in

Shkrimtari dhe akademiku Fatos Kongoli ka sot ditelindjen

Matematikan dhe shkrimtar, akademiku Fatos Kongoli ka sot ditën e tij të lindjes.

Akademia e Shkencave uron në ditën e tij të lindjes jetë të gjatë, shëndet e vepra të tjera po kaq të arrira!

Fatos Kongoli lindi në Elbasan më 1944. Studimet e larta për matema¬tikë i nisi në Universitetin e Pekinit dhe i përfundoi në Universitetin e Tiranës (1967). Ka punuar për një kohë si gazetar dhe më pas si redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Filloi të botonte tregime e novela në shtypin letrar nga fundi i v. ’60. Deri në v. 1990 ka botuar vëllimet me tregime “Shqetësime të ngjashme” (1972), “Tregime” (1978), “Të fejuarit” (1982), si dhe romanet “Ne të tre” (1985), “Karuseli” (1990).

Në tregimet dhe novelat e tij të para F.K. përzgjedh “jetët e vogla” njerëzore, duke paraqitur bashkë virtyte dhe cene të individualiteteve të botës shqiptare. Prej v. 1990 priret nga romani: “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë”(1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003, fitues i çmimit “Pena e artë”), “Te porta e Shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh” (2007),”Bolero në vilën e pleqve”(2009). “Iluzione në sirtar”(2010), “Si-do-re-la” (2011),”Njeriu me fat” (2013), “Gjemia e mbytur” (2015) etj.

Me romanet ai thelloi tiparet e individualitetit të vet krijues. Merita e veçantë e tyre është trajtimi i temave të kohës së sotme, paraqitja e njeriut të shoqërisë së hapur me rreziqet që i kanosen, si rreziku riideoogjizues, shpërbërja, shthurja e idealeve, kurdisja e mekanizmave të tjerë të orientimit të njeriut në jetë.

Vepra të tij janë botuar në njëmbëdhjetë gjuhë të huaja, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane. Ka fituar tri herë çmimin “Pena e argjendtë” për librin më të mirë në prozë (1995, 2000, 2002), si dhe çmime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Kalorës i Legjonit të Nderit” (2010) nga Presidenti i Francës, dhe “Mjeshtër i madh”(2012) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Në vitin 2017 është nderuar me titullin Doktor “Honoris Causa” nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.

What do you think?

Written by admin

Foto e rralle, kujtim i bukur per ekipin e Luftetarit ne vitin qe shkelqente!

Zbuloni emrin e nje pjese te kostumit te bukur te Krahines se Lunxherise