in

Kur banorët gjirokastritë shkonin në këshillin e Lagjes për të marrë mysafir një artist popullor

Pjesa e dytë e shkrimit te shkrimtarit Foto Vasil Malo per mikpritjen.

Fjalurta dhe një filozofi e tërë popullore për traditën e mikpritjes: Shtëpi bukëdhënë. Mik për kokë. (Shtëpia e shqiptarit – e Zotit dhe e shtegtarit). Miqësia-miqësi, qeseja të vejë e të vijë. Më mirë një mik, se një çiflik. Miku njihet që është mik, në të keq e në rrezik.
Mikpritja si nevojë e dyanshme. (Sot unë, nesër ti).
Duke nderuar mikun, njeriu nderon dhe veten, mban të pazbehur emrin e mirë të familjes e të shtëpisë.

Miqësia është ndjenjë fisnike, njerëzore.
“Qëkurse më kanë ndarë nga shokë e nga miqësia, Gra e burra kanë qarë nga ngashërimet e mia” këndoi Naim Frashëri.
Miqësi midis njerëzve, familjeve, popujve. Dhe: ari provohet në zjarr.
Edhe njeriu i varfër e në kohë varfërie mund të jetë mikpritës. (“Bukë e kripë e zemër”). Dhe: “Mik të ri zerë, por të vjetrin mos e harro!”.
Volteri: “O Zot, ruajmë nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë!”. Sami Frashëri: “Armiku të merr mallin e gjënë, miku të rrjep lëkurën”.

Tradita? Kujtoj festivalet folklorike, kur banorët gjirokastritë shkonin në këshillin e Lagjes për të marrë mysafir një artist popullor pa dallim krahine, seksi, formimi. Madje, në rast mosplotësimi të dëshirës, kishte edhe hatërmbetje.

Në kanunin shqiptar miku gëzonte status të veçantë. Ai, siç shprehet I. Kadareja, cilësohej gjysëmhyjni. Miku duhej të dilte i sigurt nga kulla ku bujti, ai përcillej deri në kufirin e pronës së malësorit. Po të vritej brenda atij kufiri, mikpritësi hynte në gjak me vrasësin. Traditë e vyer mikpritja. Por kanë ekzistuar dhe kusëria, rryshfeti, zhvatja, deri edhe prerja në besë e mikut, gjë e shëmtuar dhe papranueshme. Kulla besëprerëse digjej katundisht dhe familja përzihej përgjithmonë nga fshati.

Prof. Vehbi Bala më ka treguar një histori nga Shkodra, kur një malësor po e çonin në trekëmbësh dhe pashai e pyeti: “Α e ke ndier ndonjëherë veten më ngushtë se sot? Po, u përgjegj malësori. Kur më ka ardhë miku në shtëpi dhe nuk kisha bukë me i dhanë me hangër!”. Dhe pashai ia fali jetën.

Mikpritje pa interes, por edhe e kushtëzuar. Më kujtohet thënia e një kolegu pas tufëzimit të bagëtive, tufëzim që i thau çanakun fshatarit: ¨Sot është mëkatë t’i shkosh fshatarit mysafir…”.
Gjirokastriti përpiqet ta ruajë fisnikërinë, njerëzillëkun, ka shfaqe solidariteti, përkrahje të të afërmit dhe të nevojtarit, por edhe mungesa, e nuk bëhen petulla me ujë.

Sot janë shtuar papunësia, grabitjet, korrupsioni, shtrenjtësia, varfëria, (“Bie miu në magje e thyen kokën”). (Pa harruar kuadrin e përgjithshëm: borxhi buxhetor, taksat, fondet që shkurtohen ose nuk livrohen), thatësira, pandemia, hemoragjia e emigracionit. Është turp e krim që në këtë vend të bekuar nga natyra, plot pasuri, të ketë njerëz që ngrysen e gdhihen pa bukë, që afro gjysma e popullsisë të rrojë në pragun e varfërisë. Edhe ndihma e cunguar sociale nuk është zgjidhje. “Mjerimi s’ don mëshirë, por vetëm të drejtë!” shkroi Migjeni përpara 87 vitesh.
Shtetin vështirë ta bësh mik, dhe larg qoftë në u ktheftë në armik.

Pezulet tek muri rrethues i lulishtes në qendër të Tiranës, te Skënderbeu, u quajtën dikur “Kafe Gjirokastra”, sepse uleshe dhe nuk paguaje gjë. Po sot?
Gjithsesi, Gjirokastra pret e përcjell turistë, emigrantë. U ofron më të mirën që mundet. Dhe gatimet gjirokastrite janë nga më të shijshmet. Por jo për të gjithë.

What do you think?

Written by admin

U poqen frutat e avlise dhe te koshtit. T`i hani me shendet!

Me hidherim njoftojme se eshte ndare nga jeta gjirokastriti Haxhi Aliko, Profesor, pedagog dhe shkencëtar me vlera të jashtëzakonshme