Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, si dhe institucione të tjera kujtuan me nderim 112-vjetorin e lindjes së Eqrem Çabejt, një prej figurave më të rëndësishme të albanologjisë dhe gjuhësisë shqipe. QKLL shprehet se Çabej i kushtoi një jetë studimeve mbi historikun e gjuhës shqipe, mbi etnologjinë dhe letërsinë e saj. “Vepra e tij studimore ka pasur një kontribut të çmuar edhe në fushën e fonetikës dhe gramatikës historike, si dhe një ndër kontributet e tij më të njohura është studimi që ka sjellë për “Mesharin” e Gjon Buzukut. Studimi i “Mesharit” të Gjon Buzukut, i porositur nga Instituti i Shkencave, i kushtoi Eqrem Çabejt 10 vite punë (1947-1957) dhe gjithashtu mjaft para nga buxheti shtetëror, pasi shtypja e tij cilësore u porosit në Rumani. Libri doli nga shtypshkronja 10 vjet pas përfundimit të punës, më 1967, vit ky nismëtar i revolucionit kulturor dhe i mbylljes së objekteve të kultit”, shprehet QKLL. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në 112 vjetorin e lindjes së profesorit Eqerem Çabej prezantoi një sinkronë të tij të vitit 1073. “Kombi shqiptar nuk mund ta falënderojë mjaftueshëm profesorin e shquar Eqrem Çabej për kontributin e vyer dhe punën studimore të një jete për studimin, standartizimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Sot, në 112 vjetorin e lindjes, sjellim këtë sinkronë të profesor Çabejt filmuar në vitin 1973 gjatë realizimit të dokumentarit “Gjuha shqipe””, shprehej dje AQSHF. Eqerem Çabej u lind më 6 gusht të vitit 1908 dhe u nda nga jeta më13 gusht 1980 në Romë, Itali. Mësimet e para i mori në Gjirokastër prej 1915 e deri më 1920, më pas për të vazhduar studimet u dërgua në Austri. Në 1947, ai u caktua anëtar i Institutit të Shkencave, instituti paraardhës i Universitetit të Tiranës. Nga 1952 deri më 1957, ai shërbeu si profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike. Në 1972, ai u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të botuar në Tiranë, më 1980.
Lufta me koronavirusin / Pëllumb Pipero jep lajmin e mirë
Mjeku Pëllumb Pipero shprehet se një lajm i mirë vjen nga kompanitë që po punojnë për vaksinën për Covid-19