Partizani fitoi 0-1 ndaj Kamzës në një ndeshje e cila i dha vendin e tretë në renditje, e përkohësisht me të shtoi edhe mundësitë për pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Sfida në periferinë e kryeqytetit u vendos nga një gol i brazilianit Kardozo, i cili gjeti shpejt ritmin pas hyrjes në fushë, duke tundur rrjetën e Kamzës.
Pas kësaj humbjeje, Kamza tani zbret në zonën e ftohtë të rënies nga kategoria, dhe do të luftojë së bashku me Vllazninë dhe Teutën.
Në ndeshjen tjetër Luftëtari fitoi me lehtësi 2-0 ndaj Lushnjes me nga një gol për çdo pjesë. Dy nga sulmuesit më të mirë të Superiores dhe lojtarët më të lakmuar në merkato, Kristal Abazaj dhe Dejvi Bregu shënuan për ekipin gjirokastrit.
Rrjeta e dytë në qytetin e gurtë ishte një inkursion i bukur i Bregut, që meritoi edhe dedikimin special të sulmuesit të Luftëtarit./Top Channel
Pavarësisht fitores së arritur, në një intervistë për “Supersport”, Abazaj është shprehur se ekipi i Luftëtarit ka zhvilluar një lojë të dobët, ndërsa objektivi kryesor mbetet arritja e Europës.
“Kemi bërë ndeshje të dobët ndaj Lushnjes, megjithëse kemi arritur ta fitojmë këtë takim. Duhet ta theksoj se nuk jemi të kënaqur me lojën e zhvilluar. Sa i përket zërave për transferimin tim në Belgjikë, nuk dua të komentoj asgjë, pasi jam i fokusuar te Luftëtari.
Të shohim fundin e merkatos dhe më pas të vendosim për të ardhmen. Ndërsa sa i përket objektivit të skuadrës, sigurisht që është arritja në vendet e Europës. Megjithëse me shumë vështirësi, besoj se do ia dalim”, është shprehur Abazaj./vipsport