in

Thoma Papapano, rilindësi paqedashës që vishej bukur, me kostum dhe borselinë, dimrit me pallton gub që ia kish dërguar Fan Noli nga Amerika

Fragment nga libri per Thoma Papapanon                                                                      i autorit Andon Lula

Viti i parë i pas luftës janar `45 në Gjirokastër hyri me krisma dhe brohërima. Në këtë atmosferë Thoma Papapano ndihej si mbi “gjëmba”po në “sy të botës”shfaqej si më parë; burrë zotëri, i qetë, i menduar,i kujdesshëm, me autoritet e hije.

Vishej bukur, me kostum dhe borselinë, dimrit me pallton gub që ia kish dërguar Fan Noli nga Amerika,ndërsa verës me kostum dok, bezhë, këmishë të bardhë me jak mbi xhaketë. Ndonjë, dhe për shaka, miqësisht e këshillonte të mbante kasketë, në modë për kohën që kishte ardhur.

Kohën, jashtë punës, më shumë se me komente për
politikat e dites, e kalonte tek Ura e Vjetër. Këtu gjuante
me grep me peshkatarët më të dëgjuar të qytetit. Dhe
jo pa arsye: Mendonte se perdja e kohës së tij po binte
dalngadalë. Shihej me sy tjetër, nuk i përmendnin “punët
e para”, kombëtare, edhe pse në sfondin historik të kohës
së shkuar ishte i pranishëm në ngjarje të rëndësishme
në Gjirokastër e larg saj, në Elbasan, Tiranë, Vlorë e
Shkodër, nga viti 1908 e në vazhdim, pjesëmarrës aktiv
në to, për çeljen e shkollës së parë shqipe Liria, shpalljen
e pavarësisë dhe mbështetjen e Shtetit të Pavarur, në
mbrojtje të kufijve të vendit si përfaqësues në kançelaritë
e Europës. Dhe më tej akoma. Në lëvizjen fanoliste
për reforma politiko-demokratike dhe emancipim të
shoqërisë shqiptare, mbështetës e simpatizant i Luftës
Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Ndihej edhe i vetëm. Bashkëkohës ishin larguar
nga vendi ose ishin ndarë nga jeta. Njeri, Vangjel Koça,
publicist, mik i babait, afër dhe me shtëpi, me të cilin
shkëmbente libra ne frëngjisht, nuk rronte më. Atë dhe
Branko Merxhanin, me të cilët në vitet `30 e lart, fliste
për “Neoshqiptarizmin”, si ideatorë të saj, politika e re
i kishte etiketuar zëdhënës të ideolgjisë reaksionare që
synonte ta shkëpuste masën e popullit nga pozitat e luftës
klasore e ta hidhte në pozitat e nacionalizmit borgjez. Në
këto rrethana, më parë, Branko Merxhani ishte larguar
dhe rronte në Turqi, ndërsa Vangjel Koça, në përpjekje
për të lënë vendin, drejt Italisë, ishte mbytur me traget në
ujrat e Adriatikut. Nga jeta ishte ndarë edhe Jorgji Meksi,
një natë dimri, në vetmi, Lefter Dilo, nga një fshat me të,
e kish gjetur pa jetë, pranë vatrës së zjarrit.

Në këtë periudhë, gjendje të rëndë po kalonte Varoshi,
lagjja e tij, lagjja “aristokrate”, me emër dhe opinion të pa
humbur edhe sot. Me zhvillimet e reja, të regjimit komunist,
frika, pasiguria dhe sekuestrimet ishin prezente. Disa,
tregtarë të pasur, kishin lënë dhomat e mira për të ardhurit
nga lufta; kishin mbledhur lëmsh kravatat dhe kapelet
republike, pantallonat me vijë të fortë, kishin fshehur
sahatet e florinjtë; në hështje e pa zë prisnin faturat e majme
qe duhet te paguanin për arkën e shtetit të ri, të tjerë kishin
marrë rrugën, Tiranë e Durrës, tani te arratisur, braktisur
si shtëpitë, ku jeta mungonte. Arrestimin e Thoma Kolës,
me shtëpi përballë, një jetë me hyrje dalje, ndarë nga një
sokak, e përjetoi keq, me dhimbje. Kësaj situate të rënduar
në gjithë lagjen, një poet anonim i bashkëngjiti vargjet:

“Ç`ka Varoshi qe po qan,
E kanë ngritur havadanë,
Me dyshekë e me jorgan,
me tenxhere dhe tigan…”.

Kështu Papapanua, i vetëm, me hap të lehtë, çdo
mëngjes bënte rrugën e përpjetë të Varoshit, nga të dy
anët me dyqane. Në ndonjë edhe pushonte. Shërbehej
akoma tek dyqani i ushqimeve të Minushit, tek furra e
Stathit, tek Gega për kos dhe ëmbëlsira, Teli Mihali dhe
Kotrua për qepje dhe qëndisje, ashtu dhe në Hanin e
Mangës, marangozinë e Nakës por jo tek Hadër Latia.
Zanatçinjtë e tjerë, disa te shoqërisë së dikurshme, të
“opingës”‘, mbështetës të Fan Nolit, në prag falimentimi,
kishin humbur gjallërinë e parë dhe punonin për bukën
e gojës. Ende privatë, te rënduar me taksat, dyfish e më
shumë, që dyqanet e shërbimit të shtetit të ri të kishin
epërsi.
Thomai, djali i Gaqit të Xuhanos, 50 vjet teneqexhi në
zanat të pare po që bënte dhe orëndreqësin, meremetonte
ombrella dhe “nxirrte dhëmballë të prishura”, nga
dyqani kishte hequr reklamën “Tregtar dhe pemëshitës”.
Dikush e kish këshilluar. S`ka më treg të lirë dhe, si
privat, me laps kopjativ, majën e te cilit e lagte me
pështymë, bënte llogaritë e fundit për t`u bashkuar me
të tjerë në ndërmarrjen e shtetit, te sherbimeve. Të tjerë
ishin bashkuar me pare; Vaso Bashari e Tolo Çabeliu
marangozë, Nako Urra që punonte drurin për dyer e
dritare, djepe e tabute, po që ende luante dhe karnavalet
në rolin e kapitenit, Zoto Naçi, berber, ku Papapanua
qethej kare të shtunën e parë të çdo muaji.
Pas mësimit, po në rrugën e Varoshit, në zbritje,
një copë kohë, kthehej nga Kola ku psuniste lakra dhe
fruta të thata, tek Polo Donua sa për ta përshëndetur,
specializuar në Greqi, po pa klientelën e parë, vazhdonte
të qepte këmisha për burra. Nuk shkonte më tek Qirjako
Naçi për ndonjë mellanore, ndërsa tek Pandeli Majko,
ku pushonte një copë kohë, sa të rregullonte ombrellën,
i ishte prerë rruga se ai, pas djalit, në shkollë ushtarake
kishte zënë Tiranën.

Rruga, pa njerëz e gjysem e zbrazët, i dukej më e vogël.
Kështu dyqanet, shtëpite e avllitë, të heshtura. Vetëm
në oborrin e madh të shtëpisë së madhe të Lolo Manit
të pushtuar nga të “ardhurit”, disa, familje ushtarake,ku
flitej ne dialekte te ndryshme, kishte lëvizje. Fëmijët, me
këpucë me sholle dhe opinga luanin luftash, me gropa
dhe shpata.

Përshtypje nuk i bënin më as reklamat në të cilat
ende lexohej ‘’Mallra të cilësisë së lartë”, “Tek ne gjeni
modën e fundit, Parisin, Romen e Londren”. Ndryshe
ca kohë më parë. I lexonte një për një, fjalë për fjalë. E
dinin të gjithë. Nëse gjente ndonjë gabim drejtshkrimor,
i prisheshin sytë e i hipnin “xhindet”. “Hekurat, thoshte,
këta janë për 7 penxheret!”. Në lagjen dikur e qetë ku
çdo njeri ishte në shtepinë dhe punën e vet, shumë gjëra
kishin ndryshuar, flitej më shumë për shpronësime dhe
dhunë. Me ushtarakë dhe ushtarë, mushka të hutuara që
lëviznin të ngarkuara me ushqime e dru, në sfondin gri të
regjimit të ri, ngjante me gazermë.

Këto pamje e situatë e rënduar Papapanos i ngjallnin
trishtim e humbje, ia zbehnin forcën dhe optimizmin
e fillimit. Shumë gjëra mendonte. Politika e re “cenet”i
shkonte në vrimë të gjëlpërës. Etiketimet “aristokrat”,
“borgjez”, që thoshnin disa ekstremistë partiakë, i
shkaktonin mërzi dhe hidhërim, po ai vazhdonte të mbetej
Papapanua i parë, i paangazhuar politikisht dhe i patrazuar
në jetën partiake; të ishte vetvetja, me mendësi e frymë që
ishte rritur e formuar, rilindës, liridashës, me botkuptim
demokratik e kulturë perëndimore, të notonte në “ujrat e
tij“, paqësore, afër jetës atdhetare dhe intelektuale, “larg
politikës”.
Megjithatë në shoqëri të ngushtë shprehej se me
sistemin e ri pak e nga pak po përshtatej dhe se një
shpresë e kishte, se diçka do të ndryshonte në favor të
tij. Disa herë ishte matur t`i shkruante Komandantit,
Enver Hoxhës, ish nxënësit, tani në krye të vendit, po
kish hequr dorë. Një nga miqtë e kish këshilluar: “Shiko
rrotull, ç`bëhet! Pse të shfaqesh i pakënaqur, apo të haçë
ndonjë dhogë!”. Dhe me vete, nën zë, fliste e kujtonte,
intelektualë e miq që e “kishin ngrënë”, disa, nga familje
të mëdha të qytetit, pas vizitës së parë të Enver Hoxhës
në `47 si Aqif Kashahu e Sheraf Karagjozi. Një nga miqtë
e tij, të ngushtë, që e furnizonte me libra, Alizot Emiri,
psh, për një llaf goje, ishte brenda, në “7 penxheret”.

Por me të ndodhi ndryshe, nuk pati fatin e zi të
disa intelektualëve, edhe gjirokastritë, dhe shokë me të
që në mos plumbin hëngrën burgun. Sa rrojti, në vitet
e regjimit të shkuar, mbeti “Papapanua i parë”, bëri
jetë të qetë, në paqe me veten dhe të tjerët; vlerësohej,
siç kujtohet dhe tani, në demokraci, figurë e nderuar e
arsimit shqiptar, me vend të merituar në historiografinë
shqiptare, personalitet i spikatur i arsimit dhe kulturës
sonë kombëtare.
Me porosi të Enver Hoxhës, i caktuan pension të
veçantë dhe, ne gjimnaz, 5 orë në javë të jepte mësimin e
gjuhës shqipe. Ndihej i kënaqur, i mburrur dhe i mbrojtur,
kur i Madhi i dërgoi dhuratë edhe një kostum. Nuk
mbahej. Disa moshatarë u bënë xheloz. Kishte ndodhur
disa vjet më parë, kur Fan Noli nga Amerika i dërgoi një
pallto të madhe gub dhe poeti Ramiz Harxhi, nxitoi t`i
thoshte: “Do t`i shkruaj. E ç`e ka Noli një pallto, një copë
bukë!”.
Sa shkruam “vuajtjet” i takojnë një kohë të shkurtër se
pas viteve `50-të ishte në vëmendje, për mirë, në krye të
trapezit, në të gjitha festat kombëtare, në çdo aktivitet lokal
e me gjerë, fjalëdëgjuar për problemet e arsimit lokal dhe
kombëtar, për ankesat e popullit ndaj të cilave ngrinte zërin
dhe luftonte për zgjidhjen e tyre. I ngarkuar me detyra të
rëndësishme, arriti dhe deputet i Kuvendit Popullor për 4
vjet, u zgjodh në forume qendrore e vendore, u vlerësua
me urdhëra e tituj, edhe Mësues i Popullit.

What do you think?

Written by admin

Sot dhe nesër, RETRO N`SOKAK, “bishat” në Qafë të Pazarit

Dite te mbare me valle treshe ne Qafe te Pazarit te qytetit te Gjirokastres