in

Dr. Adem Harxhi:Kujdes me adoleshentet!

Njihuni me këto pak shembuj të marra nga shtypi amerikan.
Një vajzë 14 vjeçare nga shteti i Washington, ishte dëshmitare në një katastrofë automobilistike të rëndë. Ajo pa shumë trupa të gjakosur. Dhjetë ditë më vonë ajo u dobësua 12 funte dhe u izolua totalisht nga të tjerët. Prindërit e vajzës shpenzuan më shumë se 20 mijë dollar për të paguar psikologët dhe psikiatrit, që ta ndihmonin vajzën të dilte nga kjo gjendje depresioni.

Një 16 vjeçar nga Alabama u përpoq t’i jepte fund jetës duke u helmuar me gaz në garazhin e shtëpisë, por që, fatmirësisht, arritën ta shpëtojnë. Pse ndodhi e gjitha kjo? Sepse prindërit, pasi mësuan se rezultatet e tij në shkollë nuk ishin të mira, e ndaluan të merrte pjesë në lojërat me skuadrën përfaqësuese të shkollës dhe i hoqën gjithë llogaritë në rrjetet sociale. Adoleshenti rreth një muaj nuk foli me prindërit të cilët i quante fajtorët kryesorë për atë që i ndodhi.

Në Pensilvani një vajzë 17 vjeçare piu disa tableta që t’i jepte fund jetës ditën që i dashuri i tha se do të ndahej me të. Kjo vajzë që tentoi vetëvrasjen jetonte në një familje të shëndoshë, në gjendje të mirë ekonomike dhe kishte përparime të mira në shkollë. Vetëm prej një dashurie të palumtur ajo ishte gati të linte çdo gjë, madje, edhe jetën e saj.

Jam i sigurtë, se shumë nga ju që i lexoni këto rreshta, keni përjetuar, ose keni dëgjuar për raste të tilla, ose të përafërta me këto, në Shqipëri.

Ekspertët e departamentit të shëndetësisë dhe shërbimeve sociale (HHS), në raportin e tyre më të ri, mbi problemet e adoleshentëve të sotëm amerikanë, kanë arritur në këtë përfundim:

umri i adoleshentëve amerikanë (mosha nga 12 në 17 vjeç), që për periudha të gjata kohore vuajnë nga depresioni i thellë, është rritur shumë në dhjetëvjeçarin e fundit (deri në 12.5%). Kjo do të thotë se janë rreth 3 milion të rinj amerikanë që vuajnë nga depresioni i thellë dhe i zgjatur. Këto shifra alarmuese, bëjnë që kjo gjeneratë të quhet gjenerata e depresivëve dhe e të dëshpëruarve.

Varianti më i përhapur i depresionit tek adoleshentët, sot, quhet “ Episodi i Madh Depresiv” (“Major Depresive Episod” (MDE).) Kjo gjendje shfaqet tek adoleshentët si një periudhë e frikës, e dëshpërimit, e panikut, e humbjes së shpresës dhe represionit, që zgjat nga 2 deri 4 javë.

Si rregull, shkaku i “Episodit të Madh Depresiv “ mund të jetë një ngjarje negative e paparashikuar në jetën e adoleshentit. Ngjarje të tilla janë përbuzja dhe izolimi nga moshatarët, ndërprerja e marrëdhënieve me njerëz të ndryshëm, divorci i prindërve, e të tjera.

Erving Els, njëri nga shkencëtarët më të shquar në luftën kundër depresionit fëminor në Kaliforni, shkruan:

“Duhet të theksojmë, se psiqika fëminore është më pak rezistente në këtë dhjetëvjeçarin e fundit. Shkak për këtë është dëshira e prindërve, që t’i izolojnë, maksimalisht, këta të parritur mirë, nga vështirësitë e jetën së vërtetë.”

Ne duam që djemtë dhe vajzat tona të kenë të gjitha të mirat e mundshme, por kjo i bën ata, gjithnjë e më shumë, të paaftë që të durojnë goditjet e jetës. Kjo bën, që adoleshentët shumë shpejt të dorëzohen dhe të veprojnë me mënyra të ndryshme për të dëmtuar veten.

Zels, një psikolog tjetër, specialist për këtë problem, thotë: “Çdo ditë ndodhin raste kur adoleshentët bien në depresion prej zënieve midis prindërve. Nënat dhe Baballarët grinden, injorojnë njëri tjetrin, jo rrallë shkojnë deri në goditje dhe ata që vuajnë në këto raste janë fëmijët. Këto skena ndodhin dhe asnjëri nga prindërit nuk e kupton se i riu ka pësuar një traumë të rëndë psiqike.”

Shumë prindër bëjnë gabim të madh kur përpiqen të bëjnë krahasime midis problemeve të fëmijës sot dhe atyre vështirësive që ata kanë jetuar më parë. Njëzet ose tridhjetë vjet më parë bota ishte krejt ndryshe. Atëherë, shumicën e kohës fëmijët e kalonin në rrugë me njëri tjetrin. Ndërsa sot, zhvillimi i teknologjisë elektronike i ka izoluar shumë fëmijët dhe bashkë me të, ka rritur edhe infantilizimin e tyre.

Duhet thënë, se prindërit nuk e dinë sa e dobët është psikika e fëmijës. Po ta dinin këtë, ata nuk do të përdornin ndëshkimet disiplinore, privimet e vogla dhe shfaqjet e egërsisë ndaj fëmijëve, që janë me pasoja të rrezikshme për fëmijën. Duhet të hiqet dorë nga metodat e vjetra të nënshtrimit psikologjik të fëmijëve, metoda, që përdoreshin më parë, por që duket se nuk kanë ndryshuar as sot tek ne.

Sipas mendimit të specialistëve të fushës, “Episodi i Madh Depresiv” mund të pakësohet në masën deri 60% , po qe se u përmbahemi këtyre rregullave të thjeshta:
E para: Pyeteni fëmijën, se cila pjesë e ditës që kaloi i pëlqeu më shumë?

Nga pikëpamja e psikologëve, kjo pyetje është ideale. Ajo mbart vetëm emocione pozitive. Përveç kësaj, fëmija, edhe pse jo i ndërgjegjshëm për këtë, hap përpara prindërve gjithë botën e tij të brendshme.

E dyta: Tregojuni fëmijëve histori nga fëmijëria juaj.
Mos u frikësoni të shfaqni edhe fantazitë tuaja. Në qoftë se ndjeni se vajza apo djali nuk i harmonizojnë punët me miqtë, humbasin interesin për mësimin, e të tjera shenja si këto, ju mund t’u tregoni histori nga të cilat ata do të mësojnë. Puna e prindit duhet të bazohet në principin: “për mua ishte shumë e vështirë, por unë i kapërceva të gjitha vështirësitë dhe u lumturova.” Vështirësitë janë për t’i kapërcyer dhe kur i kapërcen lumturohesh.

E treta: Mos nguroni të kërkoni ndihmë nga mësuesit, këshilluesit dhe psikologët e shkollës.

Këta janë specialistë për këtë dhe detyra e tyre është të ndihmojnë fëmijët. Prindërit duhet t’u drejtohen këtyre këshilluesve dhe t’u kërkojnë ndihmë për fëmijët e tyre.

E katërta: Durimi dhe puna i kapërcejnë të gjitha vështirësitë
Edhe sikur të jeni të pasur, mësojini fëmijët të jenë të pavarur që në vitet e hershme të jetës. Mbani parasysh faktin që shumë milionerë i dërgojnë fëmijët e tyre në punët më të vështira dhe më pak të paguara. Puna fizike dhe mungesa e parave i bëjnë adoleshentët që të kenë më shumë besim në forcat e tyre. Ata do të analizojnë jetën e tyre dhe më shpejt do të fitojnë pavarësinë.
E shkrova këtë artikull që të tërheq vëmendjen e prindërve, mësuesve, psikologëve dhe të gjithë atyre që kujdesen për jetën dhe shëndetit të fëmijëve, se problemi i “Episodit të Madh Depresiv” është problem shumë i madh i kohës tonë, por që mund të lehtësohet me punë të kujdesshme.

Ky problem duhet të tërheqë vëmendjen e Ministrisë së Arsimit dhe gjithë organeve të tjera të interesuara. Rritja e gjeneratave të reja, të shëndetshme mendërisht dhe fizikisht, duhet të tërheqë gjithë vëmendjen e shoqërisë.

Dr. Adem Harxhi
New York Shtator 3, 2017
Botuar tek gazeta “Dita” Shtator 5,2017

What do you think?

Written by admin

Prof. Dr. Tritan Kalo”Qytetar Nderi” i Gjirokastres

Sot urojme per ditelindjen aktorin e shquar Reshat Arbana