Nga krijimtaria e shkrimtares disidente Musine Kokalari shkeputem kete proze te shkelqyer me titull “Mos qofshin vjehrrat e zeza”, botuar ne librin “Siç më thotë nënua plakë”.
Eh! që më hangri, që s’i pushoi birbili. Nuk durohet dhe kjo, s’kam parë asnjë ditë të bardhë, që kur kam kallur këmbët në këtë të zezë gërmadhë – qahej Durijeja per vjehrrën e saj Fatimenë. A ma! nuk i dilet dhe kështu, më mori shpirtin, me hangri me gërnjë. dhe unë s’jam e pakë, e do, e kërkon si breshka tek nallbani. I hanë hundët zonjës, s’i kam ndonjë fal, me burrë zihet, me mua kren. Jo, jo xhiko, i thashë dhe këtij (burrit), ja ta bieç në udhë, ja nuk di se ç’kam për të bërë. Nuk shkohet dhe kështu, dua të bëj dhe unë si dua, jam dhe unë nikoqire ne shtëpinë t’ime, vajta katër vjet martuar. S’lë gjë pa mbillur, s’lë zahar e kafe ne shesh; pse i mban hapset në mes, e pse më turpëron në si të shoqeve?
Kokën dhe ti se më plase buzën, që kur linde, me hangre me shëndet, gjithënjë sëmurë, më more shpirtin. C’ke? Për të pirë te dhaçë, hë!, mbilli sitë! hë! vuvosu se i fola gogolit.
C’ka, do të më vijë dhe motër Neslija, te flasim di fjalë radha, do t’ja them të tëra, të më dalë kjo xhumbë që më ka zënë në grikë. Sa të mbaroj dhe punët e të ndreq xhurapet, se më janë bërë juk. Sot do te prëhemi se jemi dhe vetëm, se e theu qafën, ka vajtur tek vajza, që mos u-ktheftë, dhëntë Zoti!
Një këmbë tek djepi, një këmbë tek puna, sa i mbaroi të gjitha. Ishte në shesh, kur i erdhi motra me gjak të ngrirë.
Erdha moj të keqen, i thotë, më ngrite mënden, thaçë se do të të gjeja sëmurë. Kam bërë punët si e marrë, ca prapa e ca përpara. C’ke, ç’të gjeti, pse më thirre? Të ë pjes për vehten t’ënde, je shëndosh’ e mirë? Ke njeri te sëmurë apo jo? Si u-gdhitë, të gjithe mirë? Muharemi erdhi nga dhëntë, se pashë shollët përposh? Seferin e zuri gjë barku? Teto Fatimenë si e ke, se nuk e shoh nëpër këmbë?
– Kurrë mos e paç, e ka thier, ka vajtur tek Neslija. Tha qe do të kthehet për darkë, po s’e besoj, se kur vete atje mbetet, s’kujtohet te vijë këtej, më një e ha ne golë, q’e hangërtë pjekur.
Ja për këtë te thirra. Dua të ta thom bram në si. Dua t’i ndaj lakrat nje herë e për gjithënjë. Të kisha thënë, moj motër, që mbas një jave të martesës, që kjo shtëpi s’është për mua, që keto mure nuk më mbajne brenda. I njoha ç’njerëz ishin, që ditët e para. Mos t’i zëmë në golë të shkuarat, se më hipin gjakun në kokë dhe bëhem tërë e marrë, po kur nuk i thahet gjuha, une s’kam se ç’t’i bëj. Ta kam thënë e ta thom, ja ajo, ja unë ne kete shtepi, i thaçë dhe ketij qe t’ja mbledhë frenë, po me tha mos ja vur re, se eshte plakë, pastaj nënë, nuk ndrohet. Vërtet nënë, po jo dhe kështu, unë nuk i kam ndonjë borxh t’ja duroj vickat. Një herë, di herë, dhjetë herë, po me tepër nuk vete. Thuaj-me moj moter jane te mira keto, te degjohemi gjithënjë, u-bëmë me gjisht. Ajo e ka ngrënë turpen me buke, po unë s’e bëj atë gjë. Shtriga, i djegtë Zoti zemrën, ashtu si më dogji mua nusërinë. Nuk më la një herë te bëja si shoqet, te dilja si ato. S’kam kapërxier pragun e derës, s’kam vatur as në një dasmë, s’kam veshur asnjë herë robat, m’u grisnë në sepet. U pupu! ç’i bera e pse s’rine të zezat plaka, u kruspullofshin, e gjefçin nga Perendia!
– He, he, mblidhe veten, se te gjitha keshtu kemi hequr, s’je as e para, as e fundit. Mblidhe mënden në kokë, hap sitë se s’je e vogël, është turp se u bëre nënë me di fëmilë. Njeriu dëgjon të madhin, te gjithe gabohemi nga nje here, jo atire qe u-shkoi dhe mosha. Njeriu bën sinë e verbër dhe veshin e shurdhër; se pak me punuan mua nëna me vajzat. Gëk, s’nxora fjalë nga gola, nuk zbertheva buzët. Hë, nuk e di që në shtëpin e babait janë si lumi, e me se do te mbaheç atje? Lërna moj, babanë e ke plak, mos i nxi pleqërine, e ç’ke me të. E ç’ke, nuk sheh nënën, q’i mbeti kaq surati? S’janë të mira të degjoheç gjithnjë në botë. Pse nuk na le me skamël dhe me mortje qe na shoi derën e babajt, dhe ja dhe ti me të tutë. Të thom se të kam motër, të qërtoj se të dua si shpirti, më ther dhe mua. Për Baba-Ali, s’më zihet as puna, as buka, me janë prerë duar e këmbë, nga to e ma ta ato.
– Fët, fët moj Nesli, unë kaqe di, kaqe të thom se njeri nuk mbaj vesh. Më mirë një krodhe bukë dhe e qetë. Do të hedh torvën ne sup dhe do të lip, do të punoj me duart e mija ne diert e botës dhe do të mbaj vehten dhe djalin dhe nuk do të vdes; se ç’ka pësuar kjo botë e tërë? Po ç’ka me mua, ç’i bera? çdo gjë që më thotë ja bej. Njerës jemi, gjithë diten këputemi së punuari. Ngriti shtëpinë në kembe dje ne te kote, se nuk u ngrita shume shpejt. Nje ditezaj, si do qe isha me ethe, lava kemishët, më vanë shpatullat, u lodha aqe shumë sa s’m’u hanger as bukë-darka. Rashë si kopan në shesh, m’u mbillnë sitë, dhash’ e mora, po nuk më hapeshin. Gjithë natën më qajti Seferi, ki po u-vonua si nga nata. Kur erdhi qe bere xurxull, sa e ndreqa, sa e shkretova, iku koha. Nuk fjeta fare, dhe me gith’ atë, kur u-ngrita nuk kish lerë mirë dielli. Kur xërmova shkallat, e dëgjova që mërmëriste me vehte: “u-përmbisçin të zezat nuse, vafçin prapa diellit që s’kanë turp ngrihen në mes të ditës, nuk kujtohen, sikur janë foshnje. Dalin nga odaja e burrit, i sheh gjithe shtëpija dhe s’e kanë për gjë. Në kohën tonë s’kishim ku të futeshim, ngriheshim që pa gdhirë, na zinte gjumi në mengjes ku ati, ku këtu. Nuset e sotme, që magjepsën burrat, i bënë me vehte. Të tërbuarat, s’kanë mënden në punë”.
Unë moj motër i dëgjova të tëra, nuk fola, mbruva bukën dhe e dërgova në furë, lava enet, kur ja nuk mbarojti me kaqe. Qe kthier pisusi i kafese, nisi prape nga e para: “i u-thafçin duart gjer në rëzë, ë’është ki i zi kucur qe me zuri derën! U thafçin ato barqe qe nxjerrin të tilla vajza”, e të tjera e të tjera.
U-mbush qelqi dhe u-derth, ma pruri shpirtin ne male te hundes, nuk m’u mbajt me, ja ktheva, i thace te larat e te palarat. I thace te mbante golën, se ata jane që kanë bërë të nëntëdhjet’ e nëntat, që kanë hirë në golë te burrërisë. U di koka shumë, pandehin se jemi mëndje-shkurtëra.
U-grimë, fol ajo e fol unë, një ajo e dhjetë unë. Erdhi vjehri, hiri në mes, na foli me të mirë, me të keq, uluriti, tha se do të mirrte drurin dhe te na nxirrte jashtë të dijave. Unë si më e vogël u-hoqa më nj’ane, u-futa n’oda. Dridhesha e tëra, thaçë se do të më binte ndonjë gjë. Më kërcente zemra si pulë, më pushuan navzet dhe një të shtrire bëra. Nuk dëgjova gjë prapa se ç’u-bë. Dhanë e muarnë nuk më përmendën dot, ki po nuk afrohesh, se nuk iu dilte perpara. Erdhi teto Nefiseja me kokë zbuluar, me hodhi një gjim me ujë, më bëri gllëç. Me zi mora frimë, Tër atë kohë që hapa sitë e pashë Seferin që karkallosej, një të ngritur bëra dhe e rrëmbeva në krahëror, i dhashë të pinte. Qe bërë pis i zi. Ajo nga ana tjetër ferexhenë në kokë e tek vajza.
Si të duken, e kush e kish falin? C’i bëra, pse më prishi gjakun, pse më bëri gjismë njeri? Si s’i gjen gjë, u bënë recka nga një qint vjeç dhe s’munt te vdesin. Mbeten per bark te kalbet, u damllostë, dhëntë Zoti, e zëntë qoshenë, i martë dorën dhe golën, pa qeveritë ja bëj, po t’i pushojë një herë gola. U përmbisçin e mos qofshin vjehrat e zeza!
Cëngër, cëngër cfakat-o
U-asdisnë plakat-o
Plakat-o zakon-këqija
Raft’ e i zëntë shtëpija
Oxhaku e buharija.
Shkrimtaria disidente Musine Kokalari- Lindi më 10 Shkurt 1917 në Adana, Turqi, vdiq në internim më 13 Gushat 1983, në Rrëshen-