Gjirokastra eshte kete vit pjese e Projekteve te financuara prej Programit IADSA II
Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj kanë bërë publike sot rezultatet e thirrjes së parë të fazës së dytë të Programit të Konvertimit të Borxhit Italo-shqiptar (IADSA II).
Programi IADSA II, që do të jetë aktiv deri në vitin 2024, ka në dispozicion 20 milionë euro nga të cilat rreth 13 milionë janë vënë menjëherë në dispozicion me qëllimin për t’iu përgjigjur me shpejtësi nevojave të rindërtimit, në fazën pas tërmetit, të pasurisë shkollore dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë Covid-21. Kjo zgjedhje është bërë e mundur falë cilësisë së lartë të projekteve të përpunuara nga Bashkitë shqiptare në bashkëpunim me 26 OJF shqiptare, 8 OJQ italiane dhe 4 ente lokale italiane.
Nga 44 projektet që kanë rezultuar të përshtatshme, 4 janë financuar me fonde të ndryshme nga ato të IADSA II, nga donatorë të tjerë, në mënyrë të veçantë nga fonde të jashtëzakonshme kombëtare shqiptare dhe nga agjenci të tjera ndërkombëtare. 40 projektet që do të financohen nga Programi IADSA II në harkun kohor të dy viteve të ardhshme, do të mbulojnë të gjithë territorin shqiptar duke ndikuar në sektorët e shumtë me interes parësor: 12 projekte fokusohen në rinovimin dhe pajimin e ndërtesave shkollore dhe në aktivitetet për rinovimin didaktik; 8 prej tyre fokusohen tek shëndetësia dhe shërbimet për shtresat në nevojë; 7 tek ndërhyrjet për kulturën; 7 projekte për të rinjtë ndërsa 6 në nismat në mbështetje të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
“Programi i Konvertimit të Borxhit Italo-shqiptar është një mjet bashkëpunimi i rëndësisë primare në kuadër të marrëdhënieve të përkryera bilaterale midis Italisë dhe Shqipërisë. Faza e parë e Programit IADSA I, prej 20 milionë eurosh, ka lejuar financimin dhe realizimin e 56 projekteve në të gjithë Vendin. Me thirrjen e parë IADSA II sapo janë aprovuar 40 projekte të tjera me një vlerë prej rreth 13 milionë eurosh. Janë projekte që do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi komunitetet, projekte të përgatitura nga Bashkitë, nga njerëzit për njerëzit. Me Programin e Konvertimit të Borxhit, Italia ka hequr dorë nga 40 milionë euro kreditim ndaj Shqipërisë për të promovuar kështu një ndryshim real, konkret, në të cilin shtetasit shqiptarë dhe administratat lokale janë protagonistë të drejtpërdrejtë. Italia konfirmon historinë e saj të miqësisë me Shqipërinë, duke e shprehur këtë jo me fjalë por me vepra.” deklaroi Ambasadori Bucci në përfundim të prezantimit.