in

Nje lajm i trishte, ndahet nga jeta regjisori i shquar i filmave  kinematografike, i ndrituri Kristaq Dhamo

Nje lajm i trishte, nga ato lajme qe te dhembin ne zemer, per gjithe kineastet dhe boten e artit dhe kultures shqiptare, mesusesi i te gjitheve, miku i shtrenjte, regjisori i shquar i filmave  kinematografike, i ndrituri Kristaq Dhamo, nuk do te jete me midis nesh, u nis drejt lartesive qiellore!

Ai do te mbetet perhere njeriu me i veçante i vlerave intelektuale dhe i virtyteve njerezore, qe patem fatin te njihnim, te mesonim dhe perfitonim ne Kinostudion tone!

I rralle si askush, i mire tej se mires dhe per shumeçka tjeter qe perfshihet ne emrin e tij, keshtu do te mbetet ne kujtesen tone, miku i dashur dhe themeluesi i Kinostudios, “Artisti i Popullit”, Kristaq Dhamo.

Drite emrit te tij dhe u prehte ne paqe!- shkruan ne faqen e saj ne fb poetja Vllasova Musta.

Po kush është Kristaq Dhamo?

U lind më 20 prill 1933, në Libofshë të rrethit të Fierit, në një familje të mirënjohur për kontribut atdhetar. Në 1952 mbaroi liceun artistik “Jordan Misja”, në degën e dramaturgjisë. Ai është i vetmi nxënës në historinë e këtij Liceu, që mbrojti diplomën me vënien në skenë të pjesës “Dëftesa e pjekurisë” të autorit sovjetik K. Simonov, e cila u shfaq disa herë në Teatrin Popullor. Në të interpretuan për herë të parë P. Mani, K. Spahivogli, E. Oktrova, M. Luarasi e të tjerë, që, më vonë, do të bëheshin figura të shquara të skenës shqiptare. Në vitet 1952 – 1956 Kristaq Dhamo ndoqi studimet në Budapest të Hungarisë për regjisurë filmi në Institutin e Lartë të Teatrit dhe të Kinematografisë. Në qershor 1956 nisi, si punë diplome, xhirimin e filmit artistik “Histori dashurie”.  Për fat të keq, u arrit të xhiroheshin vetëm nëntë minuta, sepse, pas ngjarjeve të revolucionit hungarez të tetorit 1956, Qeveria shqiptare nuk e lejoi qëndrimin e mëtejshëm të këtij studenti në Hungari. Një muaj mbas kthimit prej Budapestit, pikërisht më 18 dhjetor 1956 Kristaq Dhamo emërohet regjisor në Kinostudion “Shqipëria e re”. Më 1 qershor 1957 fillon xhirimin e filmit të parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë “Tana”, me skenar të Fatmir Gjatës, Nasho Jorgaqit e të vet Kristaqit. Filmi mbaron së xhiruari në nëntor të po atij viti, domethënë brenda gjashtë muajve! Mirëpo… në rrethana krejt misterioze zhduket negativi dhe pozitivi origjinal i montuar! Ajo çka shikohet sot, sipas Dhamos, nuk është tjetër, veçse një rimontim i materialit të cilësuar si i pavlefshëm në variantin e parë, me disa episode shtesë, të kërkuara këto nga instancat partiake, për ta bërë filmin “sa me realist”! Filmi “Tana” ka hyrë në historinë e filmit shqiptar edhe si vepra e parë artistike me metrazh të gjatë.

Në vazhdim të punës si regjisor, Kristaq Dhamo është autor i disa filmave. Më 1959, në bashkëregji me sovjetikun J. Ozerov, xhirojnë bashkëprodhimin sovjeto – shqiptar “Furtuna”. Më pas do të xhiroheshin dokumentarët “Ne u dashuruam me Shqipërinë” (1959) dhe “Asambli i Këngëve dhe i Valleve” (1960), realizuar këta në bashkëpunim me G. Erebarën, me të cilat nis edhe krijimtaria kinematografike e suksesshme e këtij të fundit.

Në vitin 1963 realizoi filmin “Detyrë e posaçme”, për të arritur më 1965 te filmi “Vitet e para”, vlerësuar me çmimin e Republikës të klasit II dhe me Diplomë Nderi në festivalin e parë të Filmit Ballkanik në Varna (Bullgari, 1965) për “regjinë e skenave masive me vërtetësi kronikale”. Veprimtarinë artistike e vazhdon me dokumentarin “Ata nuk vdesin” (1966) me bashkëskenarist P. Dadon. Po me P. Dadon si bashkëskenarist, më 1969 realizohet filmi “Gjurma”, që shfaqet më 1970, pas një kalvari të gjatë korrigjimesh, rezultat i asaj fryme që kishte të bënte me luftën kundër dukurive të huaja në art e kulturë?! Ripunimeve të theksuara iu nënshtrua edhe filmi “Brazdat”. Fatmirësisht, në arkiv ruhet i plotë varianti origjinal. Dy vjet më parë qe xhiruar filmi “Mëngjese lufte”, një ndër krijimet filmike më të arrira me temën e fëmijëve gjatë Luftës. Më pas vijnë filmat “Nga mesi i errësirës” – vlerësuar me çmim “Për regjinë më të mirë” në festivalin e filmit shqiptar 1979, “Qortimet e vjeshtës” – vlerësuar me çmim të dytë në festivalin e 5-të të Filmit Artistik (1983), “Vendimi” – i vlerësuar me çmimin e dytë në festivalin e 6-të të Filmit (1985) dhe “Botë e padukshme”, që cilësohet si filmi më i mirë i vitit 1987 dhe nderohet me Çmimin “Aleksandër Moisiu”.

Pa u zgjatur shumë për mjeshtrin e shquar, i cili nga kritika, kolegët regjisorë e aktorë është cilësuar si një kineast me interesa të gjëra intelektuale, njohës mjaft i mirë i gjuhës filmike, kërkues në punën krijuese me aktorin, sqimatar dhe i kujdesshëm maksimalisht me montazhin, etj. Në tërësi kjo krijimtari shquhet për vërtetësi e realizëm artistik në pasqyrimin e atmosferës së kohës, të cilën e arrin përmes paraqitjes realiste të mjedisit sendor – figurativ me atë të marrëdhënieve njerëzore.

Meritë të madhe K. Dhamo ka si udhëheqës artistik i Kinostudios për një kohë të gjatë (1973 – 1981) dhe 1984 – 1992, si iniciues dhe drejtues artistik e pedagogjik i studios artistike (1973) dhe i kurseve pasuniversitare (1974 – 1992), Kristaq Dhamo ka dhënë një ndihmesë tejet të veçantë në përgatitjen dhe formimin e artistëve të rinj, që, me kalimin e kohës, u bënë personalitete të mirënjohura në fushën e artit filmik.  Ka qenë nismëtar i organizimit të Festivalit të Filmit Shqiptar dhe drejtuesi i tyre që nga i pari (1976) dhe deri më 1991. Paralelisht me këto detyra, ka udhëhequr mbrojtje diplomash për probleme të dramaturgjisë kinematografike, sikurse ka shkruar mjaft artikuj e studime për probleme të kinemasë.

Në 1979 Kristaq Dhamos i jepet titulli “Artist i Merituar”, ndërsa në vitin 1982 i jepet titulli më i lartë: “Artist i Popullit”.

/Nga Flori Saltina/

What do you think?

Written by admin

Erion Veliaj i jep Sevo Tarifës, në 95 vjetorin e lindjes, “Medaljen e Mirënjohjes”

Deputetët më të vjetër që kanë çelur mbledhjet e para të parlamentit shqiptar- Nga Kastriot Dervishi