Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me kreun e Kadastrës Artan Lame. Rama ka konfirmuar se nuk do ketë më radhë apo pritje të gjata për marrjen e hipotekave, pasi tashmë aplikimi do bëhet online.
“E pra, më në fund ia dolëm ta mbajmë këtë zotim tejet të vështirë dhe t’i japim fund sekserëve, bakshisheve, pritjeve e zvarritjeve, që në 30 vjet e kthyen hipotekën, në gropën më të zezë të korrupsionit në Shqipëri, pas gjykatave e prokurorive, ku vazhdon pastrimi i thellë e tejet i vështirë po ashtu!
Do të mjaftojë tashmë një klik në https://e-albania.al dhe kadastra shtetërore do të vijë tek ju, pa ndërmjetës e pa radhë. Sistemi sapo është “ndezur” dhe lutja ime për të gjithë është që në këto dy javë të para testimi, pak durim nëse hasni në vështirësi gjatë marrjes së shërbimit.
Siç do ta shihni edhe pagesat e shërbimeve të kadastrës do të mund t’i bëni online, përmes llogarisë suaj bankare, ndërkohë që po finalizohen marrëveshjet me të gjitha bankat e nivelit të dytë në vendin tonë.
Për ata që nuk kanë kartë krediti apo debiti, mandat pagesa gjenerohet nga https://e-albania.al dhe qytetari e bën pagesën në bankë dhe e ngarkon në aplikim – pa radhë, pa vonesë, pa rryshfet.
Bëhet fjalë për një cështje shumë të madhe për qytetarët që marrin shërbime dhe pikën më të nxehtë në raport me cilësinë e shërbimit, që është shërbimi në hipoteka. Nuk kemi sistemin e deri ca kohëve, por agjencinë e Kadastrës, sistem i integruar. Shërbimet online në Kadastër janë pjesë e transformimit dixhital.
Me futjen e vulës elektronike tanimë edhe pjesa tjetër e shërbimit në Kadastër do të bëhet online. Nuk është më nevoja, as mundësia për të shkuar fizikisht për të marrë shërbime, sepse gjithcka do të bëhet nga shtëpia, nga telefoni. Sot jemi për të lajmëruar që lehtësohet i gjithë procesi” tha Rama./gazeta Mapo/