Pranë shtëpisë së Koço Papazisit është dhe ajo e Koço Spirit.
Brenda saj, kronikës së trazuar, të ngarkuar me dhimbje, është dhe jeta e veprimtaria e vëllait te Koços, Thomait, intelektualit të lagjes, për vite me radhë drejtues i parë i bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv të rrethit; i ditur dhe jo vetem në fushë që kish studjuar; energjik dhe i drejtë, i mirë me të gjithë e mbi të gjitha human, i prirur për te bere të mira; tip i vecantë si drejtues, jo burokrat po i lidhur me të tijtë, të thjeshtët, me kerkesat dhe problemet e tyre, edhe të lagjes, se s`thosh kot im atë për të: ”Thomai e rregulloi” kur Panajoti, vëllai im, ndoqi një shkollë të mesme mekanike profesionale në Durrës.
“ Do ta rregullojmë!”- shprehej pas cdo takimi me hallexhinjtë, të cilëve ua dinte hallin dhe vuajtjen, se dhe vetë kish bërë përpara por duke kapërcyer shumë vështirësi, ekonomike më shumë.
I tille shfaqej. I pa kursyer për të ndihmuar, për të bërë mirë, edhe për shkollimin e fëmijëve, dhe atyre me cen ne biografi.Vlerësonte të rinjtë e dalluar në mësime dhe bëntë cmos, si anetar komiteti, të merrnin të drejta studimi në profilet ku shfaqnin prirje per të shërbyer më pas jo vetem në bujqësi që mbulonte por dhe degë të tjera.
Pas viteve 70-të, kur nisa punë në Radion Lokale, ishte nga bashkepunëtorët më të mirë të rubrikës bujqësore. Takimet më të ishin të shpeshta dhe “qeshnim shumë”. Humori i tij mbulonte disa fusha, edhe kritika ”për te medhenjtë”. Këto i tregonte këndshëm e me të papritura, edhe me detaje shtesë, nga “xhepi”, sidomos nje periudhe zbori, në Gërhot, ku unë, ai dhe Mihallaq Buzo, te tre nga një lagje, rrinim gjithmonë bashkë.
Ditet e para kaluan aq mire e kendshem, me humor, anekdota që ai i tregonte ndryshe nga c`guxoja unë, për ta konkuruar. Keshtu disa dite, ndoshta nje muaj, po në dy raste, per shkelje te disipinës, e pame veten perpara komandës dhe repartit si kuadro që i shmangeshim stervitjes dhe disiplinës.
“‘Bën gjoja”, thoshin në komandë, kur Thomai filloi të ankohej se nuk ndihej mire, se ndiente dhimbje në trup e i keputeshin gjunjët, deri ditën që u vizitua dhe mjekët konstatuan se kishte probleme të rënda me shendetin. Nga ajo ditë nuk erdhi më në Gërhot dhe ndonje që nuk dinte c`kish ndodhur, shprehej se ”Thomai ja hodhi zborit!”.
Por Thomai i mirë pas disa muaj, edhe pse u kurua nen kujdesin e mjekëve për ta kthyer në shendetin e parë, nuk ia hodhi dot sëmundjes së keqe që e mori në moshë 50 vjecare, një ditë janari të vitit 1981, i përcjellë për në banesën e fundit me nderime, fjalë lamtumire me vlerësime të larta për punën dhe karakterin e mirë.
Kështu iku në heshtje e si ëngjëll për t`u kujtuar më pas, vazhdimisht nga bashkeshortja, edukatorja e mirë që ka mbajtur në duar me qindra fëmijë në cerdhen e lagjes, nga fëmijtë, të afërmit dhe shoqëria, edhe nga unë, me këto rreshta nderimi e respekti për intelektualin e lagjes.
Fragment i shkeputur nga libri ” Pazari i Vjeter ne kujtimet e mia” te autorit Andon Lula.