Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, uron kryeministrin Edi Rama dhe PS, për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një mesazhi në “Twitter”, kryediplomatja amerikane falënderon edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që sipas saj, udhëhoqi një fushatë të fortë, që i dha zë shumëkujt dhe frymëzoi shpresë.
“Përgëzojmë kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë dhe kryetarin e PD, Lulzim Basha, për udhëheqjen e një fushate të fortë, që i dha zë shumëkujt dhe frymëzoi shpresë. Më e rëndësishmja, ne përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë.
Duke njohur rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar. Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Raporti paraprak i OSBE/ODIHR duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”, shkruan ambasadorja Kim.