Kujtesë/ “Hajde te mblidhemi tek Bendi!”, Thuhet dhe Sot Nga Banorët e Lagjes Pllakë në Gjirokastër!
Bendi është fjalë e vjetër e ngulitur dhe popullore për banorët e lagjes Pllakë në Gjirokastër me fuqi që e ka ndarë atë në dy pjese, të sipërme dhe te poshtme.
Kjo hapësire tani është bërë e re, eshte zgjeruar dhe Arkitekti ka bërë një zgjedhje të mençur, ka ruajtur një pjesë të brezit me çimento të Bendit të dikurshem, kujtese për brezat që do vinë.
![](https://gjirokastraonline.com/wp-content/uploads/2018/09/dummy-ad-300x250-1.jpg)
Nuk dihet pse kjo hapesirë jo e vogel tani, me zgjerimin e xhades nga Postblloku, Ura e Nanxës e këtu për në Sheshin e Çerçizit, ka marrë këtë emër.
Nga ç’thonë, fjalë e përcjellë, përrua dikur nga varreshin ujrat e shiut të lagjes Pazar i Vjetër, mbeti me këtë toponim kur u shtrinë tubot e medha te ujit që shkuan ne kala dhe nen te u ndertua një depo (Bendi).
Nga ajo kohë, shërbeu pikë referimi dhe takimi. “Takohemi tek Bendi”, “Mblidhemi tek Bendi”,“ Këndojmë tek Bendi” apo “Do luajmë tek Bendi” – vazhdon të thuhet.
Dikur luhej kaladibrançe, futboll me porta hungareze se nje makine ne hënëz kalonte, karrocat e Bedjavait, të Xhemali Shtinos shpinin bostane në Tregun e Bashtësë së Teqesë, mushkat e agojatëve të Dunavatit ngarkuar me dru e më pas karrocat e Jonuz Toskës, Lufti Ahmetit e Hulo Kores që këtu kujtohen shpesh nga të sotmit.
Bendi ka mbetur vend i dashur për banoret e Pllakës. Këtu fëmijë që kanë lojtur e sot burra, në oret e mbremjes e te vona, vëllezërit Elmaz dhe Bashkim Shkurta, Andi Shkurta me moshën e tij, vëllezërit Toska, etj. mblidhen per sport, folklor e politike, ia marrin dhe këngëve gjirokastritçe; tregojnë për të parët dhe histori të tyre; kujtojne njerez te mire te lagjes, Fitim Kaçin e Afrim Toskën që nuk rrojne më; flasin për zhvillimet e reja te jetes qytetare.
Te Bendi tregojne se Abedin Shehu rrahmet paste duke u kthyer nga pazari i ra per shkurt dhe u rrezua nga 3 metra lartesi.
“Koken e theve po boçen e rakise ne xhep te shajakut e shpetove” i tha gruaja.
Sa shumë kujtime për Bendin, këtë vend të kujtesës dhe takimeve, ngarkuar me histori njerëzore që asnjëherë nuk do të mbulohet nga harresa!
![](https://gjirokastraonline.com/wp-content/uploads/2018/07/dummy-ad-728x90-1.jpg)