Këto ditë në restorantin Odaja në Qafë të Pazarit në Gjirokastër ku shërben Çoti Minga me bashkëshorten, Hason, nuk gjen tavolinë bosh se aty çdo turist mirëpritet me fjalë të mira, gatime cilësore të traditës dhe shërbim të kulturuar.
Çoti është nga punonjësit e parë profesionist të Hotelit të famshëm të Turizmit me përvojë 30 vjeçare në fushën e shërbimit turistik.
Këtë përvojë të gjatë pune ai e pasuroi edhe më shumë pas viteve `90 në emigracion ku mori e dha eksperiencë në disa nga restorantet më me emër të Greqisë dhe, para 6 vjetësh, me deshirën dhe pasionin për të investuar në vendlindje, në Gjirokastër, e nisi punën nga studimi i tregut me pikësynim ngritjen e një restoranti me gatime tradicionale dhe bashkëkohore kryesisht për grupet turistike.
Qafa e Pazarit dhe zgjedhja këtu e një ambienti në katin e dytë të pashfrytëzuar më parë me cilësitë e karakteristikat e banesës gjirokastrite, utilitare, bartëse e vlerave dekorative me realizime të veçanta artistike, e inkurajoi për të formuluar dhe përshtatur në të elemente të Odasë gjirokastrite apo siç quhet ndryshe Oda e miqve.
Pas zgjedhjes dhe punës së realizuar i erdhi radha emrit të restorantit, sot të vendosur në ballë të portës së harkuar me emrin “Restorant Odaja”.
“Restorant Odaja” ndodhet në krye të rrugës Gjin Bue Shpata, nisesh nga Qafa e Pazarit përpjetë për në Kala dhe në Bashte të Teqesë. Ajo është një hapësirë e madhe me dritë dhe freski e përshtatshme për të prezantuar që në veshtrimin e parë tek turistët Odanë e miqve të shtëpisë gjirokastrite.
Në ambientin me faqe druri të punuar në gdhendje e dritare të ngarkuara me motive të ndryshme ndodhen mindere me mbulesa të bardha borë e perde të qëndisura në çdo dritare.
Ashtu dhe me sufranë rreth së cilës kuvendohet, këndohet dhe ushqehesh me një menu karakteristike që përfaqësohet nga gatime të vjetra, pije të shtëpisë, raki e verë, të gjitha të shijshme të Gjirokastrës, Zagorisë, Lunxhit etj.
Mishi piqet simbas traditës labe, mbi bazën e kërkesave të grupeve të vogla apo atyre të mëdha turistike.
Kane kaluar 6 vjet nga dita e qerasjeve dhe tashmë Odaja është nga restorantet më me emër dhe me klientelë të qëndrueshme në Gjirokastër.
“Odaja” e Çoti Mingës e mirëpëlqyer dhe e frekuentuar nga kushdo e ka gjithmonë derën të hapur, deri vonë në mesnatë; pret e përcjellë me fjalë e zemër te mirë dhe gatime cilësore çdo individ, grupe familjare dhe turistike.
Para disa muajsh Restorantin Odaja e vizitoi edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Z. Luigi Soreca!
Çdo udhëtar i botës që e zë dita dhe nata në qytetin muze dhe turistik të Gjirokastrës, mjafton të telefonojë në 069 880 7331 dhe mbi tavolinën e rezervuar do të gjejë një menu të pëlqyeshme për të kaluar një drekë apo darkë të gëzueshme e të qetë.