in

Refleksion rreth librit autobiografik”Udhëtim mes yjesh” të Dhimitër Gjokës-Nga Aleksandër Çipa

Kur shfaqen thinjat në krye të njeriut, në atë çast, nxjerr sy meditimi për vetveten; për të shkuarën tënde, për kohën dhe veçanërisht për gjurmën tënde në vjetët e kalimit fizik të jetës. Kjo është një histori sjelljeje e qëmotshme prej njerëzimit.

Gjithsesi edhe pse, gurët e rërës apo zallit në det, janë në ngjashmëri, ata janë të veçantë :pa përsëdytje. Personalitetet e komunikimit janë një rrallësi e bukur njerëzore. Ata janë estetët praktikë të fjalës, komunikimit dhe ligjërimit publik. Gjurma e tyre mbetet tek kujtesa dhe shkon më tej, në ndërgjegjen e individëve të disa gjeneratave, për gjuhën amtare, dhe përdorimin e saj. Ata janë indoktrinues të çmuar të rishtarëve në këtë fushë.

Dhimitër Gjoka është një prej këtyre personaliteteve. I shfaqur dhe i madhuar si i tillë, jo prej teksteve të shumta apo prej peshës specifike të fjalës autoriale, por prej gjuhëfoljes, prej gjuhë shqiptimit, prej fjalë thënies aq bukur, prej zërit, të cilin ia fali natyra dhe e vetëkultivoi e mbrojti si askush. Në këtë pikëpamje, nëse tenton ta karakterizosh këtë personalitet të shqipe-artikulimit, mund ta quash thjesht: Njeriu shqipe-bukur.

Një ndër investimet më të pakontestueshme të medias audiovizive, (dje shtetërore, sot publike jo plotësisht(RTVPSH) në Shqipëri, është shkolla e shqiptimit dhe përdorimit të fjalës dhe gjuhës shqipe. Mjafton ta përmendësh Dhimitër Gjokën dhe ia ke dalë të bindësh dhe sidoqoftë, të arrish mirëkuptimin me shumë palë, me shumë grupe dhe madje dhe me fanatikë dialektesh dhe mbrojtës fisnikë të të folmeve nëndialektore.

Dhimitër Gjoka është një moderator ikonik për komunikimin publik përmes shqipes. Dekada të tëra të jetës së vet i udhëtoi duke qenë zë i parë i moderimit (spikerimit) të edicioneve informative në median më jetëgjatë të Shqipërisë, RTVSH dhe pas viteve ’90-të, në shumicën e ekraneve të tjera me ndikim në skenën mediatike të vendit. Jeta e tij ka në qendër dhe në masën kryesore të investimit, pikërisht këtë lloj komunikimi. Zëri i tij, mbart vlerën zanore, timbrin kumbues prej shqipeje, melodiozitetin dhe thellësinë zanues si prej deti dhe në mënyrë të veçantë, korrektesën artikuluese të mprehtë dhe të qashtër si gjiri më i kaltër i detit dhe shpati më i mprehtë i bregut.

Nuk përbën rastësi, por shfaqet si vijimësi që një pjesë tepër e konsiderueshme e artistëve të shquar të aktrimit, moderimit televiziv dhe komunikimeve publike në Shqipëri, shkurt: shumë personalitete të ligjërimit shqiptar, i përkasin dhe vijnë prej entitetit himariot dhe viseve akrokeraunike të Brigjeve të Vetëtimave. Mjafton një përmendje, jo listuese, për ta ndihmuar kujtesën e publikut, (lexuesit): Robert Ndrenika, Anastas Kristofori, Andon Qesari, Liza Laska, Kiço Fotiadhi, Dhimitër Gjoka, Petro Lati, Ilir Paço, etj, etj.( Ndjesë për listën e paplotë të të cilësishmëve!).

Kjo mund të përbëjë një ngasje për studim antropolinguistik dhe antropovokal që mishërohet në të folmen publike dhe atë artistiko-mediatike në mënyrë të veçantë prej kësaj bashkësie që ka për vend-origjine, Himarën dhe viset e saj.
Por libri autobiografik i Dhimitër Gjokës, ”Udhëtim mes yjesh”, hedhur këto ditë në qarkullim prej entit botues “Bota Shqiptare”, ofron një “shtëpi” me materie fjale të pasur rrëfimi, me shumë interiere, shumësi personalitetesh dhe emra potentë- bashkëudhëtarë të autorit-kryepersonash.

Eshtë shumëçka për jetën e një artisti dhe interpreti. Një libër- guidë e thjeshtë, por e pasur emrash, skenash, mjedisesh, institucionesh, artistësh dhe gjigandësh të shqipe-thënies dhe shqipe-folmes.
Në katërmbëdhjetë kapituj, si tregime të një gjuhe rrjedhëse dhe me ngarkesë të plotë faktesh, detajesh, vendesh, ngjarjesh, episodesh, të thënash, dialogjesh, monologjesh dhe sidomos rrethansh, si lexues, përpin dijeninë për jetën e një artisti, i cili si i tillë, hyri në rrugën e shkollimit profesional dhe vijoi e devijoi, duke krijuar portretin pa cungime, të të hijshmit të përherëshëm, të fjalës dhe komunikimit në skenë dhe ekran.

Në tri qendra urbane, ku u kalua jeta vetiake, familjare dhe profesionale e Dhimitër Gjokës; në Himarë, Vlorë dhe Tiranë, zhvillohen episode pa përsëritje. Aty copëzohet pa ndarje, hijshëm dhe kuptimësisht, një jetë e pasur dhe me kontraste të fuqishme.

Në këto hise atipike të jetës së vet, autori preferon të rrëfejë pasazhe dhe episode me kuptimësi dhe simbolikë ndikuese, formuese dhe madhimi. Marrëdhënia e tij me Papu Mimin, në aq detaje të shtyn në shëmbëllimet imagjinare me letërsinë e Kazanzaqisit (unë gjeta në leximin tim reminishenca mes Kapedan Mihalit dhe gjyshit të Dhimitrit, peshkatarin dhe himariotin e lexuar, papu Mimin!) Sikundër të le shijen e jetës së artistëve dhe marrëdhënies së tyre prej të pazakontësh, fragmenti i tregimeve dhe rrëfenjave me emra dhe personalitete dominante të regjistë, skenës dhe TVSH-së në Shqipërinë e pesë dekadave të fundit. Por atipik është edhe ngazëllimi i të madhit Robert Ndrenika kur në cilësinë e anëtarit të jurisë në Akademinë e Arteve, kur parathotë suksesin e Dhimitrit si kandidat fitues për në shkollën e aktrimit në Tiranë.

Jeta e Dhimitër Gjokës ka pasur dy pista; atë të artit, aktrimit-regjisë dhe atë të moderatorit skenik dhe televiziv. Eshtë një udhëtim i gjatë kohor në këto dy pista. Një rrugë jo me zigzake të forta, por me një tej-zgjatje që do ta kishte zili të bukur shumëkush si bashkëkohës dhe pasardhës që i bie jeta dhe fati, në këto dy fusha.
Libri për veten, pra për jetën dhe udhëtimin me shumë stacione, për karrierën e Dhimitër Gjokës, përbën një rast të këndshëm për këtë lloj memorialistike profesionale në publicistikën dhe komunikimin publik e mediatik shqiptar. Eshtë një shkrimtari pa nuanca dhe ngjyrime të forta stilistikore, por me një rrjedhshmëri dhe ndoshta drunjtësi evidente që ndih, për ta marrë brendinë dhe kuptimin vetërrëfyes në vërtetësi maksimale.

Besnikëria faktologjike dhe sidomos, adresimi jo vetëm kohor dhe kronik, por edhe në mikromjedise profesionale dhe redaksionale, të shtyjnë ta çmosh librin autobiografik të Dhimitër Gjokës si një version pa zbukurime të historisë së fjalës dhe imazhit në ekranin shqiptar, të marrëdhënies mes skenës dhe ekranit, të redaksive informative dhe llojeve të televizioneve shqiptare matanë 1990 dhe deri në ditën e sotme.

Në rrëfimin autobiografik, tek libri i jetës vetiake dhe asaj me bashkëudhëtarë, Dhimitri nuk e humb modestinë për dhuntinë e vet, zërin natyral të tij. Ai është shumë e shumë më tepër bujar, për zërat dhe personalitetet e komunikimit shqiptar në kohën e tij.

Në këtë kohë karriere dhe profesionale që rezulton realisht e gjatë dhe bukurisht pa sinorë, por me vija të rreme ndërprerjeje nëpër media, si mirazhi i vijës së horizontit, në det.

What do you think?

Written by admin

Kujtese/ Foto e ralle, Matura D 1977 e gjimnazit Asim Zeneli e Gjirokastres

Prof. Dr. Tritan Kalo”Qytetar Nderi” i Gjirokastres