in

Akademia e Shkencave, Konferencë shkencore kombëtare, ne nderim te atyre që bënë luftën fitimtare të Vlorës

Njëqind vjet më parë nëpër rrugët e sheshet e tjera të Vlorës parakalonin krenarë luftëtarët vullnetarë të luftës historike të 1920-ës, që është e lidhur pandashmërisht me emrin e këtij qyteti, me emrin e Kurveleshit e të gjithë Labërisë, me emrin e atdhetarëve shqiptarë që iu bashkuan kësaj lufte nga i gjithë vendi.

Më 3 shtator të vitit 1920 u plotësua vendimi i parë dhe më i rëndësishmi i Kongresit të Lushnjës: çlirimi i Vlorës nga pushtimi i huaj dhe vendosja e sovranitetit të shtetit të ri të pavarur shqiptar në gjithë territorin që i ishte njohur ndërkombëtarisht në vitin 1913.

Ultimatumi i Kuvendit të Barçallàsë, miratuar nga përfaqësuesit e popullit të Vlorës më 29 qershor 1920, rishprehu me fuqi të lartë të njëjtin vullnet të Kongresit të Lushnjës.

Lufta e Vlorës ishte luftë kombëtare, luftë për imponimin e Pavarësisë, që nuk kishte arritur të bëhej realitet deri atëherë. Shqipëria provoi gjatë dekadës së parë të jetës së vet jashtë ish-perandorisë otomane mundime të mëdha: qeverisjen ksenokratike; shndërrimin në shesh lufte të dy palëve që shpërthyen Luftën e Parë Botërore; statusin e padrejtë si vend asnjanës që i caktoi Konferenca e Versajës; projektet e zhbërjes së saj si subjekt i së drejtës ndërkombëtare; nënçmimin si çështje kombëtare, që iu delegua Konferencës së Ambasadorëve, bashkë me shumë çështje të tjera dytësore e tretësore.

Dorëzimi i së quajturës Republikë Franceze të Korçës qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, krahinës autonome të shpallur më 1916; dorëzimi i Shkodrës shtetit shqiptar, deri atëherë nën kontroll ndërkombëtar; mbrojtja e Dibrës prej pushtimit nga fqinjët veriorë, janë nyja të pandashme nga fitorja e Luftës së 1920-ës në Vlorë.

Në Shqipërinë e pambrojtur u zhvillua një luftë botërore më vete. Të gjitha ushtritë e huaja ndërluftuese ishin të pranishme. Kishte madje edhe indonezianë e senegalezë, të rekrutuar në përbërje të ushtrive europiane prej vendeve nën sundim. Por Lufta e Parë Botërore mbaroi dhe shqiptarët u gjendën në udhëkryq. Paqja botërore që u vendos në mbarim të saj, një prej paqeve më jetëshkurtra në histori, vetëm dy dekada dhe asnjë ditë më shumë, shenjoi një regres ende të pastudiuar mirë ndaj tyre. Shumica e ngjarjeve që ndodhën në periudhën midis dy luftërave shpjegohen me këtë regres. Ksenokracia formalisht mbaroi, por pavarësia e Shqipërisë u kushtëzua me delegimin e disa të drejtave themelore jashtë autoriteteve të vendit. Për dy dekada me radhë Shqipëria u njoh si territor ekstraballkanik. Pesë konferenca panballkanike u thirrën dhe u organizuan dhe në të pesta Shqipëria nuk pati të drejtë vote. Ksenokracia vazhdoi në një formë tjetër: Shqipërisë iu caktua një tutor i jashtëm si garant i sigurisë dhe e sovranitetit territorial me fqinjët.

Në kohën kur populli i Vlorës dhe i Labërisë dhe vullnetarët e ardhur nga e gjithë Shqipëria, duke përfshirë edhe ata shqiptaro-amerikanë jo të pakët që iu përgjigjën thirrjes së Fan Nolit: Mbaju nëno, mos ki frikë / se ke djemtë në Amerikë; shpallën luftën për çlirim me anë të ultimatumit të tyre sa të rreptë aq dhe të kulturuar, askush nuk i dinte këto vendime të fshehta. Këto vendime edhe nga historianët njihen vetëm pjesërisht.

Thirrja e presidentit amerikan Woodrow Wilson, që të mos ketë më traktate të fshehta dhe që edhe popujve të vegjël t’u njihej e drejta për të vetëvendosur për fatet e tyre, që më pas, me përmbysjen e tri perandorive të mëdha: otomane, ruse dhe austrohungareze, u kthye në parim bazë për rregullimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk e arriti efektin pozitiv në rastin e Shqipërisë.

Atë që diplomacia e kohës e fshehu dhe që autoritetet e Shqipërisë së pamëkëmbur shtetërore nuk e dinin e shprehu gjenia popullore e shqiptarëve në Vlorë dhe gjithkund në këtë vend. Por më së pari në Vlorë. Nuk kishte në atë kohë asnjë vendim të shpallur se ç’do të bëhej me Shqipërinë, se cilat ishin të drejtat që do të humbte. Por shpirtit atdhetar të vlonjatëve nuk u duheshin më këto vendime.

Vlora dhe gjithë Shqipëria e ndjenë rrezikun dhe i morën në duart e veta fatet e tyre. Nuk ishte e mundur që të ndryshoheshin vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, por ishte e mundur të ndalej më e keqja: ricopëtimi i Shqipërisë, humbja e tërësisë territoriale, reduktimi fatal i sovranitetit, shndërrimi i Pavarësisë në një formalitet diplomatik, në mos dhe zhbërja e shtetit vetë. Por ishte e mundur diçka themelore: askush nuk mund të injoronte më çështjen shqiptare, askush nuk mund ta linte më në rrjedhë të lirë fatin e saj.

Lufta e Vlorës ishte një luftë pas lufte. Ajo mbi të gjitha tregoi se Shqipëria kishte toleruar shumë gjatë Luftës së Parë Botërore, jo se nuk ishte e gatshme për të luftuar për interesat e saj, por duke e konsideruar atë një luftë të tjetërkujt. Kur shqiptarët e panë se nuk fituan më shumë se statusin e një fuqie asnjanëse, vetëdija e tyre kombëtare prodhoi kryengritjen.

Lufta e Vlorës ishte luftë kundër një rendi botëror të padrejtë. Sistemet perandorake u shembën, por jo orekset kolonialiste. Madje këto orekse u shtuan edhe në vendet fqinje, që nuk kishin pasur sundime të tilla në botë. Kjo histori ka të mirën dhe të keqen e vet. Në një anë është garanci për jetën e shtetit shqiptar që vetëdija popullore vepron pa urdhër dhe pa komandë në momente rreziku. Por nga ana tjetër një luftë pas lufte ka dhe anën e vet qortuese. Dhe kjo provon se populli ka qenë gjithnjë një hap para elitave qeverisëse. Dhe kjo ka qenë shpëtimtare. Por vonesat kur përsëriten janë gjithnjë të padëshiruara.

Kemi hyrë në dekadën e 100-vjetorëve. Do të nderojmë së afërmi 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane. Më tej na pret 100-vjetori i revolucionit popullor demokratik të udhëhequr nga Fan Noli. Në këtë jubile Akademia e Shkencave do të nderojë njëherësh edhe një prej periudhave më të lavdishme dhe ndoshta të papërsëritshme të parlamentarizmit shqiptar. Dhe më pas është radha kronologjike e republikës së parë shqiptare, shpallur me kushtetutë.

Të gjitha këto janë arsyet pse konferenca jonë, e organizuar nga Akademia e Shkencave, me bashkëpunimin e Universitetit të Vlorës dhe me pjesëmarrjen e studiuesve nga Akademia e Studimeve Albanologjike, nga Akademia e Forcave të Armatosura dhe nga Akademia e Sigurisë, me mbështetjen e Qeverisë dhe nën kujdesin e Presidentit, është titulluar Lufta kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e Pavarësisë.

Nderim atyre që bënë luftën fitimtare të Vlorës, nderim dhe atyre që e kanë lartësuar në vepra arti, respekt për dijetarët që sot do të sjellin risi në njohjen dhe vlerësimin e kësaj lufte

What do you think?

Written by admin

Prof.Dr.Tritan Kalo:Përkulem me shumë-shumë respekt e konsideratë përpara jush për këtë vlerësim të lartë!

Ja cfare thote legjenda per Manastirin e 4o shenjtoreve