Qafa e Pazarit siç dhe ka qënë do mbetet vend i kujtesës historike. Pas viteve 1900 në një nga dyqanet aty, punonte dhe patrioti gjirokastrit Idriz Guri të cilin Mihal Grameno e ka cilësuar kombëtar të vjetër, atdhetar të vyer për çështjen kombëtare.
“E sjell ndër mend edhe sot, kur më 1907 vajta si kryengritës në Shqipëri me kapitan Çerçiz Topullin dhe vizitova Gjirokastrën, shkruan ai. Atëhere zemra ime e ngushtë, dhe mundet e frikshme, mori një kurajo të madhe përpara një guximtari të patreguar nga patriotizmi dhe i cili jetonte brenda në qytet… Ky ishte Idriz Guri…Për Idrizin burgjet e Gjirokastrës dhe të Janinës ishin të hapura kurdoherë nga shkaku i çështjeve kombëtare për të cilat kishte rënë kaq herë në burg “.
Figurën atdhetare te ngritur në lëgjendë, në histori të qytetit, në këngë, filma e libra, në vitet ’60 Lefter Dilo e bëri të njohur në një nga dyqanet e rrugës për tek “kasapët”, muze me foto dhe punime në dru në kujtim dhe nderim të luftëtarit gjirokastrit.
Muzeu zgjoi kujtesen dhe ndergjegjen qytetare per vleresimin e atdhetarit të flaktë, njëherësh vjershëtor dhe gdhendës i talentuar i punimeve në dru. Aty, bashkë me fotot, vjershat dhe objektet e ekspozuara flisnin edhe bashkëkohës të Idrizit, njeri prej tyre mësuesi i gjuhës shqipe Thoma Papapano.
Më vonë “dyqani–muze” u transferua nën Kubenë e Xhamisë së Pazarit në një radhe me dyqanet e tjera të kthyera ne “gjendjen e parë”, me objekte etnografike që pasqyronin jetën materiale e shpirtërore të qytetit në periudha te ndryshme historike, por jo me jetë të gjatë dhe sot me tjetër destinacion.
Sot aktiviteti dhe punët në dru të “veteranit kombëtar” me foto dhe punime origjinale janë të ekspozuara në Muzeun Kombetar te Armëve. Ndoshta nje ditë të tjera si ato do t`i shohim edhe në ndonjë nga dyqanet e Pazarit.