Ahmet Ahmeti, tregtari që në vitet e para pas ’90 sillte boten ne shtepitë e gjirokastritëve dhe sot nuk i ka humbur buzëqeshja karakteristike poshtë mustaqeve.
Ahmet Ahmeti është nga tregtarët e parë të Gjirokastrës që, sa ranë themelet e regjimit të vjetër, përqafoi dhe mbështeti tregtinë e lirë, nisi “biznes i vogel” dhe vit pas viti arriti “biznes i madh”.
Veçanerisht në fundvit, në prag të festës së Vitit të Ri, dyqani i Metes në lagjen “18-shtatori”, 100 metra mbi tregun ku shpaloseshin tri banderola “Ahmeti”, (reklamë e thjeshtë që më pas do të lexohej edhe në faqet e shtypit lokal), kishte gjallëri të vecantë.
Ballafaqimin me klientët dhe tregun e nisi me paisje të thjeshta, artikuj shtëpie, po më vonë dhe me mallra më të mëdha, elektroshtëpiake të rënda, prodhime italiane, greke dhe gjermane, të kërkuara në Gjirokastër si televizor, figorifer, lavatrice dhe soba Ariston, shoqëruar me artikuj “rezervë” që klienti të mos humbiste kohë lartë e poshtë. Tregtonte dhe dushe, ventilator dhe antena per satelit “Sharp” që klientëve u sillte botën në shtëpi, me çmime nga më të ultat në tregun e Jugut.
Në çmime nuk ishte i shtrenguar, bënte dhe lëshime; e shikonte klientin në sy. Me të parë ia lexonte mendimet, në fjalët e para ia shikonte dhe “xhepin”. Nuk priste t’i thoshte tjetri “Ulma një çik” po i fliste ai i pari:
“Mere dhe mos u ndiej se gjetkë nuk e gjen me këtë cmim!”
Metes, kështu i flisnin shkurt, i shkonte fjala dhe malli, ndaj dhe bëri përpara. Paranë nuk e mbante ne “ngrirje” po e qarkullonte. Pa “sekrete” biznesi nuk ecën po ai tre gjera kishte bazë:
Klientit i qëndronte me çmim të arsyeshëm, në cilësi dhe garanci. Kujtohen fjalët e Metes:
“Dëgjomë mua, nuk të pëlqeu malli, bjere prapë, në dyqanin tim nuk të vete leku dëm!”
Metia bënte dhe bamirësi dhe mbeshteste shtypin e lirë lokal me reklama, hiqte mënjanë se e dinte, reklama ështe shpirti i tregtisë.
Në moshe që është sot, me banim ne Toronto, mbahet mirë e shprehet me fjalë plot kuptim gjirokastriçe, jetën si të gjithë e do, po me mentë, në këmbë e në gjendje…