Kengetarja e shquar Fatime Sokoli (1948-1987), konsiderohet si këngëtarja e dhimbjes dhe krenarisë kombëtare.
Ajo u rrit nën tingujt e çiftelisë e të sharkisë, duke kënduar këngë për trimat e trimëreshat e Tropojës e të Malësisë së Gjakovës.
Gjatë jetës së saj artistike mori pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, ku u vlerësua me një numër i madh çmimesh.
Arriti ta nxjerrë në dritë këngën tipike të Malësisë së Gjakovës, që ruante format arkaike të këndimit shekullor rapsodik.
Ajo këndonte këngë të trimërisë dhe dashurisë për vendin, këngë për Kosovën e për viset e tjera shqiptare jashtë kufijve tanë.
Këngët e saj ishin nga më të pëlqyerat edhe në emisionin e Radio Tiranës, “Për bashkatdhetarët tanë jashtë atdheut”.
Në këtë emision, kërkesat për këngët e saj ishin të shumta dhe ishin në vend të parë. Dashurinë që kishin për Fatimen shqiptarët e diasporës e shprehën edhe kur ajo vdiq.
Ne shtëpinë e saj nuk munguan të vinin letra dhe mesazhe të panumërta ngushëllimi. Por gjënë më të bukur e kanë bërë disa shqiptarë nga Zvicra, të cilët sollën një si sixhade nga ato që vareshin në mur, copë e madhe gati 4 metra katrorë, ku ishte e qëndisur portreti i saj duke i rënë çiftelisë.
Fatime Sokoli u nda shpejt nga jeta.Pas një qëndrimi dhe mjekimi prej disa muajsh, gjendja e saj nuk u përmirësua, por u rëndua edhe më keq dhe , dëshironte të kthehej në vendlindje.
Kështu u bë e mundur nxjerrja nga spitali dhe sjellja me helikopter në Tropojë. Vetëm një ditë pasi kishte ardhur, ajo u nda nga jeta.
Fatime Sokoli kujtohet si artiste që la mbresa të pashlyeshme, duke i falur shqiptarëve emocione me zërin dhe talentin e saj.
Fotografia Qendra e Veprimtarive Kombetare