpunë në Kardhiq.
E ëma dhe motra u mbajtën si robina gjatë 40 ditëve dhe u trajtuan me cdo mënyrë poshtërimi dhe dhune, një fyerje që nuk është fshirë kurrë nga kujtesa e Ali Pashës.
Një masakër e tmerrshme kohët e fundit, hollësisitë e së cilës do të tregohen më vonë, ka dëshmuar për shkallën e urrejtjes së tij të pangopur ndaj popullit të Kardhiqit dhe ka lënë një monument të tillë hakmarrjeje familjare, që kohët e sotme nuk e kanë parë shpesh.
Burimi: Henri Holland – Mjek tek Ali Pasha