in

Edi Rama për Filip Çakulin : ” Babai i ardhshëm i “FIKS FARE”-s, futi kokën dhe tha, të rrojë Partia!”

Edi Rama ka uruar sot per Ditelindjen Filip Çakulin, shkrimtarin e shquar te humorit shqiptar.

Ja postimi i plote:

FILIP ÇAKULLI është një prej talenteve të spikatur të shoqërisë shqiptare, që tek humori gjeti kamerdaren e shpëtimit në detin e ferrit të diktaturës së proletariatit, ku kush nuk ngjeshej fort në kominoshen e Njeriut të Ri brenda Titanikut komunist, mund të mbytej sa hap e mbyll sytë nën goditjen e dallgëve të pamëshirshme.
Me atë kamerdare Filipi erdhi vërdallë rrotull Titanikut, herë u zhyt si polumbar, herë u ngjit marinar e herë u përvodh si peshkatar, herë u pa si shpëtimtar e herë u duk si notar, në një karrierë ku nga afër ai i ngjante kapitenerisë si shërbëtor i popullit e nga pak më larg i përngjante si gjarpër në gji, derisa Titaniku u mbyt dhe Filipi doli pa lagur në bregun e lirisë. I rrahur me vaj e me uthull, i lexuar e i papërtuar, po mbi të gjitha mjaftueshëm i aftë për të mos e marrë veten aq seriozisht sa për t’u ngjeshur fort në kominoshen e re të demokracisë dhe mjaftueshëm i regjur sa për të mos e mbajtur kamerdaren e vjetër si të vetmin mjet të pandashëm prej vetes, Filip Çakulli u përfshi në Lëvizjen Demokratike, në Rilindjen Demokratike, në Partinë Demokratike, po mbeti njësoj i dyzuar e i dyshuar.
Fati e desh që kamerdarja e tij të ngecte një ditë në gjirin e Top Channel-it dhe më në fund këmbët gjithnjë në ujë të Filipit të puthnin Tokën e Premtuar të dikujt si ai, që as e kupton e as e jeton dot jetën pa humorin si artin e komunikimit me të tjerët e të ndërveprimit me shoqërinë. Aty lindi nën komandën e Filip Çakullit edhe njësiti më subversiv i revolucionit kopernikan të Tanit të Topit në botën e medias shqiptare, “FIKS FARE”, i cili solli një nga ndryshimet më mbresëlënëse në historinë e humorit shqip, duke e kthyer humorin në një thikë jo me dy, po me dyzet presa!
Sot që Filip Çakulli mbush nuk ka rëndësi se sa shumë vjeç, më kujtohet hera e parë kur e kam hasur fytyrën e tij dykuptimshe, në Lushnjë, në dritaren e apartamentit të vogël të poetit Bujar Xhaferri, ku babai i ardhshëm i “FIKS FARE”-s, futi kokën dhe tha, të rrojë Partia!
Të rrosh sa malet Filip, bashkë me partinë natyrisht!-shkruan Rama.

What do you think?

Written by admin

Sot urojme per Ditelindjen inxhinierin e njohur gjirokastrit Dashamir Sejdo

Qumeshtit qe blejme, i hidhet gje uje?Ja si pergjigjej Zequa kur e pyesnin!