in

Shekullin e Kapërceu! 100 Vjeç Mbush Sot Tomor Kotroçi, Burri Trim nga Dunavati!

Nga sot, 22 janar 2018, Burri më i Vjeter i Gjirokastrës është Tomorr Kotroçi nga lagjja Dunavat. Sot ai mbushi 100 vjeç, arriti shekullin dhe nga sot jeten e fillon nga e para, pa harruar atë që shkoi…

 

Një shekull, rrugen nga shtepia, në krye, në majë të Dunavatit, e ka bere vetem me kembë, jo me korierë. S`mban mend të kete hequr sëmundje që t`ia lodhnin trupin, ndonjë gripë e ka hedhur me raki të përvëluar e me limon te shtrydhur, se ilaçet nuk i ka qasur dhe ne muhabet. Ai njeh fije per fije te gjitha bimët e çajrat e malit te Gjere, shëtitur me këmbë e me mushka, salepin kokërr që e bluan për dimër, ilaç për të zbutur grykën dhe gjoksin hapur dhe në kërcë të dimrit.

 

Me jetë e zakone ndryshe, ushqyer me mish e bulmet të pastër, mali, edhe kur këto mungonin, pa hequr nga trasta mishin e konservat e peshkut që i shoqëronte me djathë, qumësht e dhallë, bukë të thekur në hi, hudhra e qepë, të thata në dimër e të njoma në kohë të tyre, me bocë të rakisë e kuti duhani përpara.

 

Në moshë të re e me tutje, pas luftes ku doli partizan, me dekorata e vleresime me pas, u shqua për besë e punë trimi. Kur u hap spitali i madh i qytetit, në vendin që ështe sot, për disa vjet me radhë, në stinë të verës merrte rrugën e Erindit, përpjetë, malit të Çajupit, kurrizit e majave më të larta, në gufat për të prerë e ngarkuar copa të mëdha me akull.

 

I priste me thikë e çekiç, punë jo e lehtë, jo si priten napat e djathit, i mbështillte me lesh të thatë, i ngarkonte në kafshë dhe, pa rënë dielli në Gjirokastër, shkarkonte në spital. Mjekë, personel e pacientë, e prisnin me minutë, se bëhej fjalë për operacione në sallë te kirurgjisë, ku dhe akulli ishte po aq i domosdoshëm sa ilaçet, bisturitë dhe dora e mjekut.

 

Me sistemin e kaluar ka patur dhe probleme. E kishte merak te madh që nuk e lejonin te mbante bageti. Megjithatë nuk hiqte dore. Sa ulej propaganda dhe fushata nxirrte 2 a 5 koke te imta dhe i kulloste. Kur shtrëngohej litari, i therrte e me pas, per t`i mbajtur per gjithe vitin, ne nje ane te shtepise hapi nje tunel ku dhe i strehonte. E dinte ai dhe familja. Gjitoni e lagje jo, vetëm miq për kokë.

 

Kur i thoshnin nga Komiteti “hiq bagëtinë”, thoshte “lepe”, po i mbante fshehurazi ne tunelin e shtepise “sa te binte vala”. Ne mbledhje ata të Komitetit e merrnin dhe si shembull të mirë dhe thoshnin

 

“Ja, xha Tomorri i hoqi i pari delet, merrni dhe ju shembull nga Ai!”. Ata që ia dinin “vrimat”, i shkelnin syrin “Ja hodhe dhe këtë radhë…”. Keshtu i mbajti bagetitë deri ne mbyllje te sistemit.

 

Pas 90-tes mbeshteti demokracine dhe punet private. Për nostalgji, pas vitit 2005, poshtë rrethit te Qafës së Pazarit, përballë me Kafe “Çoçoli”, nga Mësuesi i Popullit Tajar Kokalari mori nje dyqan me qera, me pak leke, dhe aty shërbeu me raki e pak meze, shiste napa me djathë, mjaltë, salep, çaj, rigon e pelin, jo për nevojë se djemtë e mbajnë në pëllëmbë të dorës por dhe për inat të sistemit të kaluar që e pengoi në punët private që donte dhe bente.

 

Nga sot 100 vjeç e më tej Tomorr Kotroçi do merret me punë, do vazhdojë te grijë duhan në pllakën e drunjtë me bixhakun e jetës; të mbajë ”periz”, por pa hequr nga goja mishin, qumështin e dhallën, perimet e frutat; të gëzojë me djem e nuse, me nipër e mbesa, në krye të këngës në trapeze, fejesa, dasma e festa në gjitoni e shoqëri të madhe që ka edhe në Tepelenë, Delvinë, Përmet e Sarandë, i gjëndur, në hatëre e zakone vendi.

 

Tomorr Kotroçi nga Dunavati, Burrë zakoni, i shtruar e i qetë që flet një gjirokastriçe të kulluar, si dunavatasit e parë, me shprehje dhe fjalë të urta që tjetri kur i dëgjon bie në mendime, të vështira për një mendje të pa stërvitur me të folmen e vjetër, bio, të tij, sot pret urime per ditelindjen e tij, i gëzuar për një shekull që kaloi dhe i lumtur për të riun që e fillon nga e para…

 

Nga Gjirokastra Online dhe miqtë e saj:

“Gëzuar ditëlindjen Xha Tomorr! Me shëndet e urime shekullin e Ri!”

 

 

 

 

What do you think?

Written by admin

Kristal Abazaj – Futbollisti i Luftëtarit merr Çmimin “Më i Miri i Dhjetorit”!

Neptun Bimi – Berberi i Kërkuar edhe në Tiranë, Mik me Sefedin Brahon e Dhori Kallucin!