Shkrimet e para shqipe që njihen gjer më tani nga kjo e folme janë disa vjersha dhe ndonjë përkthim fetar, në formë dorëshkrimi të cilat u dorëzuan nga një person anonim në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë në Tiranë, më 1955.
Dorëshkrimi që paraqitet i ndarë në tri pjesë, përmban midis autorëve nga qytete të tjera, edhe vjersha me karakter historik nga autorë gjirokastritë. Këto vjersha janë shkruar me alfabet arab dhe paraqesin interes studimi. Ndërsa tekstet me alfabet grek apo latin janë studiuar e po studiohen me kujdes, ato me alfabet arabo-turk kanë qenë në periferi të këtyre studimeve.
Kjo erdhi edhe për arsyen, siç thotë T. Osmani (2008 “Udha e …”, :166) se pavarësisht nga qëllimi i mirë i përfaqësuesve të shkrimit me alfabet arabo-turk që të përhapej shqipja […] ajo binte ndesh me dëshirat e atdhetarëve shqiptarë dhe me përpjekjet për liri dhe pavarësi.
Vjersha “Xh’ish” (1794)
Eshtë një vjershë historike, që i përket fundit të shek. XVIII. Vjersha është në gjuhën shqipe, por me alfabet arab dhe u transliterua e u shoqërua me shpjegime nga Osman Myderrizi. Autori i saj është anonim (është fshirë emri në dorëshkrim) dhe mund të jetë i sektit bektashi, për shkak të emrave që përdor Jezid, Mavije, Qerbela etj. Në të flitet për një sulm të A. Pashës ndaj Gjirokastrës, i cili u thye nga banorët e qytetit.
Ai që e ka shkruar ka qenë pjesëmarrës në të dhe përshkruan me hollësi ngjarjen, trimërinë e gjirokastritëve, por dhe vuajtjet e popullit, të cilat zgjatën 10 muaj. Kjo vjershë ka vlera historike, sepse për herë të pare mësojmë se përveç sulmit më 1811, të cilin përshkruajnë dokumentet e pas të cilit Gjirokastra u nënshtrua nga A. Pasha, paska pasur edhe një mësymje të mëparshme, e cila nuk është përshkruar nga kronikanët e A. Pashës (ndoshta nga se ishte betejë e humbur). Në analizën që bën O. Myderrizi (BUShT 1955:163) vëren se F. Pukëvili (Pouqueville) erdhi si konsull francez në Janinë, më 1806. Pas kësaj ai nuk la ngjarje të A. Pashës pa dokumentuar.
Megjithatë, duket se kishte dëgjuar për një luftë midis gjirokastritëve dhe A. Pashës, sepse kujtimi për të duhet të ketë qenë i gjallë, për këtë arsye Pukëvili, kur Pashai bëhej gati për sulmin e vitit 1811 shkruante: “Gjirokastra gëzonte një emër kaq të madh në Shqipëri, sa shihej si një qytet i papushtueshëm për shkak të pozitës dhe të trimërisë së banorëve të saj”
Kjo luftë ka të ngjarë të ketë ndodhur më 1793. Vjersha duhet të jetë shkruar një vit më vonë më 1794, e si e tillë, ajo mbetet deri më tani krijimi i parë në shqip në këtë të folme, madje pas veprës së L. Matrangës (1592), mendojmë se është edhe teksti i parë i toskërishtes, brenda truallit shqiptar. Titulli i saj është “xh’ish” dhe është shkruar në vargje tetërrokëshe, në strofa katërshe, me rimën ab-ab. Është nje poezi e tipit akrostik dhe gërma e parë e vargut të çdo strofe ndjek rendin e alfabetit të turqishtes osmane. Emri Gjirokastra del ne variantin turqisht Ergjëri. Po japim për ilustrim disa strofa të saj:
Elif, Allah, xh’është ki gazeb
q’i lëshove Ergjërisë
natë ditë një gazeb
gaha një qen i jezidisë
Be, bejan nukë bënetë
një jezid i Qerbelasë
me kalem nukë shkruhetë
zahmet që dha fukarasë
………..
Me Mustafa beu vetë
përmbi kalë si shahini
në asqeri poshtë e pienë
mbahu trima, dert mos kini
ne nare thirri asqeritë
“mbahu trima të lëftojmë
sot ësht’ vakt e seferitë,
gazillëknë e shtërrngojmë…
Kjo vjershë përbëhet nga 7 strofa dhe aty-këtu mungon ndonjë varg. Përveç të dhënave historike, ajo bart edhe vlera gjuhësore edhe pse është shumë e shkurtër. Kështu, shihet qartë se përemri pyetës ç- del në trajtën xh-, tipar edhe sot i kësaj të folmeje (xh’do, xhoç). Parafjala nga del në formën gaha (tek të moshuarit sot ngaha). Fonema /y/ ashtu sikurse sot del në trajtën /i/ ose /u/: ki gazeb, pa dufek; gjithë dunjanë etj.