Vazhdojnë ndërhyrjet restauruese për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e banesave karakteristike të cilat kanë histori dhe vlerë për qytetin e Gjirokastrës, por dhe për vizitorët.
Punonjësit e mirëmbajtjes së DRKK Gjirokastër së fundmi kanë ndërhyrë në banesën “Vebiu” në lagjen “Pazari i Vjetër” (monument kategori e ll) e cila kishte probleme me sprethin në pjesën ballore të saj.
Duke qenë se kjo banesë ka vlera kulturore si dhe është në një pjesë të dukshme punonjësit e DRKK-së ndërhynë për ta kthyer në origjinalitet.
Banesat e Gjirokastrës janë një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.
Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore. /ATSH/