Kjo foto, pjese e shkollës se parë të mesme mikste (me djem e vajza), Lyceun e Gjirokastrës në nëntor 1923, na kujton se ketu mësimet jepeshin kryesisht në frëngjisht nga profesorë francezë dhe drejtori i shkollës ishte gjithashtu francez, i cili kishte ardhur së bashku me gruan e tij, Profesoresha Henriette Coutent.
Populli i Gjirokastrës profesorët e huaj të shkollës i priti me përzëmërsi dhe pak nga pak u familjarizuan aq shumë, sa gratë e tyre shkonin si krushka nëpër sokaqet e qytetit për të marrë, a për të pritur nusen, ose thirreshin edhe për darka në dasma, sëbashku me burrat e tyre.
Drejtori i shkollës Victor Coutentnë fjalën e tij të 30 qershorit thoshte: “Qyteti i Gjirokastrës provoi dhe ay vetë dashurinë e tij Lyceun, duke marrë përsipër ndërtimet e godinës ,,,”
Shkolla gjallëronte nga aktivitetet artistike të nxenësve me pjesë theatrale nga Molieri, komedinëfranceze “Berberi i Seviljes” të Pierre Bomarshe, recitime nga poezia frëngjisht “Korbi dhe dhelpra”, apo nga grupi i mandolinave…
Kronisti i qytetit i atyre ditëve shkruante: “Ishin ekspozuar në divanin e shkollës disa “essais” të nxënësve dhe në akuarel… Një ditë shpresojmë të kemi artistë të mirë të pende plumbit e të penellës… Lyceu i dha një shtytje të madhe lëvizjes muzikale të Gjirokastrës… Dhe sot njeriu dëgjon në shumë anë të qytetit tingujt ergjendare të tyre. Shenjë lartësimi i shpirtit të këtij vendi…”.
Nëndrejtori i shkollës, Profesor Hysni Hashova në mbarim të vitit shkollor 1925-26, thoshte: “Nxwnësit më të shumët janë të zgjuar, të bindur e punëtorë dhe kanë një dëshirë të çquar për kulturë. Në këto tre vjet që kur është formuar Lyceu kanë bërë përparime të dukura. Nxënësit e klasave të larta kanë arritur ta kuptojnë e ta shkruajnë mjaft mirë frengjishten..”