in

INSTRUMENTISTËT E ZHULATIT

INSTRUMENTISTËT E ZHULATIT

Nga Sejmen Gjokoli

(shtojcë e shkrimit “Brezat në këngën e vallen e Zhulatit)
Krejt i veçantë mbetet Zhulati edhe në përdorimin e instrumentave popullorë, tipike për krahinën e Kardhiqit dhe në tërësi të Labërisë.
Është nga vendbanimet më të vjetra e historike por edhe me një nga më etnokulturorët në të gjithë trevën e Labërisë e më gjerë.
Jeta kryesisht blegtorale falë vendvendosjes dhe pozicionit gjeografik, rrethuar me male të lartë, duket se ka parashkruar edhe gjëndjen shpirtërore e traditën e dokeve dhe zakoneve të këtij fshati.
Krahas këngës dhe valles folklorike në jetën e përditshme e sidomos në raste dasmash e festash familjare do kishte vendin e vet edhe Longari (dyjarja) apo Cula (felli), pa folur për barinjtë.


Këtu në Zhulat jo vetëm që interpretohet me këto instrumente por edhe është nga fshatrat më prodhues të tyre.
Askund tjetër më tepër se në Zhulat nuk ka kaq shumë artizanë popullorë që bëjnë dyjaret prej druri.
Një dinasti e tërë e Dine po edhe e Kërre e kanë kaluar zanatin e gdhendës nga brezi në brez.
Të shquar mbeten Mane, Tasim e Skënder Dinaj të lagjes së Mesarit, ashtu si Bejo, Adif e Ilmi Kërraj në Joshaj po edhe Mitat e Alim Pula të lagjes Pulaj.
Kur flasim për instrumente popullorë kemi parasysh dyjaren dhe cylën por edhe sende të tjera si fletëza, krehëri, briri, zilet, këmborët, avazet e tyre janë përdorur me shumë mjeshtëri.


Ishte një kohë që Zhulati konkuronte në festival folklorike me një dyzinë djemsh me fyej e dyjare ku Mania, Bejkushi, Tasimi, Boçua, Seferi, Skenderi e Premtim Dina nga njëra anë si dhe Bejo, Shuqo e Adif Kërra nga ana tjetër, të gjithë bij të këtij fshati do të mbushnin skenat e Gjirokastrës me tinguj e avaze baritore nga më të bukurat e dëgjuara ndonjë herë.
Magji më vehte kanë realizuar zhulatasit e mi me instrumentet autentike të Labërisë, tipike për vende pastorale të shquara për traditë të madhe blegtorale, kjo falë edhe natyrës plot male që rrethohet ky vendbanim i mbushur me stane e nome bagëtie.
Naxhi Kasoruho, një nga muzikologët dhe instrumentistët e shquar gjirokastritë më ka treguar se sa herë shfaqeshin në skenë instrumentistët popullorë të Zhulatit, aq herë do të ndodhte një simfoni e vërtetë folklorike.
Avaze orgjinale, melodi bilbilash, ligjërime nënësh labe, gurgullima buronjash, fëshfërima trëndelinash në male.
Nga krijimet e rralla e me shumë vlerë , e denjë për tu përfshirë në fondin e artë të iso-polifonisë shqiptare do të mbetët edhe legjenda e Tanës, këngë e kënduar në polifoni dhe shoqëruar me instrumente popullorë nga djemtë e Zhulatit.
Por e gjithë kjo magji pastorale instrumentale ka ardhur pas një tradite të herëshme të një brezi të tërë që instrumentet popullore i kishin të vetmet vegla muzikore që bënin muzikë e ngopnin shpirtin e tyre.
Akoma në biseda e kuvende burrash kur bie fjala te trashëgimia përmes instrumentave popullorë dëgjon të përmenden emrat e Zano Gavoit, Rustem Gërxhollit, Dilaver Gjokolit, Safet Pulës etj të cilët fyejt i lidhnin me gjalmë apo zinxhirë të hollë dhe i hidhnin në krahë, bashkë me sharkun e çobanit.
Kështu Zhulati mbetet jo vetëm një vendbanim i lashtë e me një histori qytetërim mbi pesë shekuj të shkuar por edhe një territor me një trashëgimi kulturore e etnografi nga më të pasurat në trevën e Labërisë por Shqipërisë…

What do you think?

Written by admin

Kozi Gega ta gezosh pensionin, me shendet e jete te gjate!

Foto e larget ne kohe/ Kur,ku dhe me ke ka lojtur kombetarja tone e futbolllit dhe roli i Sefedin Brahos ne kete ndeshje?!