in

Petro Laboviti figure e shquar e bujqesise shqiptare

Pergatitur nga:  Koço MOSKO Agronom i Mbrojtjes së Bimëve Boston, MA – SHBA

Petro LABOVITI

Jeta e një agronomi në Shqipërinë e prapambetur ka qenë shumë e vështirë, e mbushur plot sakrifica, por edhe me kënaqësinë e veçantë që ka ky specialitet, falë fryteve të punës.  Aktiviteti i agronomit ka të bëjë me ushqimin dhe mirëqenien e një populli të tërë. Si në periudhën e Monarkisë Zogiste, ashtu dhe në atë të ashtuquajturën socializëm, një specialist i mirë dhe i përkushtuar bujqësie, ndikonte dukshëm në të ardhurat, në nivelin e jetesës dhe ushqimin e njerëzve. Kështu ata u bënë njerëzit më të dashur e të respektuar nga të gjithë. Një i tillë, shumë i veçantë, ka qenë edhe agronomi i talentuar dhe njeriu i mirë, Petro Laboviti. Të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të, flasin me dashuri e respekt, me fjalët më të zgjedhura e më të mira.  Kam qenë gjithmonë i mendimit se njerëz të tillë, apo praktika bujqësore model, duhen publikuar e shkruar, sepse përbëjnë historinë,

Familja Laboviti

Petro ishte vëllai më i vogël i tre vëllezërve e dy motrave. Vëllai i parë ishte doktor Vasili i Madh, siç e quanin në Gjirokastër, Vasil Labovitin, “Nderi i Kombit”.  Doktor Vasili në Gjirokastër, gjatë luftës antifashiste ishte kthyer në një legjendë. Duke qenë se ishte shkolluar në Austri dhe njihte gjuhën gjermane, ai ndikoi me autoritetin dhe opinionin e tij tek komandanti i forcave gjermane për të ndalur gjakderdhjen dhe masakrat mbi njerëzit e pafajshëm të Gjirokastrës. Doktori e kishte pasur shok universiteti në Grac  komandantin gjerman.  Për këtë ka shkruar në mënyrë letrare Ismail Kadare tek romani “Darka e Gabuar”, ndërsa një portret më të plotë të tij na e ka dhënë inxhinieri Shpëtim Emiri në librin e tij “Përmendorja e munguar”.

Familja Laboviti ishte një nga familjet e mëdha fisnike gjirokastrite.  Në vitet 1960 kam banuar shumë afër shtëpisë së Labovitëve, në lagjen Varosh. Kujtoj se që nga shtëpia e tyre, sjelljet në lagje e kudo, kjo familje të imponte respekt e nderim. Origjina e tyre ishte nga fshati Labovë e Kryqit, mbiemri i tyre i hershëm ishte “Çavo”. U shpërngulën për shkaqe që nuk dihen mirë dhe në shekullin e 19-të ishin të vendosur në fshatin Dhuvjan të Dropullit. Dashurinë që kishin për fshatin e origjinës së tyre e ruajtën fort tek mbiemri, ashtu si shumë shumë patriotë të tjerë në ato vite.  Petro lindi më 14 qershor të vitit 1912 në Dhuvjan. Gjyshi dhe babai tij në atë periudhë punononin në Gjirokastër. Gjyshi i Petros, Filipi, ishte kryetar i Gjykatës së Apelit, baba i tij, Telemaku, punonte mjek dhe drejtor i spitalit në Gjirokastër. Të dy, si gjyshi dhe i ati, kishin studjuar në Stamboll, Athinë dhe Paris. Prej andej kishin sjellë frymën liberale, iluministe e përparimtare të qarqeve intelektuale të atyre shteteve, dashurinë dhe respektin për njerëzit. Ndërsa nëna e tyre, Aretia vinte nga një familje tjetër e madhe gjirokastrite, e Hidajve. Me këtë edukatë dhe kulturë elitare u rritën dhe u edukuan vëllezërit Laboviti.

Vitet e Shkollimit

Në vitin 1920 familja Laboviti shpërngulet e tëra në qytetin e Gjirokastrës ku Petrua kreu shkollën fillestare 6-vjeçare, sot shkolla “Koto Hoxhi”. Në vitet 1927-1932 mbaroi studimet në shkollën e mesme në qytetin e Korfuzit të Greqisë. Këtu Petrua u shqua për rezultate të mira jo vetëm në mësime, por edhe në aktivitete sportive si në not e futboll. Ai përfaqësonte shkollën e tij gjatë kampionateve lokale të futbollit.

Në vitet 1932-1936, Petrua mbaroi studimet në Fakultetin e Agronomisë pranë Universitetit Nancis të Francës ku u diplomua inxhinier-agronom. Studimet i përfundoi me rrezultate të shkëlqyera. Në përfundim të studimeve pati oferta për t’u punësuar në vendet ku kishte kryer praktikat mësimore universitare si në Francë dhe në Gjenova të Italisë.  Petrua vendosi të kthehej në Shqipëri, ashtu siç kishin bërë më parë i ati i tij, Telemaku dhe vëllai i madh, Vasili. Theksojmë se shpenzimet për studimet e tij shkollore e universitare i përballonte familja nga buxheti i vet.

Në vitet e shkollimit Petrua nuk i shkeputi kurrë mardhëniet me shokët e tij të vendlindjes në Dhuvjan dhe atyre të lagjes Varosh e Palorto në Gjirokastër. Që nga kjo periudhë tek Petrua lindi dashuria për njerëzit e thjeshtë dhe natyrën. Ai shkrihej në mes tyre spse donte ta jetonte jetën në të tëra dimensionet e saj, materiale, intelektuale dhe shpirtërore.  Në pushimet shkollore gjatë verës në vitet 1930, Petro aktivizohet lojtar në ekipin e futbollit të klubit “Shqiponja” të Gjirokastrës, sot klubi sportiv “Luftëtari”.

Agronom në Shkodër e Lezhë

Në vitin 1937, me mbarimin e studimeve, prej Monarkisë së mbretit Zog, Petrua emërohet agronom në Shkodër dhe në vitin 1938 transferohet në Lezhë, ku punoi deri në fund të vitit 1941. Jo rastësisht atë e dërguan në një zonë bujqësore siç ishte Zadrima, me tradita të hershme në kultivimin e bimëve, por edhe me probleme të shumta të kohës. Kjo zonë në atë periudhë kishte shumë nevojë për një agronom të përgatitur siç ishte Petrua. Për aktivitetin e tij nuk kemi dëshmi nga njerëz e bashkëpuntorë, por kemi shënimet e detajuara që ai ka lënë pas, si një intelektual me kulturë perëndimore. Për një agronom të ri të sapodiplomuar në këtë rajon bujqësor, ku shkenca kishte depërtuar pak ose aspak, punët ishin të shumta. Kryesisht, në mënyrë tradicionale, ose primitive, kultivoheshin vreshta, misri, gruri, duhani, ulliri, perimet, etj. Puna duhej filluar në themel, nga sistemimet e kullimi i tokave, me plugimet cilësore; duhej shtuar mekanika, duhej të përzgjidheshin farërat e fidanat më të mira vendase e të huaja, etj.

Sëmundjet dhe dëmtuesit e bimëve në atë kohë jo vetëm në Zadrimë, por kudo në Shqipëri, bënin kërdinë. Në vreshtari, ku kjo zonë shquhej më shumë, dëmprurëse e shkatërruese ishin filoksera, vrugu, tënja dhe hiri, të ardhura në Europë prej kontinentit amerikan, aty nga pjesa e dytë e viteve 1800.  Në Shqipëri këta dëmtues nuk njiheshin ose njiheshin fare pak, e aq më keq masat e luftimit të tyre. Në shënimet e Petros vërejme se ai është marrë shumë me këto probleme dhe doemos me përgatitjen e lëngut bordolez. Problem të veçantë përbënte edhe urthi i grurit, ndryshku, etj. Përveç punës së tij arë më arë e shtëpi më shtëpi Petrua për këto probleme organizoi shumë kurse të shkurtra ditore deri dhe 6-mujore për trajnimin e bujqëve vendas duke aplikuar teknikat shkencore agronomike më të mira të kohës që ai kishte mësuar në universitet dhe literaturën shkencore të kohës që kishte në dispozicion.

Ai ishte i pakursyer e i gjithanshëm në ndihmesën që u jepte bujqëve e komunitetit vendas. Çdo gjë që bënte, e kryente me pasion e dashuri. Së bashku me intelektualë të tjerë organizoi fushata për edukimin shëndetsor dhe higjienën personale si dhe veprimtari të ndryshme artistike e sportive për të gjallëruar jetën shoqërore e kulturore. Organizoi edhe disa shfaqjeve teatrale artistike për banorët e qytetit të Lezhës. Ishte një njeri i thjeshtë dhe i dashur për bujqit, respektohej nga të gjithë. Organet lokale të pushtetit në Lezhë si dhe Ministria e Bujqësisë së asaj kohe, e vlerësuan punën e këtij agronomi të ri, shumë energjik dhe të gjithanshëm.

Pavarësisht dëshirës së madhe, pasionit për punët agronomike, lidhjeve, njohjeve e miqësive të shumta që kishte krijuar në Lezhë, jeta larg familjes po i vështirësohej sepse vendi kishte hyrë në Luftën e dytë Botërore. Në fund të vitit 1941 mori vendim të kthehej pranë familjes në Gjirokastër. Në vitin 1942 Petro fillon punë sërisht si agronom i Prefekturës së Gjirokastrës të cilën e ndërpreu në fund të vitit 1943 për shkak të ashpërsimit të luftës. U shkëput nga punët në veri, Shkodër e Lezhë, po jo nga të gjitha. Petrua atje kishte lënë gjysmëne tij, Jorgjinë, shkodranen fisnike, gjimnazisten e bukur që i kishte rrëmbyer zemrën. Ajo do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.  Në shtator të vitit 1942, pavarësisht pasigurisë e luftrave, dasma nuk u ndal, ajo u bë sipas traditave e zakoneve fisnike shqiptare, lunxhiote.  Ata krijuan një familje të shëndoshë. Lindën, rritën, edukuan dhe shkolluan një vajzë dhe një djalë, Erietën dhe Viktorin.

Agronom në Gjirokastër

Lufta e Dytë Botërore solli shkatërime të mëdha. Shqipëria doli nga kjo luftë në një gjendje shoku, tepër e drobitur dhe shumë e mjeruar.  Bujqësia ishte shpresa që mund të bënte diçka për rimëkëmbjen e shpejtë, përmirësimin e kësaj varfërie e urie të tejskajshme që kishte pllakosur qytete e fshatra.  Petrua u angazhua që në ditët e para të çlirimit në misionin e tij fisnik e jetësor, në sigurimin e ushqimit të përditshëm për njerëzit e varfër e të uritur.  Fillimisht u emërua përgjëgjës i ekonomisë në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit të Gjirokastrës dhe më pas Kryeagronom i Qarkut dhe Rrethit; detyra këto që i mbajti deri në vitin 1957.  Në vitin 1951, kur u krijua Instituti i Lartë Bujqësor në Kamëz, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës, Petrua u thirr për të marrë pjesë në stafin akademik. Nuk pranoi edhe kësaj radhe sepse ndjente që në rrethin e Qarkun e Gjirokastrës kishte shumë punë për të bërë për bujqësinë. Ndryshimi sapo kishte filluar.

Ndodhën shumë ndryshime politike e shoqërore, të paparashikuara. U ashpërsua në kulm lufta e klasave “ndaj borgjezëve të qytetit dhe kulakëve në fshat”.  U tjetërsua prona private dhe u formuan kooperativat bujqësore skllavëruese. Megjithë qëndrimin e tij prej patrioti e intelektuali të ndershëm si dhe kontributin që i kishte dhënë Lëvizjes Nacional-Clirimtare, Petron, ashtu si dhe shumë intelektualë të tjerë nga shtresat e pasura, të cilët kishin studjuar në Perëndim, do ta ndiqte nga pas, tërë jetën e tij, hija e etiketimit “borgjez”, dhe ndonjëherë akoma më keq, frika e të dyshuarit për “sabotator”. Kjo sidomos nga persona të indoktrinuar, injorantë dhe ambiciozë, të ngritur në pushtet, “vlera” e tyre e vetme ishte hipokrizia, injoranca, intriga dhe servilizmi.

Petrua iu përkushtua punës, me gjithë forcën e mendjes dhe të fizikut të tij për të përçuar në bujqësinë e rrethit dhe Qarkun e Gjirokastrës bazat e organizimit shkencor. Në kushte teje të vështira; më shumë në këmbë, në shi e dëborë, si agronom i vetëm në atë kohë, ai e përshkoi kryq e tërthor Qarkun nga Vurgu i Sarandës në Përmet, Pogon, Lunxhëri, Labëri, Zagori, etj… Siç mbajnë mend familjarët e tij, u ndesh me vapën përvëluese, llucën, mushkonjat, dhe shumë herë morrat, pleshtat e çimkat që i sillte me vete kur kthehej në shtëpi. Me gjithë këto vështirësi, ai qëndronte me ditë të tëra në këto zona midis fshatarëve të thjeshtë e të varfër, me ata që kishin shumë nevojë për mendjen e këshillat e tij agronomike. Ai kontriuboi dukshëm që ata të dilnin nga mizerja dhe gjendja e rëndë e urisë. Mjeku vetriner Sotiraq Paskali tregon:

– Ato pak vite që punova me Petron mësova shumë gjëra prej tij, sidomos sinqeritetin dhe korrektësinë në punë. Ishte një specialist i kompletuar me kulturë perëndimore, i thjeshtë, punëtor i pa lodhur. E shikoje krahinë më krahinë, në çdo cep të rrethit, fushë apo mal.

Ndërsa ish drejtori i shkollës së Mesme në Lazarat, Zija Basha kujton:

Në arat tona Petrua mblidhte shpesh bujq nga Dropulli, Libohova, Suha Erindi, Mashkullora, Picari, etj. dhe u tregonte përvojën tonë bujqësore. E mbaj mend agronom Petro Labovitin si një burrë i hollë e i gjatë, i veshur gjithmonë me kostum e kravatë e me një pardesy gri. Kur ecte rrugicave të qytetit e në sheshin e Çerçizit respektohej e nderohej nga të gjithë si shkencëtar, intelektual e qytetar shembullor.

Punët e shumta që duhesh të kryheshin në bujqësi, ai i nisi me punimet bonifikuese, sistemimin e tokave, punimet e mekanizuara dhe sistemet e plugimit të tokave. Organizoi për këto probleme kurse e seminare me bujq e mekanizatorë.  Gjatë këtyre viteve toka nënkulurë u rrit me 47 përqind më shumë, në krahasim me vitin 1938.  Petrua si një specialist me kulturë perëndimore, rekomandonte përdorimin e faktorëve stimulues për bujqit. Për këtë, i kënaqur, ai shkruan në kujtimet e tij:

– “Viti 1950 karakterizohet jo vetëm nga shtimi i sipërfaqeve të bimëve industriale, por edhe nga zbatimi në shkallë shumë më të gjerë i udhëzimeve agroteknike si: afatet e mbjelljeve, përdorimi i plehrave, shërbimeve kulturale, etj. Kjo falë rritjes së çmimeve të blerjes së bimëve industriale, të cilat i shtynë bujqit të zgjerojnë sipërfaqet dhe të zbatojnë më mirë udhëzimet agroteknike”.

Në kushtet sesi ndodhej atëherë Lugina e Drinos, ku kryesisht shtrihen tokat bujqësore të rrethit të Gjirokastrës, vëmendje të veçantë Petrua tregoi për kulturat bujqësore që i përmiresojnë dhe i pasurojnë tokat, si jonxha, tërfili, batha, etj.  Në shënimet e tij, ai shkruan: “Kultura e jonxhës para çlirimit pothuajse nuk njihej fare në këtë rreth”.

Agronomi Thanas Xhumba kujton:

– Jonxha në Dropull nuk njihej. Petrua si specialist shumë i përgatitur, duke i njohur mirë kushtet e fushës së Drinos dhe të fshatrave të Dropullit, me tokën e sapomarrë nga reforma agrare, punoi fillimisht për të bindur fshatarët e fshatit të tij, Dhuvjan se jonxha është një bimë shumëvjeçare, kërkon pak punë e shpenzime, pasuronte e përmirësaonte tokat e siguronte ushqimin e blegtorisë.  Fara e jonxhës sillte të ardhura të mira për familjet e tyre.  U mbollën parcelat e para me hezitim e dyshime, por për pak vite u pa leverdia që kishte kjo bimë. Me shpejtësi u përhap në gjithë Dropullin e rrethin e Gjirokastrës”. Më pas jonxha në Dropull u bë një kulturë e rëndësishme në strukturën e mbjelljeve.  U krijua një ekotipi l veçantë dhe fara e saj kërkohej shumë brenda vendit dhe për eksport.

Probleme të shumta kishin drithrat e bukës si misri guri, etj. Imediate ishte se duhej bërë përzgjedhja e farërave me prodhimtari më të mirë si dhe të luftoheshin sëmundjet, dëmtonjësit e barishtet e këqia. Ai rekomandonte trajtimet me pesticidet e kohës, por dhe masa të tjera.  Këto udhëzime Petrua i përçonte tek bujqit e thjeshtë me kurse të shumta. Në vitin 1950 ai organizoi 68 kurse me mbi njëmijë pjesmarrës. Gjithashtu ai i propagandonte punët e stinës në bujqësi në shtypin dhe radjon lokale, shqip e greqisht.

Duhani, një kulturë industriale me rëndësi ekonomike, sidomos me krijimin kooperativave të para bujqësore si: e Zervatit, Suhës, “A. Zenelit”, Nepravishtës dhe NB “M. Asqeri”, farishtet përbënin një punë të vështirë e të panjohur më parë. Ai, me durim duke zhvilluar seminare të shumta dhe herë-herë me lëvizjet e tij fshat më fshat e farishte më farishte, udhëzonte si të mbroheshin ato nga të ftohtit, vrugu, dëmtuesit, etj. Kishte ndonjë rast që e pësoje edhe me dështim, por duhet të dilje nga kurthet dhe marrëzitë e kohës. Ishte një periudhë kur dendur ishte në qarkullim fjala “sabotazh dhe dora e armikut”. Petrua dinte të argumentonte e sqaronte se kjo është një punë e vështirë shkencore, kërkon njohje dhe nuk kishte fare lidhje me sabotimet.

Një degë tjetër e rëndësishme ku u përqendrua, ishte frutikultura. Përveç pemëve nëpër ledhet e kopshteve, arave e ndonjë vreshtë i veçuar, nuk kishte gjë tjetër. Vreshtat ishin zhdukur për shkak të filokserës, dhe nuk ishin ripërtrirë. Petro shkruan në kujtimet e tij:

–   “Frutikultura në këtë rreth nuk ka qenë e zhvilluar për arsye të sipërfaqes së tokës së kufizuar.  Mungesës së interesimit nga ana e fshaterëve për ta zhvilluar atë në tokën që nuk e kishin të tyre si dhe mungesave të ndryshme materiale për të kryer shërbime kualitative dhe në kohën e duhur tek pemët ekzistuese”. Që në vitet e para ai iu përvesh punës dhe ngriti fidanishten frutore në Mashkullorë për të prodhuar fidana të kontrolluar, cilësorë nga llojet e pemëve dhe kloneve e ekotipet më të mira vendase e të huaja.  Në kooperativat si Suhë, Zervat, “A. Zeneli”, filluan të mbillen blloqet e para me pemë frutore e vreshta. Një rëndësi të veçantë për rritjen me shpejtësi të këtij sektori ai i kushtoi punës me shartime në pemët e egra. Punoi fort për kualifikimin e njerëzve, teknikëve të rinj për të kryer shartimet si dhe sigurimin e bazës materiale të nevojëshme, e cila mungonte për çdo fshat.

Petro Laboviti ishte nga të parët, ose i pari agronom i lartë në rrethin e Gjirokastrës. Ai punoi me mish e me shpirt dhe hodhi bazat shkencore për një bujqësi moderne. I takon të vendoset në krye të Panteonit të shkencës bujqësore dhe njerëzve të shquar e me kontribute të veçanta në këtë rreth e më gjerë. Themi nga të parët sepse nuk kemi të dhëna të sakta për ndonjë tjetër. Agronom nga Gjirokastra ishte dhe Myzafr Kallajnxhi i cili i kreu studimet në Itali në vitin 1941, Abedin Çiçi po në Itali në vitin 1933. Një agronom i cili kishte studjuar edhe ai në Francë që në vitin 1836, ishte dhe filantropi i madh dhe krijuesi lojrave olimpike, Vangjel Zhapa nga Labova e Zhapës, por këta agronomë aktivitetin e tyre nuk e ushtruan në Gjirokastër.  Nga fundi i viteve 1950 në këtë rethin filluan të vijnë dhe agronomët e parë që dolën nga Instituti i Lartë Bujqësor, por dhe të tjerë që kishin studjuar jashtë shtetit si Genci Kutra që i kishte përfunduar studimet në Budapest, Hungari. Ai pohon:

-Në atë kohë Petro Laboviti ishte agronomi i parë i lartë i rrethit, që solli të rejat e shkencës agronomike dhe i propagandoi ato në filllim te bujqit privatë dhe më pas në koooperativat bujqësore… Ne agronomet e rinj gjetëm tek Petrua profesorin tonë me të cilin konsultoheshim për çdo problem që hasnim vështirësi e që donim ta zgjidhnim…. Për mua ai ngelet një nga korifejtë e agronomisë shqiptare.

Ndërsa Thanas Xhumba, nga agronomët e parë të ILB Kamëz, kujton: “E njoha agronom Petron që nga viti 1963. Ishte njeri i komunikueshëm, i thjeshtë. Bisedonte me këdo. Njeri i kulturuar, me sjellje për t’u admiruar. Si agronom i ri që isha në atë kohë, shpesh i kërkoja ndihmë për problemet e bujqësisë, por dhe për të tjera. Gjithmonë ishte i gatshëm për të dhënë këshillat e tij shumë të vyera për ne”.

Në ato vite mekanika bujqësore ishte e magët, por kishte filluar të hynte dalëngadalë në ekonomitë bujqësore.   Kërkohej propagandimi dhe vënia sa më parë në punë e paisjeve të reja si: plugjet, lesat, kultivatorët, makinat mbjellese e shirëse të cilat kërkonin njerëz të kualifikuar. Petrua ishte gjithmonë në krye të këtyre aksioneve.

Drejtor i Degës së Farërave

Nga janari i vitit 1957 dhe deri sa doli në pension, në vitin 1975, Petrua drejtoi Degën e Farërave në Gjirokastër, e sapo krijuar. Fara ka rëndësi primare për të siguruar rendimente të larta dhe cilësore. “Çdo të mbjellësh do të korrësh”- thotë populli.  Kush më mirë se ai do ta bënte këtë punë? Detyra tani që i shtrohej Petros për zgjidhje ishte të grumbullonte e të shperndante farëra nga më të mirat, të çertifikuara e të pështatura me kushtet klimateriko-tokësore, për të përballuar nevojat e rrethit dhe kërkesat e Ministrisë së Bujqësisë. Këto farëra duhet të kishin kapacitete më të  mira prodhuese, të ishin rezistente ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesave, me fuqi dhe energji mbirëse të lartë.

U ndërtuan magazina të përshtatshme, laboratori dhe zyrat qendrore. Puna kryhej në dy drejtime: Shumimi i llojeve të reja që vinin nga qendra për ngastrat e farës në ekonomitë bujqësore dhe përzgjedhja e llojeve më të mira të vendit. Petrua, së toku me kolegët, bashkepuntorët e tij të palodhur, Mustafa Aliko, Daver Çipi, etj.  Lëviznin nga njëri fshat në tjetrin, nga njëra ekonomi bujqësore në tjëtrën, cep më cep të rrethit. Në vitet ‘60-të në ekonomitë bujqësore nga dega e farërave ndiqeshin rreth 860 hektarë të mbjella me farëra elite e superelite. Puna më voluminoze ishte me drithërat e bukës, duhanin dhe foragjeret. Sipas shënimeve të Petros në vitet 1950 në rrethin e Gjirokastrës, në zonën fushore mbilleshin mbi 30 lloje gruri, ndërsa në vitet 1960 u arrit të veçohen për mbjellje vetëm pesë lloje ose varjetetet më të mira. Përzgjedhja bëhej kalli më kalli. Në misër u punua për tipizimin e llojit “Mashkullora” i cili u përdor dhe si linjë babë në një lloj misëri tjetër për krijimin e një hibrid të ri. Kjo metotë përdorej për të gjitha farërat e kulturave bujqësorë që mbilleshin në atë kohë në rrethin e GJirokastrës.

Nuk mund të mos përmendim një nga punët më me pasion të Petros dhe kolegëve të tij, atë të prodhimit të farës së jonxhës. Përhapja dhe prodhimi i farës së jonxhës në Gjirokastër është meritë vetëm e Petro Labovitit. Për prodhimin e kësaj fare ai përpunoi një teknologji të veçantë. Fara prodhohej nga privatët ose ekonomitë dhe pastaj magazinohej në Degën e Farërave. Aty bëhej dekuskutimi, stadartizimi dhe ambalazhimi.  Fara më cilësore shpërndahej brenda ekonomive të rrethit, ndërsa tepricat ndaheshin në rrethe të tjerë, ose shkonin për eksport.

Duke kontrolluar ngastrat e farës

Agronom Laboviti e vlerësonte shumë pjalmëzimin e bimeve me anë të bletëve, veçanërisht në jonxhishte. Vendosja e 4-5 koshereve ose me bletë për një ha me bimë që kërkonin pjalmëzim të kryqëzuar, prodhimi rritej 3 herë më shumë. Ai luftoi për të kufizuar trajtimet me pesticide gjatë lulëzimit të bimëve. Gjithashtu rekomandonte të përdoreshin pesticide paqësore për bletën. Ai studjonte vazhdimisht dhe kishte një literaturë të gjerë në përdorim, sidomos në gjuhët fërngjisht dhe italisht. U bë nismëtar për themelimin e Shoqatës së Bletërritëseve gjirokastritë, ku organizonte mjaft biseda e leksione shkencore duke ndihmuar për shtimin e numrit të tyre si dhe prodhimin e mjaltit me cilësi. Për herë të parë në ndërmarjen e NIL Prodhimeve ngriti repartin e prodhimit të koshereve moderne të cilat i shpërndau tek bletërritësit.

Kolegët dhe  bashkëpuntorët e tij të ngushte  i deshte pa masë,  por dhe ata e donin përmendim: vëllezërit Ali e Ziver Sino, Ziver Selimi, Genci Kutra, Spiro Gushi, Nuri Kokalari, Thoma Spiri, etj.  Petro dinte të mbante dhe një shoqëri të zgjedhur intelektualësh. Gazetari i spikatur sportiv, i ndjeri Sokrat Papadhopulli tregonte se Petrua ishte një tifoz futbolli, meqë e kishte luajtur edhe vetë këtë lojë.  Ja si e kujtonte Sokrati:

– Mblidheshim gjithmonë tek zyra e Anastas Bozhorit në pazar me Rustem Çelën, Vaso Cicon, Miço Kagjinin, Koço Qendron, Astrit Zekon, doktor veteriner Vasil Zhupën, etj. ku diskutonim gjatë për sportin, por edhe për probleme të tjera sociale. Një tjetër pasion i tij ishte gjuetia ku ai kalonte kohën e lirë. Sportin e gjahut e kishte ushtruar qysh nga vegjëlia.

Si përfundim

Agronom Petro Laboviti ishte një intelektual i shquar, lindur e rritur në një familje patriote, të gjithë me shkolla të larta, kryesisht jashtë vendit, kudo ku ka shërbyer, ka lën gjurmë të arta. Motivi i tij: të përmijrësoj në maksimum ushqimin dhe cilësinë e jetës të gjithë popullit. Ndihmoi shumë bujq të varfër në kohën kur ishte shpallur zia e bukës.  Me këshillat e tij i mësoi si të kryenin punë sa më produktive në arat e tyre, si të luftonin sëmundjet dhe dëmtuesit e bimëve që ishin të pamëshirëshme në atë kohë. “Ta merr bukën nga lëmi” thuhej shpesh nëpër familjet e varfëra.  Ai ndihmoi shumë bujq të dilnin nga varfëria, shpëtoi shumë jetë njerëzish nga uria. Në ceremoninë e tij mortore morën pjesë mbi 1500 njerëz, nga Saranda, Përmeti, e gjithë krahinat e Jugut.

Inxhinieri-agronom Petro Laboviti ishte një njeri i mirë, i fisnikëruar e i thjeshtë. Jetën e tij ia kushtoi shkencës dhe agronomisë, në dobi të njerëzve, pavarësisht sistemeve shoqërore që ai kaloi. Puna dhe përpjekjet e tij na mësojnë sesi të krijojmë një jetë më të mirë e të sigurtë nga hiçi, për fëmijët tanë dhe brezat që vijnë. Jeta dhe puna e tij janë frymëzim në çdo kohë jo vetëm për Gjirokastrën ku jetoi e punoi me gjithë fuqinë e mendjes dhe të shpirtit të tij, por në gjithë Shqipërinë.

Boston MA – SHBA shkurt, 2022

What do you think?

Written by admin

Ndahet nga jeta poeti Bardhyl Londo

Gezuar Ditelindjen Chris Hassler, me shendet e jete te gjate !