Pas lajmit te sotem mbi arrestimin e Henri Cilit, njohur jo vetem si analist por edhe si pronar i nje prej universiteteve me te medha ne Shqiperi, “Universitetit Europian te Tiranes”, ka postuar ne rrjetet sociale kete deklarate:
Në interes të informimit të drejtë publik, Senati Akademik i Universitetit Europian të Tiranës sqaron se ndalimi i z. Henri Çili nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e UET dhe European Education Initiative shpk, që ka në pronësi këtë universitet.
Si një institucion me përvojë 15 vjeçare në arsimin e lartë në Shqipëri, UET gëzon reputacion të lartë dhe vlerësim maksimal sa u përket standarteve të cilësisë, të njohura nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, prej të cilave është licensuar dhe akredituar, ligjërisht.
Performanca ekselente i ka dhënë këtij Universiteti statusin e një aktori publik me rëndësi kombëtare dhe më gjerë, ndaj ne si anëtarë të Senatit Akademik reagojmë me indinjatë ndaj pasaktësive, spekulimeve ose dashakeqësive në raportimin e ngjarjes së sotme, duke sqaruar se thirrja e z. Cili në organet e drejtësisë lidhet me dhënien sqarime mbi Legal Studio shpk, i cili është një entitet krejtësisht i pavarur nga Universiteti Europian i Tiranës.
UET është universiteti më i madh privat në vend, me numrin më të lartë të studentëve të regjistruar në ciklin e parë, Bachelor, për vitin akademik 2019-2020 dhe renditet i gjashti për numrin e studentëve, ndër të gjitha universitetet publike dhe private, në rang kombëtar.
UET dhe shoqëria që e ka në pronësi, respektojnë të gjitha standardet e mirëadministrimit, sipas legjislacionit në fuqi në të gjitha aspektet dhe kanë marrëdhënie shumë korrekte me të tretët. Ky institucion u është nënshtruar standardeve më të larta ndërkombëtare në auditim financiar.
Senati Akademik i UET garanton opinionin publik se i gjithë stafi akademik i Universitetit, mbi 100 pedagogë të brendshëm, profesorë dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave mbeten të përkushtuar për të vijuar misionin e këtij institucioni të arsimit të lartë, në raport me studentët dhe shoqërinë.