Libri “Epigramet e Nuriut” është një cikël me vargje të perzgjedhura që sjellin mencurine dhe filozofine e nje njeriu te pasur ne bagazhin e jetes dhe obsebimit vetjak.
Nuri Kokalari mblidhte gjithcka që kishte lidhje me traditen, zakonet dhe embelsinë shpirterore te Gjirokastrës.
Ja disa prej epigrameve te perzgjedhura nga libri i tij:
Për pushtetarët
Po qe se humbin fuqinë
Pushtetarët tanë eprorë
Do të marrin arratinë,
Do të kthehen diasporë.
Ushqimi
Kush preferon
Ushqime te lehta
Varrin e nderton
Me duart e veta
Zhvatësi
Me ca furca lajkatari
Shpejt e fut gjahun ne rrjetë
Nis pastaj punën së mbari
Dhe e rrjep sic e di vetë
Dialog me te dehurin
Kush me një të dehur
Grindet, bën poterë,
është mendjeshkrehur
I dehur dy herë.
Fjala
Fjala e dijetarit
si brilant i shquar,
Fjala e llafazanit
Si daulle e shpuar.
Mësallat
Mos kij frike, o njeri,
Kur ndaj teje ngrihen carqe.
Frikë të kesh me siguri
Nga mësallat me dy faqe.
Paraja nën dorë
Si në luftë dhe në paqe
S`ka si paraja ndënë dorë,
Ajo dhjetë mu në mustaqe
Edhe mbretin me kurorë.
Puthu me Milon
Xha Refati yne i ngratë
E shkoi jetën bukë thatë
Se me paret që fitonte
Milo Triken kreditonte
Edhe Milos deli burre
Nuk iu drodh qerpiku kurrë
Por gjithmonë shend e verë
Ha bërxolla e pi verë
As pyeste për të tjerë.
Mirëpo ja, ndodhi një ditë
Për gjithmonë i mbylli sytë
Atëhere Refati i ngratë
Zhytur thellë në lëngatë
Sepse kish humbur paratë.
Për këshillë thirri Dilon
“Rend –i tha-puthu me Milon
Të të japë uratën,
Paret kaq e patën”.
…Tek ky libër , miku im
Veten sheh si në pasqyrë
Dhe ne çast nxjerr një mendim
Je i pastër, o i ndyrë.
Të shtirët
Kot e ke që hiqesh
Si yll përmbi ne.
O bëhu siç shitesh,
O shitu siç je.
Kujdesi
Dhe tepër në vini
Në çdo gjë kujdes,
Humbje nuk do kini,
Por vetëm sukses.
Shkenca dhe praktika
Sa shkenca të rreket
Drejt dijes së vyer,
Praktika do të mbetet
Mësues i shkëlqyer.
Kujdesje burokratike
Vëren ti heshtur, pa u ndjerë
Nga vjen fllad e nga fryn erë,
Që pas dallgësh politike
Të mbash po ato karrige.
Pasuri e përjetëshme
Nga puna po pate
Çfardo pasuri
Iku e të vate
Sa të mbyllësh sy
Porse në do kesh
Virtytin thesar
I pasur do jesh
Dhe brenda në varr.
Shembull
Bukur flasin domosdo
Gojtarë e ciceronë,
Por më bukur se kushdo
Flet puntoria milingonë.
Ndëshkimet
Kur vjedh kryeplaku
Ngjitet në seli,
Kur vjedh varfanjaku
Rraset në qeli.
Vetmi
Ndihet i vetmuar
Nga bota i ndarë
Kush është i rrethuar
Nga njerëz të marrë.
Çdo njeri në jetë
Çdo njeri në jetë
S’duhet të harrojë
Armiku i vet
I qëndron në gojë.
Përfito nga të tjerët
Në se kush bën një gabim
Vath në vesh për ty të jetë,
Se ske kohë, miku im,
Gjithë gabimet t’i bësh vetë.
Leku dhe ofiqet
Leku dhe ofiqet
Dinë marifete
Se i bëjnë ligjet
Të flasin me vete.
Përtacia
Nënë përtacia
Ka vetëm dy bija:
Njëra është vjedhja
Dhe tjetra uria.
Për Atdheun
Në se frymën kam lëshuar
Për të shtrenjtin tim Atdhe
Zoti vetë ka urdhëruar
Në Parajsë të jem, atje.
Të pa ngrënët dhe të pa nxënët
Barku i pa ngrënë
Është dhembshuri,
Truri i pamxënë-
Tmerr e lemeri.
Budallallëku
Nëse fjalën nuk ia lënke
Atij që flet mirë,
Tregon se ti qënke
Një budall me brirë.