Shkrimtaret sarandiote te klubit te njohur te Krijuesve Joniane Sarande-Albania kane mbledhur krijimet e tyre me te mira ne permbledhjen e dyte ANTOLOGJI E PROZES.
Jane tregime te edicionit te II, takimi i pjesemarresve ne javet e para te dhjetorit 2020.
Si fillim, nga kjo antologji po percjellim per ju tregimin e shkrimtarit Agron Mema me titull “KOSI I NËNËS”‘.
Sot, jo vetëm që m’u kujtua një histori e shumë viteve më parë,por besova dhe gruan time duke e ndjerë veten më ngusht se kurrë. U desh një tas me kos i dërguar nga fshati prej nënës sime. Gruaja m’a pruri në tryezë dhe u ul mënjanë. Tek haja me shije, ime shoqe më shikonte me dhimsuri e dashuri, me një dritëz mallëngjimi që i dritëzonte retinën e syrit.
-Ha pak!-i thashë duke e ftuar me dorë.
-Jo…ha!- ma ktheu,-kënaqem kur të shoh që ha kosin e dërguar nga nëna jote.
Tha këto fjalë dhe dy sumbulla të kristalta, të qelibarta e të nxehta i dolën prej syve të bukur e ju rrokullisën faqeve të përskuqura, ndoshta nga fjalët që nxorri. Mendova se e kish nga malli për nënën e sajë të larguar nga jeta vite më parë dhe e lashë në botën e sajë të shpërthente shpirtin e dhimsur e të malluar. Përfundova dhe më pyeti:
-Të pëlqeu?
-Shumë! Kos nga duart e mamasë sime…
Më pa në sy me sytë akoma të lëngëzuar, më hodhi dorën në qafë dhe shpërtheu:
-Ashtu qe edhe kosi i nënës sime që ma hodhe poshtë atëhere. E mba mend? Më hodhe poshtë kosin që më dha nëna ime…
Fjala e sajë më ra si rrufe në gjithë trupin. Sikur një dorë e rëndë të më shkëndijonte sytë xixa me pëllëmba, do më dukej më e lehtë se kjo fjalë.
“Qe dimër atëhere dhe ktheheshim nga prindërit e gruas. Me vete kishim shumë çanta. Një pjesë të rrugës ishim të detyruar ta bënim monopatit në këmbë deri sa të delnim në rrugën automobilistike. Çantat kishin peshë dhe terreni i rrëshqitshëm nga shiu që vijonte të rigonte akoma në qetesinë e tij shtruar-shtruar. U ula diku dhe hapa çantat. Brenda pashë dhe një bidon me kos. Më hipën nervat keq:
-Po kjo është çmendur,-thashë për vjerrën dhe e nxorra bidonin e kosit. Gruaja më dëgjoi dhe më pyeti se me kë flisja ashtu:
-Pse nxehej, ç’pate?
-Po nuk kemi kos në shtëpi dhe ky na duhet të ngremë në krahë tani.
Thashë këto fjalë dhe e vërvita bidonin e kosit në rrëpirë. Një “mooooos” e gruas si piskamë kujeje e shoqëroi bidonin e kosit tek fluturonte rrëpirës në thellësitë e honit. Ecëm pa folur vetëm diku dëgjova të mërmëriste “…kushedi a do ha më kos prej duarve të së mirës sime…”. Ktheva kokën po gjithshka qe e qetë nën ritmikën e hapave dhe monotonisë së shiut. Të ketë qenë vegim? Eca dhe nuk fola. Akoma kisha nerva. Nuk ma përmendi më deri mbrëmjen e sotme. Herën tjetër shkuam për ta përcjellur në botën tjetër e për ti dhënë lamtumirën e fundit vjehrrës. Kur kaluam tek rrëpira e hont gruaja treti vështrimin në thellësinë e honit, a thua se aty tretej një pjesë e jetës së saj…Po vërtetë mendova, aty tretej kujtimi i gjallë që i la dhimbjen e paharrueshme. Po, ato fjalë nuk kishin qenë vegim se…” a do mundem të ha më kos nga duart e të mirës sime…”. Jo vegim , jo. Ishte një korespondencë ndjesore e bijës me nënën. Një parandjenjë që vetëm zemrat e tyre dinë ta deshifrojnë kodin…”
-Ja, i dashur, atë shije që provove ti sot nga kosi i nënës tënde, atë do provoja edhe unë nga kosi i nënës sime që ti nuk më le ta shijoja për herë të fundit.
Mbaroi fjalën dhe më përqafoi me ngrohtësi dhe dashuri që vetëm gruaja di ta përcjelli tek burri në çaste të ngarkuara emocionale qofshin ato të dhimshme apo të gëzuara…