Festa e madhe e Krishtlindjes ka mbledhur mbreme dhe sot besimtarët e krishterë shqiptarë, katolikë e ortodoksë, nëpër katedralet dhe kishat e mbarë vendit.
Ne Tirane, mesha e Krishtlindjes u mbajt në mesnatë në katedralen e Shën Palit,ndërsa besimtarët ortodoksë zhvilluan meshën sot në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” te drejtuar nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos.
Në fjalën e mbajtur në meshën e mesnatës në katedralen e Shën Palit në Tiranë, Arqipeshkvi Imzot George Frendo nder te tjera theksoi solidaritetin që treguan shqiptarët për të prekurit pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit si dhe percolli nje mesazh te rendesishem për politikanët dhe kërkoi që të mos vidhen paratë e mbledhura nga tërmeti dhe të mos rriten çmimet.
Ai iu drejtua të gjithë atyre që abuzojnë duke rritur çmimet e qirave për banesat nisur nga rritja e kërkesave dhe atyre që kanë ngritur çmimet për materialet e ndërtimit, duke thënë se po bëjnë një mëkat të madh.
“ U drejtohem atyre që po pasurohen dhe korruptojnë në sajë të tërmetit. U drejtohem me fjalët; qani dhe vajtoni për të këqijat që do vijnë mbi ju”, tha imzot George Frendo.
Në përfundim të meshës besimtarët uruan njëri tjetrin për sa më shumë mirësi dhe begati.
Në Shqipëri Krishtlindja festohet edhe nga besimtarët jo të krishterë, pasi është një nga festat më të pëlqyera nga të gjithë.