Në vitet 60-të e tutje e diela sportive ne qytetin e Gjirokastrës kishte te veçanten e saj. Interesimi per ndeshjet ishte shume i madh, nje tifozllek me te papritura.
Kendi sportiv në Bashte të Teqesë, nga te dy anet me shkalle druri, me fushën në mes, mbushej citë, nuk kishe ku te hidhje mollën.
Me dinjitet ndiqnin ndeshjet edhe gra e vajza, gjimnaziste me shume. Prania e tyre impononte respekt, jo tifozëri të çmendur, nuk shahej e fyhej, nuk thuheshin fjalë turpe, ndonjerit që i shpëtonte goja, nxirrej jashtë.
Po dhe ndodhte. Këta ishin problematikë për policinë, “agresivë” me kundërshtarët e në raste të vecanta edhe me skuadrën, vecanërisht në ndeshjet e futbollit. Nëse ndonjë e tepëronte, nuk i pushonte goja, nxirrej jashtë stadiumit, që të vinte mend, cohej me makinë në Urë të Kardhiqit ose deri tek Ura e Subashit, lihej aty dhe i kerkohej të vinte me këmbë.
Ndonjë tifoz, përsëritës, me “shenjë në tru”, mbahej disa orë në Polici, tek Mulliri, dhe lëshohej duke hedhur firmën në procesverbal me premtimin se një rast të tillë nuk do ta përsëriste më.
Kjo kategori “tifozët veteranë” (për të cilët me emra do flasim në një shkrim tjetër) jetonin, humbisnin kohe e vuajtje, shqetësime, bëheshin edhe me zemër për “skuadrën”,rrezikonin, ishin gati t`i thoshnin burgut hapu vetëm t`i shërbenin skuadrës që ajo të mbetej në mos ne krye, ne mes e asnjëherë ne fund te klasifikimit.
Futbolli ishte dashuria e tyre, e qytetit, si vajze e bukur që e deshironin të gjithë. Ndonjë humbiste dhe ditet e punes per sportin, lutej tek ndonje mjek per raport, te tjere sajonin gënjeshtra me bisht për t`u ndodhur ne ndeshjet jashtë, organizonin gjoja sherbime pune ne Tirane e gjetkë.
Po dhe revoltat e tifozërisë gjirokastrite nuk kanë munguar. Kanë ndodhur dhe arrestime.
Ne nje ndeshje, ku arbitronte Karkanaqia, shpërtheu një tifozllëk i madh. Arbitri u qëllua me gurë e bashkë me shkaktarët ranë “viktima” edhe të rinj e fëmijë që u mbajtën disa orë në dhomat e paraburgimit tek Mulliri.
Shembujt e tifozërisë nuk kanë munguar po më të shumtt kanë qënë pa pasoja e episodike, “ndizeshin” e shuheshin shpejt.
Kjo atmosferë tifozërie ishte ne vitet 60-të e më pas në qytetin e Gjirokastrës.