Pyetje: Drita, emri juaj dhe poezitë tuaja rrezatojnë dritë. Mendoni se kjo është një koinçidencë, apo poezia dhe poeti lindin njeherësh?
Përgjigje: Ju përshëndes dhe falenderoj për vlerësimin dhe mikpritjen tuaj! Poezia rrjedh nga shpirti, natyrisht e lindur dhe rritur bashkë me mua. Lidhja me emrin është thjesht koinçidencë.
Pyetje: Juve jetoni në Tiranë, por më së shumti poezitë tuaja kanë në fokus jugun e vendit tonë. Thjesht një dashuri për këto vende apo diçka më shumë?
Përgjigje: Prej 20 vitesh jetoj në Tiranë, por mendja dhe zemra ” jetojnë” në vendlindjen time Zagori, aty ku fjalët dhe hapat e parë kanë marrë udhë. Të shkruash për vendlindjen është obligim shpirtëror dhe njëherazi privilegj.
Pyetje: Zakonisht kur është koha që ju si poete keni ” orarin” e frymëzimit?
Përgjigje: Haha, ndoshta vetëm poezia është ” rebele”. Ajo nuk ka orare dhe nuk mund t’i vihet një rregull i tillë. Muza nuk ka kohë të përcaktuar, ajo vjen në momente të bukura, të vështira…. Mjafton të lindi një ide dhe të jetë ” luksi” i qetësisë absolute. Tema dhe ideja mund të lindin edhe në ecje, ” bluhet” drithi poetik i mbjellur në shpirtin plot jetë dhe korret nga mendjet dhe zemrat e lexuesve. Ne poetët vetëm hedhim në mullirin ku bluhet poezia.
Pyetje: Në përgjithësi poezitë tuaja e thonë botën tuaj shpirtërore me lejen tuaj apo…?
Përgjigje: Sigurisht që çdo krijues ka botën e tij dhe atë paraqet. Çdo fantazi e imja është me lejen e shpirtit. Besoj që kjo i jep veçantinë vargut tim origjinal.
Pyetje: Ndoshta natyra në përgjithësi poetët i ka lindur të bukur fizikisht dhe shpirtërisht, nga kjo nuk keni ” shpëtuar” as ju. Mendon që kjo ju ka ndihmuar të preferoheni si poete?
Përgjigje: Mendoj që çdokush është i përgjegjshem kërkon të arrijë perfeksion në fushat e tij. Këtu pamja e jashtme shihet si kohë e fituar për të arritur gjëra më të rëndesishme. Paraqitja e poetëve e ka sekretin te bukuria e shpirtit. Thjeshtësia dhe shpirti i dlirë përbëjnë bukurinë. Inteligjenca që natyrisht është genetike është shkëlqimi i shprehjes.
Pyetje: Cili është poeti yt që preferon?
Përgjigje: Ka disa poetë që më japin emocione dhe më vënë në mendime. I preferuari është Ismail Kadare.
Pyetje: Cili është profesioni juaj dhe puna që bëni?
Përgjigje: Jam diplomuar në Fakultetin e Filologjisë dhe Historisë, në Universitetin e Tiranës, dega gjuhë – letërsi. Punoj në Teatrin e Kukullave Tiranë.
Pyetje: E preferoni muzikën dhe nëse po…? Përgjigje: Jam adhuruese e muzikës në përgjithësi, kryesisht muzikës së lehtë. Vlerësoj që poezia dhe muzika kanë vlera “kuruese” ndaj unë i adhuroj të dyja.
Pyetje: Çfarë ju bën të ndiheni mirë?
Përgjigje: Gjithçka që është e bukur më bën të ndihem mirë, duke filluar nga ngjyrat e deri tek kontakti me njerëz të lumtur.
Pyetje: Po të ndiheni jo mirë?
Përgjigje: Ndihem keq nga realitetet e trishta, nga babëzia e të pasurve dhe endacakët e rrugëve, kur shoh të moshuar dhe fëmijë pa përkrahje. Këto më sjellin trishtim dhe dhimbje shpirtërore.
Pyetje: Do të kemi së shpejti librin tuaj në dorë?
Përgjigje: Pjesa më e madhe e poezive për botimin e një libri janë gati. Besoj së shpejti do të jetë në duart e lexuesve.
Pyetje: Cili është mesazhi tuaj për lexuesit e revistës ” Fjala’?
Përgjigje: Mesazhi im për lexuesit e revistës ” Fjala” është: lexoni aktualitetet dhe fjalën e lirë, kështu do t’ a keni të lehtë të bëni diferencen për të jetuar në një shoqëri të shëndetshme. Revista ” Fjala”: ishte kënaqësi biseda me ju, ndaj faleminderit dhe suksese se poete, por edhe në jetën tuaj të përditshme! Drita: faleminderit dhe ju që më bëtë pjesë të “Fjalës”!
Intervistoi: Gëzim Vucaj