Prej këndej udhëtuam nja dymijë hapa drejt perëndimit, duke kapërcyer nëpër disa përrenj e kodra të këqia dhe, mjaft të lodhur, mbërritëm në Tepelenë.
Kështjella e Tepelenës, e fortë, e ndërtuar krejt prej guri, është pushtuar nga Qedik Ahmet Pasha më 897.
Kryengritësit Shqiptarë, se bashku me venedikasit, u mbyllën në këtë kështjellë, të cilët luftëtarët myslimanë e rrethuan, e rrahën më topa derisa ua shpuan kaptinat atyre që ishin brenda. Për këtë arsye kjo kështjellë quhet Tepelenë, që do të thotë, kaptinë-shpuar.
Krahina ka 80 katunde, shumica e të cilëve formojnë popullsinë e Progontit të pabindur. Ka vetëm dusdarin dhe 100 ushtarë.
Kështjella e Tepelenës është mbi një lëndinë, në majën e një kepi të vrazhdë që lartësohet drejt qiellit në breg të lumit të Gjirokastrës.
Gjate luftës për pushtimin e saj dhe pasi u mor, kështjella u shkatërrua dhe me materialin e saj Qadik Ahmet Pasha ndërtoi një kështjellë të re që është 600 hapa.
Lartësia e mureve, që janë shumë të trashë, është dyzet kut. Nuk ka hendek, ka dy porta një nga lindja dhe një tjeter nga veriu. Ka dyzet shtëpi të vogla pa oborr e të mbuluara me tjegulla.
Në këto shtëpi banojnë ushtarët, është dhe një xhami e vogël me minaret e ulët, e ndërtuar nga Pajazit Veliu.
Veç këtyre ka: për ujë, municion e ushqim. Ushtarët e kështjellës së Tepelenës kurdoherë janë në luftë me shqiptarët kryengritës të Progonatit.