Është data 22 mars, ditënisja e pranverës dhe çdo gjë nis të marrë jetë e gjallëri. Dita nis me urimet më të përzemërta për mbarësi, mirëqënie, lumturi, paqe dhe dashuri.
Është festa e Sulltan Nevruzit, ditë e shënuar për besimtarët bektashinj dhe të të gjitha tarikateve të fesë islame që ndodhen në vendin tonë e kudo në botë.
22 Marsi cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë dhe e ringjalljes së madhe.
Në këtë ditë të madhe festive, të gjithë besimtarët veshin rrobat më të mira dhe mblidhen së bashku për të bërë faljen në çdo teqe. Sot rigjallërohet jeta, është festa e madhe e të gjithë besimtarëve, Bektashi, Halveti, Kaderi, Rifai, Saadi, etj…
Fjala “Nevruz” rrjedh nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa `Sulltan` është titull i lartë. Origjina e kësaj fjale është e hershme. Në Shqipëri, Sulltan Nevruzi filloi të festohej në shekullin XIV,që kur u përhapen Tarikatet “Bektashi, Halveti, Kaderi, Rifai, Saadi, etj…”.
Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut(k.v).
Imam Aliu (k.v) është burim i gjithë Tarikateve si: Bektashi, Halveti, Kaderi, Rifai, Saadi, etj… që janë rrugë të besimit islam që afirmohen në kohën e Hz. Muhamedid (a.s) dhe pasohet tek Imam Aliu (k.v).
Për këtë festë, poeti ynë i madh Naim Frashëri ka shkruar këto vargje:
“Kjo ditë është një ditë e re
që përsëritet moti,
lind Vera, lind ngrohtësia,
lind Aliu, lind vet Zoti”.
Kjo ditë përkujton edhe ditëlindjen e Imam Aliut(k.v) në Qabe, që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira. Është dita e Imam Aliut(k.v), dhëndrit të profetit Muhamed(a.s), ai ka qënë krahu i djathë i Profetit . Prandaj kjo festë për besimtarët, Bektashi, Halveti, Kaderi, Rifai, Saadi, etj… përfaqëson një ditë të shënuar dhe ndër më të bekuarat e vitit.
Ai ka lindur më 22 mars, është një nga shënjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe është i pari i dymbëdhjetë imamëve.
Për Imam Aliun, historiani Mahmud Said Tantaviu, nga Këshilli Suprem i Çështjeve Islame të Republikës Arabe të Egjiptit, në një libër të tij të botuar në vitin 1976, shkruan:
“Zoti e mëshiroftë Ali ibn Ebu Talibin! Ai lindi brenda Qabes. Ai ishte dëshmitar i rritjes së Islamit, dëshmitar i përpjekjeve të Muhammedit dhe dëshmitar i Shpalljes. Ai menjëherë e pranoi Islamin, ndonëse ishte fëmijë dhe gjatë gjithë jetës luftoi që fjala e Zotit të sundonte mbi Tokë.”.
Imam Aliu(k.v) është një nga imamët e mëdhenj,i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu(k.v) është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu(k.v), nuk ka shpatë tjetër si Dhulfiqari Aliut(k.v). Kush do Alinë(k.v), më ka dashur mua, kush urren Alinë(k.v), më ka urryer mua”.
Prandaj me të drejt u quajt prijës i besimtarëve arabë, dijetarëve arabë që bënë epokë të artë e që i dhanë njerëzimit mbarë dritë. Ai ishte njeriu i luftës për përparimin njerëzor. Ai përdorte bukur fjalën për pikëllimin e shpëtimin njerëzor.
Imam Aliu la pas tre parime:
-Shkallën e të menduarit
-Unitetin njerëzor
-Drejtësinë
Prandaj mbeti symbol i përhershëm. Besimtarët, Bektashi, Halveti, Kaderi, Rifai,Saadi,etj…. betohen: Ja Muhamed – Ali!
Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Në këtë ditë pjesë e saj është shpërndarja e qumshit, i cili sibolizon qumshtin e nënës, dhe bërja kurban e kaposhit të detit apo kaposhit shqirak.
Sulltan Nevruzi festohet tri ditë rresht.
a-Ditën e parë festohet në familje ku të gjithë anëtarët mblidhen për të ngrënë drekën karakteristike të kësaj dite.
b-Dita e dytë është e pleqve, ata mbildhen nëpër vende të shenjta për të nderuar imamët. Ata marrin me vete ushqime të bollshme dhe festojnë së bashku.
c-Ndërsa dita e tretë është ajo e grave dhe e nuseve të reja. Ato mblidhen së bashku për të festuar dhe pët t’u argëtuar. Festa nis në mëngjes dhe vazhdon derisa ndizen dritat(qirinjtë) e teqesë. Pas këtij momenti ato shpërndahen nëpër shtëpi.
Diktatura komuniste në Shqipëri,e prirur drejt ateizmit, me dekretin nr. 4337, datë 13.11.1967 i mbylli të gjitha objektet e kulteve.
Në Shqipëri Dita e Nevruzit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. /kuarc.al