Riti i “Arapëve” në Polenë, është një shfaqje popullore me baza pagane që kremtohet çdo 6 janar pas shërbesës fetare të Ujit të Bekuar. Ky tip kremtimi haset kryesisht në Europën Juglindore në vende si Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Greqia etj.
Të gjithë banorët e fshatit angazhohen në organizimin e këtij riti, por në rit marrin pjesë vetëm burrat. Dikush vishet si personazh, dikush ndihmon në përgatitjet e veshjeve, dikush në maskimin dhe grimin e personazheve.
Personazhi (et) më të spikatur të këtij kremtimi janë ‘arapët’, ata shfaqen të maskuar me lëkurë kafshësh dhe në brez mbajnë lidhur këmborë të cilat tringëllojnë gjatë gjithë ritit. Personazhe të tjerë janë nusja, kapedani, hajduti, doktori dhe dasmorët. Çdo vit banorët sjellin edhe personazhe të rinj duke ironizuar aktualitetin.
Edhe se në ditët e sotme ky rit vjen si një argëtim, mund të themi se hyn në kategorinë e riteve kalendarike që zhvilloheshin për fertilitet e mbarësi,-shkruhet ne Faqen e Qendes se Veprimtarive Folklorike Kombetare.