in

“Shqeto të rreme” që bënte nëna selciote e Koço Moskos. A ka ndonjë dallim nga shqeto e Gjirokastrës?

Sheto Lunxhi ne kujtimet e Koço Moskos

Nga fëmijëria më kujtohet se mbrëmjeve në fshatin tim të lindjes burrat mblidheshin aty nga qendra e fshatit duke biseduar për punët, problemet e fshatit deri të atyre të politikës ndërkombëtare. Gratë dhe vajzat mblidheshin së toku në lëminjtë apo sofatë e portave dhe bizedonin për punët e tyre duke bërë edhe ndonjë thashethem, por njëkohësish duke menduar dhe se çfar do të gatuanin për darkë. Kjo barrë u binte gjithmonë atyre. Gjate verës kur fshati popullohej nga mysafirët e shumtë, të ardhurit nga qytetet, kjo sëkëlldi bëhej edhe më e madhe.

Nëna nganjëherë para se të shkonte në këto kuvende kalonte nga kopshti, që e kishim pranë shtëpisë, mblidhte një dorë me majdanoz dhe e lante tek çezma. Kur e pyesnin shoqet e saj se çfar kishte ndërmend të gatuante për darkë, ajo e kishte në majë të gjuhës përgjigjen:

– Shqeto të rreme.

Në atë kohë unë e mendoja se këtë shqeton e rreme vetëm nëna ime dinte ta gatuante dhe majdanozin në kopësht e mbillte vetëm për të gatuar shqeton e saj të famëshme.

Po le të sqarojmë së pari çfare ishte gatimi shqeto e rreme.

Shqeto e rreme, sipas nënës time, përgatitej me një dorë majdanoz të freskët të grirë në copa të vogla. Mirrte një xhëng(1) gjalpë, siç i thoshte ajo, e bënte një kaurdisje me miell. Në përfundim të kaurdisjes i hidhte një okare qumësht të sapo mjelë, dhe aty nga fundi vluarjes hidhte mandanozin dhe e trazonte. E linte të mirrëte dy valë e pastaj e priste me vezë e limon. Në këtë proçes shumë herë e ndihmoja dhe unë për t’i mbajtur kupën e për ta trazur, se pritej dhe nuk e kishte shijen e dëshiruar. Për pak kohë darka ishte gati. Nëna na mbushte kupat dhe të gjithë e hanim me shije, gjat ngrënies dëgjohej vetëm trokëllima e lugëve në kupa. Mund të shoqërohesh edhe me ndonjë ushqim tjetër si djath, sallat, etj.

Kjo ishte shqetua e rreme që na bënte nëna për të kaluar një darkë vere. Nënën time për shijen e shqetos së rreme e ndihmonte majdanozi freskët i kopshtit, gjalpi dhe qumështi bio me vlera të larta ushqimore që ja sillnin në tenxhere nga bagëtia duke kullotur malit. Pastaj veza e limoni, plotësonin kështu jo vetëm nevojat ushqimore, por ky gatim ishte i shijshëm dhe me vlera të shumta mjekësore.

Nëna i thoshte këtij gatimi “shqeto e rreme”, sepse nuk ishte gatimi shqeto e vërtetë. Gatimi shqeto bëhej me mish qengji ose keci, por dhe mish pule. Ky gatim ishte më me shije sa, “të lëpije gishtërinjtë” thuhej. Në atë kohë mendoja se shqetoja ishte një gatim që vetëm nëna ime e gatuante. Kur u largova nga fshati dhe vajta në Gjirokastër mësova se ky gatim me mish quhej “Shqeto Lunxhi”, dhe më pas mesova se shqetoja me mish gatuhet edhe në vende të tjera në Shqipëri.

What do you think?

Written by Admini

Ne kerkim te gatimeve me te vjetra tradicionale gjejme Karrabecin

Ndahet nga jeta në moshën 71 vjeçare Moikom Zeqo, historiani dhe studjuesi i shquar që donte shumë Libohovën dhe Gjirokastrën