Fituesit e Festivalit të “Sanremo”-s në Itali jane Ermal Meta dhe Fabrizio Moro, me këngën e tyre “Non mi avete fatto niente”.
“Non mi avete fatto niente” rrezikoi t’i përjashtonte nga konkurrimi dy kantautorët në bazë të akuzave për plagjiaturë të një kënge të prezantuar në “Sanremo”-n e të rinjve të vitit 2016, nën interpretimin e Ambra Calvanit e Gabriele De Pascalit, por gjatë konferencës për shtyp para medieve, Fabrizio Moro tha se këngën në fjalë e kishte shkruar po ai dhe risjellja e tekstit të saj nëpërmjet produksionit të sivjetshëm ishte një rikthim i vlerave që nuk duhet të harrohen.
Pas vlerësimeve të bëra, edhe “Rai” doli në përfundimin se kënga mund të vazhdonte garën, nga e cila dy artistët dolën triumfues. Ndërkohë që në vendin e dytë u pozicionua grupi “Lo stato Sociale” dhe në të tretin këngëtarja “Analisa”.
Kënga është një himn kundër terrorizmit dhe në tekstin e saj përfshihen shumë raste të ndodhura në të shkuarën, por që lajtmotiv mbetet vargu “nuk më keni bërë asgjë”, që përbën edhe titullin e saj.
Tanime është publikuar edhe videoklipi i këngës, që ilustron në imazhe qytetet e rrënuara nga bombardimet, homazhet e njerëzve në vendngjarje dhe fëmijët e vegjël, si simbol i mosmposhtjes./topchannel