in

Libohova,kur ne majen e malit Bureto ka jete

Nga Vangjel Shumeli

Hiking dhe alpinizmi janë sporte që vitet e fundit janë kthyer në trend dhe promotore të turizmit malor në vendin tonë. Tashmë ky sport po merr hov dhe në një qytet të vogël por me shpirt të madh siç është Libohova. Gjithçka nisi para 4 vitesh kur dy të rinj libohovite morën çantat e shpinës dhe ngjiten malin e Buretos. Kështu e kujton atë moment njëri prej tyre Agush Hide:

“Kjo iniciativë nisi thjesht duke na shtyrë kureshtja për të ditur se çfarë ka pasur pas atij apo këtij mali. Kurioziteti ishte i madh për të parë se si dukej nga lart qyteza jonë. Këto dhe shume kureshtje të tjera më bënë mua dhe Sotir Kaçin të merrnim çantat e shpinës dhe të ngjisnim malin e Buretos.”

Ngjitja e parë siç shprehet Agushi u ka lënë emocione mbresëlënëse dhe u ka falur kënaqësi. Sipas tij kjo ecje ishte pak e lodhshme dhe mbi të gjitha sfidë. Ishte ndërkohë ndjesi e çuditshme pasi nuk e kishin provuar kurrë më parë. “Adrenalina që na mbërtheu kur arritëm në majën e Buretos na bëri të mendonim menjëherë për ngjitjen e malit tjetër”, shtoi Agushi.

Me pas gradualisht duke publikuar aktivitetin në rrjetë sociale u bashkëngjitën dhe të tjerë përfshirë të afërm dhe miqtë të cilët shprehen dëshirën duke zhvilluar organizime për ngjitje në male. Kështu nisi themelimi i grupimit “Libohova Hiking”.

Kjo nisi si pasion dhe hobi me pas e morën seriozisht duke bërë jehonë në gjithë qarkun e Gjirokastrës. Aktiviteti i tyre ka krijuar kuriozitet të lartë të libohovitet, këtë iniciativë siç u përmend më lart e nisën me dy veta, Agushi dhe Sotiri dhe aktualisht numërohen ne rreth 25 të tillë. Siç pohon Hide, tashmë drejtuesi i këtij grupi jo në çdo ngjitje bëhen të gjithë bashkë për shkak të preokupimeve të ndryshme për gjithsecilin pjesëtar. Lidhur me organizimet e ngjitjet e fundit shprehet me pasion se janë po aq të bukura dhe kane veçantinë e tyre por faktor për ecurinë e tyre është përgjegjësia për grupin dhe se ndryshojnë krahasuar me ngjitjet e para. Për 35 vjeçarin Hide hikingu ndikon pozitivisht në gjendjen fizike dhe psikologjike të njeriut,f aktor që e bën më tërheqës këtë sport. Ai gjatë rrëfimit kujton eksperiencat më të bukura gjatë këtyre organizimeve duke renditur ngjitjen në Malin e Cikës e ngritjen e çadrave në fshatin Palase pranverën e kaluar dhe udhëtimi dy ditor prej 40 km ecje në këmbë nga fshati Suhe drejt Përmetit duke eksploruar zonën e Zagorisë. Sipas Agushit janë eksperienca që do mbeten në memorien e të gjithëve.

Ajo ç’ka e bën të veçantë dhe atraktive këto dy evente ishte gërshetimi i hiking me camping-un. Grupimi “Libohova Hiking” ka si perspektiva në të ardhmen bashkëpunimin me guida të ndryshme turistike si dhe shoqata të tjera hiking për të zhvilluar evente më të zgjeruara me qëllim promovimin e resurseve që servir zona e Libohovës dhe asete që Nëna Natyrë i ka falur pasi i ka të gjitha mundësitë për t’u zhvilluar turizmi malor. Agushi lidhur me këtë pjesë citon se “Libohova i ka te gjitha mundësitë dhe kushtet natyrore jo vetëm për hiking por edhe për drejtime të tjera që mund t’i japin zhvillim turizmit në Libohovë. Do ta quaja veten me fat që jam në Libohove ku shtrihemi rrëze Buretos, mburremi me kalanë, me rrapin shumë shekullor, Kishen e Labovës së Kryqit, Teqenë e Melanit, gatimet tradicionale e shumë të tjera të cilat e bëjnë më së miri një paketë turistike shumë të mirë.”. Pritshmëritë dhe projektet e aktiviteteve për vitin 2022 prej këtij grupi janë të larta. Ata të fundit synojnë të eksplorojnë dhe të ngjisin disa maja malesh në zonat e jugut dhe Shqipërisë se Mesme. Drejtuesi Hide ka dëshirë të madhe siç shprehet gjatë bashkëbisedimit të ngjisë malin e Tomorit në të ardhmen e afërt si dhe kanë në plan për një udhëtim dy ditor në Majën e Jezercës duke eksploruar bukuritë që ofrojnë Alpet Shqiptare. Agushi në përfundim të bisedës tonë jep apel për bashkëmoshataret e tij për hiking duke cituar se jo vetëm të rinjtë po gjithkush që ka mundësi dhe dëshirë për të ecur duhet që ta bëjë. Shumë të rinj e konsiderojnë të dielën si një ditë për të fjetur vetëm gjumë, por jo. Po ju them të gjithë djemve dhe vajzave që një e diel në mal mund të jetë shumë herë me shplodhëse dhe produktive sesa qëndrimi në kafene apo i fjeturi gjumë me orë të tëra.

Eksplorimi dhe ecja në natyrë është jo vetëm përmirësim në fuqinë fizike dhe psikologjike,është mbi të gjitha zgjerim horizonti se mëson eksperienca të reja për asetet që mbart vendi jonë të cilat janë të panumërta. Kjo bisedë frytdhënëse dhe inspiruese me Agushin më ka nxitur dëshirën dhe më ka ngacmuar kuriozitetin për të mësuar më shumë rreth hiking dhe zonat malore që mbart rajoni i Gjirokastrës pasi shquhet në këtë aspekt dhe ka larmishmëri gjeografike. Falë hiking dhe dëshires, vullnetit dhe energjisë së pashtershme të të rinjve për aventura eksploruese shtigjet, monopatet dhe majat e maleve po marrin jetë duke jehuar anë e mbanë. Ai grup është shembull për këdo që do të zbulojë gjëra të reja për natyrën, historinë dhe gjurmët që janë lënë nëpër male gjatë kalimit të viteve. Çdo gjurmë ka kronologjinë e vetë dhe kjo gjë e shton më tepër këtë kuriozitet. Është shansi për t’a shfrytëzuar. Mos e humb, është në dobi të të gjithëve.

Nga gazeta DITA

What do you think?

Written by admin

Per nusen lunxhote: Nuse zinxhiri kordhele/ Erdhe nuse përkëdhele/Për në portë, e në penxhere

Eshte ndare nga jeta ne moshen 85 vjeçare Kadrie Kadare motra e shkrimtarit te madh Ismail Kadare