Miranda Içi eshte nga lagjja Cfake e Gjirokastres. Ajo per faqen tone na ka derguar nje shkrim per gjyshin e saj, Idriz Içi.Po e percjellim edhe per ju:
Shumë pak di për të. Lindi ne lagjen Cfakeme 1886 dhe u nda nga jeta me 1946. Një pjesë të jetës dhe arsimimit e kaloi në Janinë, ku jetonin dhe punonin burrat e shtëpisë .Kishin marrë me të tretë toka , ullishte dhe pemë frutore dhe rronin mire.
U martua në 1911 me një vajzë nga familje me emër Roqanjt.
Për 15 vjet rresht fati i dënoi të mos kenë fëmijë.E donte dhe e kuptonte gruan e tij me trupin mbetur beronjë edhe se ishte djalë i vetëm dhe duhej trashëguar emri sipas atyre që e rrethonin.I fort edhe i duruar deri sa im atë i pari që mbijetoi erdhi në jetë në 1926 duke u pasuar nga dy djem dhe një vajzë .
I punësuar si sekretar prefekture në Gjirokastër në kohën e Zogut ku me rrogën e tij mbante tre familje , të vetën dhe dy motrat me fëmijët jetimë.
Disa vite punoi si kryetar komune në Martanesh të Elbasanit ku u njoh nga afër me baba Fajën.
Copëza tregimesh që kanë ushqyer kureshtjen dhe fantazinë time fëmijë , sa herë ndalesha para fotos së vetme që ishte në shtëpinë e xhaxha Hysenit.
Qëndroja gjatë para asaj fotoje , duke u munduar të futem brenda atij vështrimi .Të di më shumë , të ndiej përkëdheljet, të mrekullohem nga tregimet e tij .Të imagjinoj zërin e tij . Iku kur ishte vetëm 60 vjeç , sepse nuk u gjend një ilaç që mund t’i shpëtonte jetën . Ishte janar i 1946 , kohët ishin të vështira. Më të vështira u bënë për gjyshen time dhe katër fëmijët që la pas , kur më e vogla hallë Teuta ishte 6 vjeç.Kur tim atë asokohe 20 vjeç dhe xhaxhain i dërguan së bashku të kryenin shërbimin ushtarak tre vjet në Korçë.
Ai ishte i zgjuar , i ditur , i shkolluar.Ata që e kanë njohur kanë ngelur shumë pak tashmë. E magjithatë emri i tij jeton dhe do të jetojë bashkë me ne pasardhësit e tij.